Teki Dërvishi dhe legjendat urbane për të

Dramaturgu e poeti Teki Dërvishi e mbylli ciklin e vet të lojës spektakulare pa rregulla, ashtu ngutshëm dhe pa fije disipline – drejt Bregut të Pikëllimit – dhe u ngjit në Majë. Nuk e vranë dhe nuk vrau: Në të vërtetë, vrasja ndodhi, dhe ajo ishte shpirtërore.




Një mik i tij i rinisë shtyhej me mua se T. D. kurrë s’ka qenë paranoik, porse gjithnjë e kanë ndjekur.

Një mik i pleqërisë së tij, nga ata miqtë e përgaztë që na rastis t’i kemi, tha se T. D. hahej e shahej me njerëz, zihej e rrihej pa arsye. Dhe shkruante libra për të tjerët, me para! Dhe, dashuronte shumë gra.

Një tjetër mik i tij, ndër të fundit, më tha se T. D. ishte gjeniu i fundit, i pambaruar, i padisiplinuar…

Dhe, i fundit mik i tij i letrave më thotë se T. D. në tërë jetën e tij e ka shkruar vetëm një libër.

Dhe ky jam unë, miku i letërsisë së tij, por jo aq i afërt sa të krijoj edhe unë ndonjë mit për të.

Në të gjitha këto pandehma ka nga pak të vërteta.

Por, miku i tij, ndër më të afërtit, Sh. B. ma thotë tregimin e tij më real për T. D.

– Ti e di se kam pasur një lidhje të ngushtë miqësore me Tekiun e me Beqirin (Musliun), por edhe me A. Pashkun e Y. Shkrelin. Ndër ta sigurisht që Tekiu e zinte një vend të veçantë.

Ardhja e tij në Prishtinë, si korrektor më edicionin e «Rilindjes» pas vitit 1981 sigurisht që është edhe meritë e shkrimtarit Rr. D.

E takova në një buzëmbrëmje në Sukë të Cërmjanit, bri një shkëmbi.

Ishte në tetik dhe pehatej të binte si një mumie.

– Çfarë bën këtu T. D., të kemi kërkuar me pishtar në duar kahmos, e desh na lanë mendtë se nga u trete, do t’i kisha thënë po ta shihja vërtet.

Kam qenë shumë i ri atëherë, i sapolindur kur ai shihte drejt asaj humnere të quajtur Goli Otok.

Ai heshtte dhe shihte poshtë në humnerë. Në ‹zidanë›.

Dhe që nga viti 1989 vazhdimisht e shihja ‹live› në po të njëjtin vend: Në ambis.

Dhe, e shihte humnerën.

Dikur, ashiqare humnera nisi të shihte në drejtim të tij. Po e hante të gjallë.

Po e gllabëronte me ‘tesh e kotesh’.

Pas shkollimit fillor, T. D. i ra në sy regjimit jugosllav të asaj kohe dhe u burgos si gjimnazist e u dënua që në moshën 17-vjeçare, me Grupin e Adem Demaçit, me ç’rast e vuajti një dënim me burg në kampin famëkeq jugosllav të Goli Otokut.

Tekiu ka qenë anëtar në organizatën e Adem Demaçit, me të cilin është njohur qysh më 1963/64, e në gjyqin e vitit 1964 është dënuar me pesë vjet burgim të rëndë për shkak se kishte shpërndarë flamuj shqiptarë në Gjakovë e gjetkë nëpër Dukagjin. Ka mbajtur tre vjet, ndoshta pak më shumë, dhe është liruar më 1967, një vit pas rënies së kryepolicit jugosllav, famëkeqit A. R., kur ishin falur rreth 350 shqiptarë të dënuar.

Pasi ka dalë nga burgu ka qenë vazhdimisht i përndjekur, sa ishte detyruar të punonte në mësuesi në Carrallukë e në Viti, derisa më vonë është vendosur në Shkup, në gazetën «Flaka e vëllazërimit», ku ka punuar deri më 1981, kur e kanë larguar edhe nga aty me pretekstin se nuk kishte pranuar të shkruante koment kundër shkrimtarit shqiptar, I. K.

Dhe, atëbotë kishte nisur pa ia ndarë të shihte drejt humnerës nga Maja e Sukës.

D. shumë gjatë kohë kishte dialoguar me vdekjen!

Nëpërmjet njerëzve që i bëhej sikur po e shtynin drejt humnerës.

Derisa humnera e tërhiqte, e përthithte si ato vrimat e zeza në kozmos të Hawkingut!

Ishim njohur në vitet e ‘90-ta në bufenë e «Rilindjes», pasi kisha shkruar një ese për shfaqjen e dramës së tij në Teatrin Popullor të Kosovës, që i kishte pëlqyer tej mase.

Isha gazetar i ri te «Zëri i Rinisë».

Më kujtohen Selman Lokaj e Selman Jusufi duke e tërhequr «Kryqin drejt altarit» – ose duke e tërhequr «qerren e diellit» drejt majës së Sukës.

Jo, ata e tërhiqnin kohën zvarrë.

Dhe, sot, kur i shoh së bashku tek pinë kafe në bufenë e Teatrit Kombëtar të Kosovës, mjekërbardhë e me pamje sokratike, vërej se si ikën koha sipas konceptit të T. D.!

Në vitet e ‘90-ta ai e mbante rubrikën e rregullt në «Zëri».

Një ditë, T. D. kishte shkruar në kolumnën e tij për ish-presidentin turk Tugut Ozal me një ton ofendues, jo vetëm për të (e cilësonte si Derrguc Ozal), por edhe për turqit, për kuzhinën turke dhe për erën e qepëve dhe qebapëve.

Sh., që ishte kryeredaktor, u çart nga zemërimi.

Ambasada turke në Beograd e kishte thirrur në zyrat e Ibrahim Rugovës për ankesë, kurse dikush nga ta ia kishin përcjellë reagimin e turqve shefit të revistës.

Tekiu e humbi punën.

Një kohë të gjatë nuk jemi parë.

Gjatë bombardimeve të NATO-s mbi trupat serbe të sigurisë, derisa ishim të mbyllur, dikush u shfaq në televizor dhe tha se T. D. me disa intelektualë të tjerë kosovarë e kishin vrarë forcat serbe.

Ishte luftë speciale për t’i frikësuar të tjerët, shqiptarët e mbetur brenda në Kosovë, që të thyenin qafen jashtë kufijve.

Dhe, jo – ai kishte mbijetuar.

E takova menjëherë pas luftës dhe i thashë se më vinte mirë që ishte ndër të gjallët.

– Epo, shpesh më kanë vrarë – tha ai.

Vërtet tërë jeta e tij lidhej me vrasjen.

– Ti më ke dashur dikur, por ne i vrasim ata që i duam – më tha një ditë te kafenetë e rakisë në Prishtinë dhe donte të vazhdonte se të tjerët nuk e deshën (ndoshta një muaj dy para se të ngjitej në Majë). Donte të thoshte gjithashtu se nuk e doja më, pasi një kohë të gjatë as që ishim takuar.

E kisha lexuar thuaja çdo gjë që ai shkruante dhe botonte si një ndër shkrimtarët, dramaturgët dhe poetët më interesantë në kohën time të rinisë.

Ndoshta miti që ishte krijuar rreth tij nga gazetarët e kulturës të gazetave, fillimisht në Shkup e më pastaj edhe të gazetës së studentëve «Bota e re» të Prishtinës në vitet e ‘80-ta ndikonte fuqishëm që të krijoheshin e besoheshin legjenda urbane rreth tij.

– E kishin gjetur të varur disa miq dhe e kishin zbritur nga litari pas tri ditësh që kishte dashur t’i jepte fund jetës.

– E kishin gjetur duke u fshehur ndër varrezat e Prishtinës, se thoshte që po ndiqej nga disa hije të zeza, tashmë dy mijë vjet, dhe se e kishte vrarë përndjekësin pagan.

– E kishin gjetur tek po e shkruante një dramë me thëngjill në muret e dhomës së tij; miqtë e kishin arritur para aktit të fundit tek po e shkruante në murin e katërt të dhomës andej nga i binte dera, pasi thuajse një javë ditë nuk kishte dalë nga shtëpia.

Porse, s’kishte ndodhur kurrë asnjëra nga këto fanitje e përrallisje.

Legjenda e fundit urbane megjithatë është e përafërt me realen, sepse T. D. në kohën sa ka qëndruar në Shkup, i papunë dhe i izoluar tërësisht, ka nisur shkrimin e nëntë dramave, njëherësh – kryeveprës së tij «Bregu i pikëllimit».

Skicat e situatave dramatike dhe shtresimeve të saj – sistem që ka një thurje komplekse, do t’i ketë vënë me shënime shtesë nëpër mure.

E takova një natë krejt rastësisht, ishte me A. B., një mik i tij, që e shoqëronte viteve të fundit.

Ia kërcitëm rakisë «Te Martini».

Me ne ishte edhe I. V., një bashkëvendës imi.

Ia thashë të gjitha këto legjenda urbane që ishin thurur për të. Ai në fillim qeshi. Më pas më tha:

«Po, vërtet kaherë duan të më vrasin, më ndjekin sa herë dal nga shtëpia!»

«Dhe kanë për t’më vrarë! E di».

Dhe, shikimi gjysmë i përlotur iu vërtit përreth barit për t’u hedhur si kthetra përjashta në rrugë.

E ndieja se tashmë paranoja e kishte rrënuar të tërin.

‹Triku› me dramën e shkruar në muret e dhomës dukej ashiqare se i pëlqente!

Dikur vërtet sikur donte t’ua përmbushte disa miqve profecinë se ai ka për ta vrarë dikë, ose dikush ka për ta vrarë atë, u zu me fjalë me gazetarin B. H.

Në fillim po haheshin me fjalë, dikur u shanë.

Rrokën dhe thikat e bukës.

Klientët e pijetores ndërhynë për t’i ndarë.

Kjo ishte, me sa di, drama e fundit e tij.

Një përleshje e pa shkas, eternale dhe absurde ndërmjet njerëzve.

D. njihet si njëri ndër dramaturgët më të veçantë dhe produktivë në letërsinë shqipe të Kosovës dhe posaçërisht me dramën «Bregu i pikëllimit» ai e arriti kulmin e krijimtarisë së tij. «Bregu…» është dramë strukturaliste, të cilën e pati shfaqur me plot sukses TPK-ja, me regji të Vladimir Milçinit, me Istref Begollin në rolin kryesor – sintezë e nëntë roleve.

Drama «Bregu i pikëllimit» shënonte dramën e parë strukturaliste në Kosovë, por edhe përgjithësisht në letërsinë shqipe.

Kjo dramë me kompleksitetin e saj shënon një tekst dramatik të strukturuar si metaforë, e matshme me letërsinë evropiane.

Tërësia e dramës «Bregu…» përbëhet prej nëntë veprave dramatike, që janë sistematizim i veprës së tërësishme të T. D.

Pra, pas nëntë veprave (poezi dhe prozë), e dhjeta është drama e artistit, «Bregu i pikëllimit», strukturë së cilës i bashkëngjitet «Mbreti i Lirë».

Dhe, kjo dramë e madhe dikur ishte vetëm një poezi dhe e kishte titullin: «Të pështyjnë, pastaj» dhe kishte dalë si hyrje në librin poetik «Nimfa», botuar më 1986 nga «Rilindja», në Prishtinë.

Artisti në fillim, në pikënisje i rreket Amanetit të Nënës, (porosisë) apo Fjalës që është gjakim biblik: «Në fillim ishte fjala», apo Misioni i artit (si ndërgjegje) për të kaluar udhën gjithëshekullore të kotësisë, veprimit të kotë e të pashpresë prej Sizifi, për të arritur, më në fund, në Breg. Në bregun e zhgënjim-pikëllimit dhe kështu vazhdimisht në Udhën e përsëritshme, ku njerëzit – artistët ndërrojnë rolet, ndërrojnë mënyrën e të jetuarit, e të sunduarit (qeverisjes) me njerëz, ndërrojnë emrat…, e në esencë vetëm artisti – misionar i asaj të parës, fjalës, i mbetet besnik porosisë së Nënës – misionit prej njeriu, që zaten është gjakim i filozofisë, teologjisë dhe poezisë.

Njerëzit si shfaqje në jetë vijnë e përsëriten nëpër shekuj, pra secili subjekt e ka vendin e vet të determinuar në mikrokozmos, në mileun shoqëror, në botën tonë.

Drama e madhe e artistit nis me «Frytet e urrejtjes», me amanetin apo fjalën – në fillim, (urren, sepse nuk i lejohet realizimi i misionit – porosisë së dashurisë njerëzore) dhe përfundon në «Bregun e pikëllimit» – i vetëdijesuar për angazhimin e kotë e të pashpresë, por që duhet shtirur se kjo udhë – Jeta, ka kuptim, për të mos përfunduar në vetëvrasje! Artisti është i gjallë – i vdekur, që ecën me vdekjen në një kalë; por edhe vetat, edhe kali që zbret (nga ç’fuqi enigmatike) në skenë – ngjyrë dheu, të dyshimtë e realizojnë amanetin, por edhe nuk e realizojnë dyzash!

Pra, luajnë lojën e realizimit të tij.

Drama e T. D. shtrihet në transcedentalen (mbi-botën) që korrespondon me imanencën, (të sotmen, realen, praktikën), pra nga një rrafsh ireal, hipotetik e të mundshëm në çdo kohë dhe hapësirë të universit.

Suka e Cërmjanit është pika nismëtare e Udhësit Lojtar, e një pikë e tillë mund të merret për trajtim artistik kudo në botë. Kështu drama është një udhë metafizike, e cila nis diku në shtresën e Nëntë të imagjinatës krijuese për të kaluar nëpër Nëntë rrathë të një ferri hipotetik (që e kalojmë përditë), pra është kjo udha Nëntëshekullore duke kërkuar lirinë njerëzore, individuale dhe kolektive, të një grupi njerëzish që vuan duke qenë të afërt në iluzionin e përbashkësisë, të së mirës njerëzore dhe lirisë.

Këtë, në një farë mase, e eksplikon Kipci i Lojtarit, kur thotë: «A ka ndonjë rrugë që nuk kalon nëpër ferr?»

Drama e vendosur në një hapësirë metafizike (në gjithëkohësi) mbështetet fort në legjendën për Kostandinin dhe Doruntinën, ngase mënyra e rrëfimit (autobiografik?) asocion me Nëntë vëllezër e një motër, me Nëntë varre dhe një Nënë dhe, në fund, me shndërrimin e nënës dhe të motrës në qyqe – si shkak zhgënjimin, e si pasojë pikëllimin. Pra, edhe kjo e ka versionin apo alternativën e vet, legjendën për Halil Garrinë.

Çka mund t’i japë artisti jetës në misionin e tij? Fjalën!

E çka jeta atij? – Zhgënjimin – Pikëllimin!

Artisti niset në udhën e përjetshme duke synuar pikën e vet ideale – Majën.

Sukën (e vet) të Cërmjanit.

E arriti.

Bëri, ç’bëri, Teki Dërvishi arriti në fundin e lojës, në Sukën e tij.

A e ka njohur kush? I mirë, i keq…!

Dashnor, pijanec…

Mbi të gjitha, shkrimtar i padisiplinuar, e ka mundur të jetë brilant.

Vau përtej pikëllimit.

S’e pyet më kush për asgjë. As ai më s’kërkon gjë.

Ky është i vetmi kuptim i jetës.

«A je en mend, mer ti… o hajvan…» – u thoshte miqve!

«Tekia i cokatt» – ia kthenin ata!