TEC-et e reja në Ballkan «do të ndotin mjedisin»

Shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor mbështeten fuqishëm termocentralet dhe shumë prej impianteve të reja që po ndërtohen nuk do të përputhen me standardet e sapomiratuara të BE-së për mbrojtjen e mjedisit, paralajmëroi një grup vëzhguesish.

Termocentral me qymyr | Foto nga : Gazeta JNK



Pothuajse asnjë nga termocentralet e reja të qymyrit të planifikuara në Ballkanin Perëndimor nuk do të përmbushë standardet e fundit dhe më të ashpërsuara të ndotjes në Bashkimin Europian, sipas një analize të re nga Rrjeti CEE Bankwatch.

«Natyrisht që hartuesit e projektit hezitojnë të vonojnë projektet e tyre duke bërë rishikime dhe duke marrë masa për t’i përshtatur ata me standardet e reja, por duke mos e bërë këtë tani, ata do të duhet të paguajnë më vonë», tha Pippa Gallop, koordinator i kërkimit të Bankwatch.

«Kostot shtesë që standardet e reja do të sjellin janë shenjë paralajmëruese për qeveritë se qymyri po bëhet shpejt një burim i papërdorshëm», shtoi Gallop.

BE miratoi standardin e vet të ri, të ashtuquajturin BREF LCP, më 28 prill të këtij viti.

Ai përcakton teknikat më të mira të mundshme për të kontrolluar ndotjen e ajrit, ujit dhe tokës, si dhe kufijtë e emetimit.

Analiza e Bankwatch shqyrtoi tetë TEC-e me qymyr të cilat kanë një kapacitet prej 2.6 GW në Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi, si dhe uzinën Stanari në Bosnje-Hercegovinë e cila filloi nga puna shtatorin e kaluar.

Nga këto tetë TEC-e, katër janë në Bosnje-Hercegovinë dhe nga një në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi. Pesë nga TEC-et janë të sigurta që nuk do t’i përmbushin standardet e reja, ndërsa për të tjerat nuk ka informacione të mjaftueshme.

«Stanari në Bosnjë-Hercegovinë është ndërtuar tashmë, ndaj nuk është përfshirë në të dhënat tona, por nuk rezulton të jetë në përputhje me standardet e reja bazuar te përshkrimi i lejes mjedisore», tha për BIRN-in Gallop.

Mospërshtatja me legjislacionin është një problem jo vetëm për vendet aspirante për t’u anëtarësuar në BE, por përbën problem edhe në pajtueshmërinë me legjislacionin vendas, thotë raporti.

Shumica e qeverive në Ballkanin Perëndimor kanë miratuar tashmë legjislacionet ku thuhet se standardi i BE-së duhet të përdoret si bazë për lejet e termocentraleve të qymyrit, ndaj këto standarde mbeten për t’u zbatuar sapo të hyjnë në fuqi në BE.

«Tani që kompanitë e elektricitetit në Ballkanin Perëndimor janë të detyruara t’i binden rregullave të tregut të BE-së, ato duhet të bëjnë shumë më tepër për t’u siguruar se investimet e tyre janë financiarisht të zbatueshme dhe t’i rezistojnë të ardhmes», tha Ioana Ciuta nga i njëjti rrjet.

«Ata nuk mund të shkojnë e t’i kërkojnë shtetit para shtesë për fonde investimi apo të shtyjnë afatet e zbatimit. Ata duhet të fillojnë të shohin përpara dhe të analizojnë nëse termocentralet e tyre do t’i shkaktojnë telashe në të ardhmen», shtoi ajo.

(https://www.reporter.al/tec-et-e-reja-ne-ballkan-do-te-ndotin-mjedisin/)