Të zbresim te faktet, t’i lëmë lavdërimet pa mbulesë

Debati i publicistëve të Prishtinës dhe Tiranës për raportet mes shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë dalëngadalë po shndërrohet në garë se cila shoqëri ka më shumë talente. Në këtë kurth bie edhe Ben Blushi, i cili duke shkruar me stil të bukur i harron faktet.

Ilustrimi: Shutterstock

Kur e lexova tekstin e Ben Blushit, në të cilin himnizonte talentet kosovare në muzikë e sport, më ra ndërmend një shkrim i gazetës gjermane «Die Welt», botuar në mars të këtij viti, i cili merrej me këtë fenomen: përse në Shqipëri, në këtë vend të vogël ballkanik, ka aq shumë talente të muzikës klasike? Dhe jo talente dosido, por të tilla që shkëlqejnë nëpër operat më të rëndësishme të botës nga Amerika në Azi. Gazetari numëronte tri arsye: iso-polifoninë tradicionale shqiptare, shkollën e mirë shqiptare të muzikës dhe afinitetin ndaj operës italiane. Tenori Saimir Pirgu nuk është nga Lipjani, sopranoja Inva Mula nuk është nga Drenica (ndonëse e martuar me një drenicak jomuzikor), sopranoja Ermonela Jaho nuk është nga Peja, mezosopranoja Enkelejda Shkoza nuk është nga Podujeva, baritoni Gëzim Myshketa nuk është nga Mitrovica. Çfarë i ofron Kosova tregut muzikor shqiptar është një grusht reperësh, të cilët janë me të drejtë të frustruar me jetën e tyre në një shtet të izoluar dhe këtë e shprehin përmes teksteve protestuese, siç e shprehin edhe zezakët në Amerikë apo reperët me origjinë të huaj në Europën Perëndimore. Mediat private televizive të Tiranës i japin hapësirë edhe kësaj muzike në përpjekje për të «okupuar» sa më shumë territor kombëtar, kupto: komercial nga Saranda në Suhadoll. Shanset që një reper i kthinave të Prishtinës të arrijë atë sukses që kanë arritur Saimir Pirgu e Inva Mula në arenën ndërkombëtare janë baras me zero. Andaj lavdërimi tepër i ekzagjeruar që Blushi i bën muzikantëve kosovarë, mund të shërbejë për një dalldisje kolektive në Facebook të kosovarëve që kanë qejf kur i lavdërojnë të huajt e sidomos ndonjë zë i respektuar nga Tirana. Por, të zbresim te faktet, t’i lëmë lavdërimet pa mbulesë.

Blushi si protagoniste të dominimit muzikor kosovar përmend Rita Orën, Dua Lipën, Bebe Rexhën… Por, që të tria janë «prodhime» të kulturës muzikore britanike dhe amerikane, pra të një shoqërie jashtëshqiptare. Ne mund dhe duhet të jemi mirënjohës që ato dhe familjet e tyre nuk e harrojnë Kosovën dhe Shqipërinë, por të sillemi thua se Rita Ora është talent i zbuluar në Akademinë Muzikore të Komoranit apo Kamenicës është shumë qesharake.

E njëjta gjë vlen edhe për futbollistët. Xherdan Shaqiri me gjasë më larg se shitës qoftesh s’do mbërrinte po të kishte mbetur në Zhegër, në fshatin e lindjes, dhe të mos kishte ardhur te familja në Zvicër, ku talenti i tij futbollistik gjeti hapësirë për zhvillim në infrastrukturën e përsosur sportive zvicerane. Xhaka, Behrami, Januzaj e shumë të tjerë janë të suksesshëm jo për shkak se «në damarët e tyre rrjedh gjaku i pastër shqiptar», por për shkak se janë rritur në shoqëri që investojnë shumë në sport.

Pika më e dobët e tekstit të Blushit është aty ku ai flet për periudhën e Kosovës në Jugosllavi. Blushi shkruan: «Gjatë kohës kur jetonin në Jugosllavi, kosovarët nuk kishin kaq shumë talente. Muzika, letërsia, sportet, piktura dhe futbolli i tyre ishte i prapambetur në krahasim me popujt e tjerë jugosllavë. Nuk kishin fituar asnjë medalje të artë, nuk kishin pothuajse asnjë futbollist të madh, nuk kishin muzikantë, piktorë apo shkrimtarë të shquar. Kuotat më të larta, mendimi i tyre kritik, i arriti duke shkruar ese për poetët dhe artin e Rilindjes Shqiptare».

Meqë Blushi me gjasë e njeh sipërfaqësisht historinë e shqiptarëve në Jugosllavi, ai nuk i përmend si talente shqiptare nga Kosova aktorët Bekim Fehmiu, Faruk Begolli, Enver Petrovci. Nuk përmend futbollistë si Fadil Vokrri, vëllezërit Muriqi, gjeneratën e artë të KF Prishtinës që shtyhej e matej me ekipet më të rëndësishme të futbollit jugosllav. Nuk përmend shkencëtarë si Musa Haxhiu, Dervish Rozhaja, Gazmend Zajmi, Zejnullah Gruda. Këta ishin shkencëtarë të njohur përtej Jugosllavisë. Nuk e përmend Blushi as diplomatin Ramadan Marmullaku, i cili në vitet ’70 ka kryesuar mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Nuk i përmend Blushi as boksierin Aziz Salihu, as mundësit Shaban Tërstena dhe Shaban Sejdiu – të gjithë këta kanë fituar medalje olimpike (të arta e të bronzta) si shqiptarë dhe përfaqësues të Jugosllavisë në Lojërat Olimpike në Moskë dhe Los Angeles. Blushi thotë se në Jugosllavi Kosova nuk ka pasur piktorë. Muslim Mulliqi është një nga emrat e njohur në qarqet artistike dhe të interesuara për art në Jugosllavi dhe më gjerë. Skulptori Agim Çavdarbasha po ashtu. Si për shumë të tjerë edhe për këngëtaren Zana Nimani Blushi nuk besoj të ketë dëgjuar. As për Gazmend Pallaskën. As për Bashkim Paçukun.

Përse janë aq të suksesshme Rita Ora dhe Dua Lipa? Ndoshta për shkak se edhe prindërit e tyre kanë dëgjuar The Beatles, Rolling Stones, David Bovie dhe krejt djajtë e muzikës që regjimi komunist i Tiranës jo vetëm që i mallkonte, por edhe i fuste në burg ata që merrnin guximin të dëgjonin muzikë imperialiste. Todi Lubonja, babai i publicistit të çmuar Fatos Lubonja, në vitet ’70 u arrestua për shkak se në Festivalin e Këngës në Radiotelevizion kishte lejuar «muzikë dekadente perëndimore» dhe si drejtor televizioni kishte toleruar që këngëtaret të dalin në skenë me minifunde. Për fat të keq në Kosovë, jo vetëm në mesin e gazetarëve, mungon dija dhe gatishmëria për të njohur historinë e tmerrshme të Shqipërisë nën komunizëm. Ajo shtypje ka lënë pasoja të mëdha dhe shqiptarët e Kosovës duhet të interesohen më shumë për të kaluarën e Shqipërisë, në mënyrë që të mos dalin budallenj në debate si ndonjë gazetar i korruptuar i Tiranës, i cili jargavitet në Prishtinë pas ndonjë oligarku, i cili krenohet se familjarisht i ka shërbyer si Mbretit të Serbisë, ashtu edhe despotit jugosllav Josip Broz Tito.

Neve (në Prishtinë dhe në Tiranë) na mbyti mosnjohja e rrethanave historike në të cilat kemi jetuar prej se nga Ballkani u tërhoq Perandoria Osmane dhe refuzimi për të njohur njëri-tjetrin pa paragjykime. Andaj shpesh debatet po shndërrohen në kakofoni ose në muhabete pa kripë. Kështu po tingëllon ndërkohë edhe debati i publicistëve të Prishtinës dhe Tiranës për raportet mes shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, që nisi pas vendimit të futbollistit Milot Rashica për të luajtur për Kombëtaren e Kosovës. Dalëngadalë ky debat publicistik po shndërrohet në garë se cila shoqëri ka më shumë talente. Në këtë kurth bie edhe Ben Blushi, i cili duke shkruar me stil të bukur i harron faktet.

Ne, shkruante së fundi revista gjermane «Der Spiegel», po jetojmë në një epokë postfaktike, në të cilën nuk është me rëndësi nëse diçka është e vërtetë, por nëse ajo që thuhet besohet nga njerëzit e duhur. Blushi mund të ketë arritur të përcjellë mesazhin e shkrimit të tij te një strukturë lexuesish që entuziazmohen lehtë, por më e dobishme do të ishte sikur të kishte gërmuar pak fakte, meqë kësaj radhe është mësyrë të shkruajë publicistikë dhe jo një kapitull për arapin e Vlorës. Sa i përket letërsisë: edhe Kosova ka shkrimtarë, por në këtë fushë Shqipëria qëndron larg më mirë, ka autorë shumë më të talentuar. Tani të gjithë ndoshta presin të përmendim këtu Ismail Kadarenë. Jo, qe disa emra të tjerë: Besa Myftiu, Ornela Vorpsi, Mimoza Ahmeti, Lindita Arapi, Fatos Kongoli. Veprat e të gjithë këtyre autoreve dhe autorëve viteve të fundit janë botuar në hapësirën gjermane.

Kësisoj, debati në stilin «kush o ma i forti» lehtë mund të marrë epilog absurd. Shqiptarët duhet të mësohen që gëzimin për sukseset e arritura në çdo fushë ta përjetojnë si diçka të përbashkët, pa u përpjekur të injorohet fakti se Kosova është shtet. Në atë moment që Kosova ka shpallur pavarësinë, është ditur se do të hyjë edhe në FIFA, edhe në shoqatën ndërkombëtare të dallëndysheve – dhe do të luajë në gara ndërkombëtare. Kush befasohet sot për këtë, ose ka fjetur më 17 shkurt 2008, ose refuzon të zgjohet ende nga gjumi.

Dy shtete shqiptare në Ballkan – ky është maksimumi historik sot për sot. Se çfarë bëhet pas një shekulli apo dy shekujve nuk duhet të na mundojë sot pamasë. Sot detyrë parësore është shndërrimi i Shqipërisë dhe Kosovës në shtete funksionale. Si shtete jofunksionale s’na duhen as njëra, as tjetra. Duhet të shqetësohemi për një gjë: përse nga Shqipëria dhe Kosova ikin aq shumë njerëz dhe në mesin e azilkërkuesve në Europë renditen shpesh pas sirianëve?