Të udhëtosh me shpirt

Një grup studentësh të arkitekturës nga Kosova ndodhen për një vizitë disaditore në Stamboll. Ndonëse vizita e tyre është private, duke qenë se bëhej fjalë për studiues të arkitekturës, «ciceroni» e kishte marrë mundimin për të organizuar vizita nëpër vendet më interesante arkitektonike të Stambollit. Pas ditës së parë, për habi, studentët kishin kërkuar që kohën e mbetur ta kalonin nëpër qendra tregtare. Një reflektim mbi mundësitë e tjera të udhëtimit – ku njeriu takon meksikane që dëgjojnë muzikë nga Kosova.



Mora shkas nga një rrëfim mbi një udhëtim të një grupi studentësh kosovarë në Stamboll për të reflektuar mbi udhëtimet. Duke e pasur syrin e pangopur dhe xhepin pothuaj të zbrazët, është deri diku normale që njerëzit të mos jenë të interesuar për të parë sheshe, qytete dhe për të njohur njerëz. Duan të vizitojnë dyqane me brende të shtrenjta, të blejnë e të blejnë deri sa të mos mund ta mbyllin valixhen gjatë kthimit.

«Udhëtimi është armik i paragjykimeve dhe i mendjengushtësisë. Ide të hapura e të mëdha nuk mund të kenë njerëzit që vegjetojnë në një skaj të vogël të botës», thotë Mark Twain. Për mjeshtrin e letrave Marsel Proust, udhëtimi e bën njeriun më modest për shkak se e sheh se sa i vogël dhe i parëndësishëm je në krahasim me botën e madhe. Të dyja postulatet mund t’i kundërshtojmë. Jo detyrimisht udhëtimi është një aktivitet që i fisnikëron njerëzit, i bën ata më mendjehapur e më të përmbushur. Shumë njerëz, të cilët ndonëse mund të kenë pasur pasaportat e tyre të mbushura me vula dhe viza nga vende të ndryshme, janë frikshëm të varfër në shpirt dhe në mendje. Në fund të fundit, vetë shkrimtari i madh francez Jules Verne nuk doli kurrë nga Franca e tij, megjithatë i la letërsisë botërore një varg veprash monumentale në fokus të të cilave janë pikërisht tregimet për udhëtimet rreth botës, udhëtimin në hënë, dhe kërkimet në fund të oqeanit. A është më i përmbushur ai që ka lexuar më shumë apo ai që ka udhëtuar më shumë?

Udhëtimi thjeshtë sa për të udhëtuar, sa për të thënë që ke qenë diku, nuk të bën njeri më të përmbushur, në kuptimin kantian të fjalës. Përpos të fiksuarëve pas mbledhjes së vulave, kjo vlen edhe për ata që udhëtojnë drejt resorteve «all-inclusive», në të cilat koha kalohet ngujuar në hapësira të hotelit. Në këto aranzhmane pushuesi transportohet si kope nga aeroporti në hotel dhe anasjelltas. Keni pushuar në Sharm al-Sheik e nuk keni parë asgjë nga rrethina apo nuk keni shijuar një gotë lëng shalqiri me «kushari» nëpër rrugët e ngarkuara me trafik të Kajros. Keni vizituar resortet turke në Antalia e Bodrum për të satën herë dhe jeni dendur pashëndetshëm me ushqim, por nuk keni marrë një apo dy ditë për të parë Stambollin, për të shëtitur në «Moda» e «Cihangir», për të ngrënë bukë me peshk (balik ekmek) që përgatitet nëpër barkat përreth xhamisë Sulltan Ahmet. Keni pushuar dhjetë ditë në Tunizi e nuk keni parë Muzeun Kombëtar Bardo në Tunis. Mund të keni një vulë egjiptiane në pasaportë, por në fakt nuk e keni parë e aq më pak njohur Egjiptin. Thjeshtë keni pushuar në një resort të konsumit, i cili në rendin kapitalist është i njëjtë si të gjitha resortet tjera në Greqi, Turqi e Tunizi.

Udhëtimi për njeriun e sotëm, të paktën për njeriun që konsiderohet i emancipuar, përpos pushimit, ka edhe një segment tjetër, atë të përgjegjësisë. E tërë logjika e eko-turizmit ka për bazë akomodimin në forma alternative si bujtina, shtëpi private (qoftë përmes sistemit Airbnb ose Couchsurfing), konsumimit të produkteve vendase, apo ngrënies nëpër restorante të cilat punojnë me produkte dhe staf vendi. Kështu, ti nuk je vetëm një pushues apo turist, por kontribuon direkt në një sistem tjetër të të bërit turizëm. Këtu kanë të drejtë Twain dhe Proust.

Në këtë model udhëtohet jo vetëm për të pushuar, por mbi të gjitha për të njohur një qytet a vend të ri, për të njohur kultura të reja dhe njerëz të rinj. Në këtë kategori hyjnë ata që nuk e konsumojnë turizmin si një produkt që blihet diku. Krejt të kundërtën, e ndërtojnë vetë «produktin» e turizmit, nëse mund të quhet i tillë. Kur udhëton e pushon në këtë mënyrë, je larg hoteleve të ftohta apo gastronomisë në masë që nuk të ndjellë asnjë kuriozitet e as ndonjë dëshirë për t’u ulur në tavolinë.

Kështu, duke udhëtuar nëpërmjet formave alternative, kam njohur dhe prekur më për së afërmi vendasit, kam njohur në mënyrë më dinamike pjatat e tyre të preferuara, pijet e veçanta, baret dhe restorantet më interesante. Gjatë vizitës dyjavore në Santa Ana, qytetit më fundor të Kalifornisë në kufi me Meksikën, ndaja një apartament të vogël bashkë me dy gra të mrekullueshme meksikane Mariela dhe Roxana. Nuk e kisha çuar ndonjëherë nëpër mend që në atë skaj të kontinentit, me të mësuar që jam nga Kosova një meksikane do të përgjigjej «Troja music».

Rezultoi që të dyja ishin kolege të shkrimtarit kosovar në Meksikë, Xhevdet Bajraj, nga i cili ato kishin njohur jo pak gjëra për Kosovën. Udhëtimet në Zvicër nuk është se kanë qenë të preferuarat e mia, por njohja me Sandrën nga Berna ka qenë përfundimisht një kënaqësi. Një zvicerane e pasionuar pas kafesë dhe aparateve të kafesë, Sandra bashkëjetonte më Darion, të dashurin e saj boshnjak në një apartament afër stacionit policor në Bernë. Nuk e di nëse humorin e saj të hollë e kishte marrë nga Dario, por Sandra kishte një aftësi brilante për t’u tallur me zakone të përçudnuara zvicerane – si për shembull të mos bësh dush pas orës 22:00 kur jeton në banesë kolektive, të mos ecësh me taka pas orës 21:00 dhe të tjera si këto.

Gjatë vizitës një mujore në Lublin, qytetin më lindor polak në kufi me Bjellorusinë dhe Ukrainën, më rastisi të jem mysafire e Szymonit dhe Anetas, një çift rreth të 60-tave të cilët kishin mbetur vetëm pasi dy fëmijët e tyre kishin pak vite që jetonin në Varshavë. Szymoni dhe Aneta nuk kishin udhëtuar kurrë jashtë Polonisë dhe ende ruanin një lloj fetishi për Jugosllavinë si vend përparimtar e i zhvilluar.

I gjithë udhëtimi im në Andaluzi të Spanjës nuk do të ishte më i bukuri që kam bërë deri më sot sikur të mos kisha marrë me qira një dhomë në shtëpinë e Eloras – një gjermane nga Dresdeni, e cila kishte ardhur në Spanjë në vitin 2008 për të marshuar kundër prishjes së një plantacioni të ullinjve në Malaga. Që nga ajo kohë, siç thoshte vetë Elora, ishte bërë një «spanjolle shumë bionde» dhe nuk kishte ndërmend të kthehej më në Dresden. Udhëtimi që kemi bërë bashkë me shoqërinë e saj nëpër plantacionet e ullinjve në mes Malagas dhe Granadës nuk ka të paguar.

Krejt në fund, meqë është ende kohë pushimesh dhe gjithandej shohim njerëz që udhëtojnë, lëvizin e pushojnë: a do të thotë kjo se ata që konsumojnë turizëm kthehen më të pasuruar? A bëhen më mendjehapur e më modest siç do të thoshin Twain dhe Prousti? Apo ndoshta të pasuruarit nuk ka të bëj aq shumë me atë se sa udhëtojmë e në sa dhoma hoteli kemi fjetur, por çfarë kemi marrë nga udhëtimet.