Të thuhet e vërteta për shqiptarët në Maqedoni!

Partia e Ali Ahmetit, sado e rrudhur, e ka një rol vendimtar për formimin e Qeverisë në Maqedoni. Ajo luhatet nga preferencat për partnerin e deritanishëm, deri te kalimi në opozitë. Nën presionin e situatës, lideri ka paralajmëruar nxjerrjen e disa të vërtetave të mëdha. Por, çfarë e ndalon ta bëjë këtë? Ky është një obligim ndaj opinionit dhe institucioneve.




Partia e Ali Ahmetit po mblidhet, siç nuk është takuar për mbi 15 vjet të ekzistencës së saj. Skeptikët thonë që më shumë se kriza e vendit, atë e preokupon kriza e vet. Humbja e gjysmës së elektoratit, apo gjysmës së deputetëve, i ka rënë si damlla. Kjo rënie dramatike e sinjalizon fillimin e numërimit mbrapsht të qëndrimit të saj në skenën politike në Maqedoni dhe degdisjen e saj në shoqërinë e dy partive të tjera me po kaq histori sa ajo.

Pavarësisht kësaj rënieje, ajo në krizën aktuale politike në Maqedoni e ka një rol krucial. Nga partia e Ahmetit varet se kush do ta formojë Qeverinë. Por, pozicionimi i saj mund t’ia shkëpusë edhe atë gjysmë përkrahjeje që i ka ngelur. Partia e dogji kandidaturën e Nikola Gruevskit, pavarësisht sinjaleve se ai ishte preferenca e saj. Por, ai nuk mund të ulej edhe një herë në prehrin e tij, sepse mu kjo e shkurtoi atë.

Vështirësinë më të madhe partia e ka t’i qaset Zoran Zaevit. E para, sepse ai ia ka rrëmbyer elektoratin më të madh. E dyta, sepse, siç besojnë në mënyrë plauzibile analistët, Gruevski ka materiale kompometuese për partinë e Ahmetit. Në njëfarë mënyre, ai e ka atë në dorë. Po nëse Zaev i përgjigjet pozitivisht kërkesës së shqiptarëve për përdorimin e gjuhës shqipe, që ai e ka premtuar gjatë fushatës zgjedhore, a mund ta djegë këtë ofertë Ahmeti, siç besojnë konspiracionistët?

Në Maqedoni ka një traditë të palavdëruar sa i përket transparencës së marrëveshjeve qeveritare. Ato nuk janë bërë kurrë publike, prandaj opinioni ka dyshuar nëse ka pasur fare të tilla. Këto përshtypje janë përforcuar nga ngecja e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni. Në fakt, ka një përjashtim të vogël: Arbën Xhaferi i nxori ish-presidentit Boris Trajkovski një dokument zotimesh për shqiptarët kur ky filloi ta luante të fortin në negociatat e Ohrit.

Ajo për të cilën ka nevojë në këtë periudhë errësire informacioni është transparenca e gjërave dhe një debat për ofertat që qarkullojnë nëpër tavolinat e negociatave. Kjo do t’u jepte legjitimitet vendimeve që merren. Sidomos nga partia e Ahmetit, e cila është vendosur nën prozhektorin e opinionit publik. Nëse nuk lajthis, Lëvizja Besa ka filluar të distancohet nga tryeza e partive shqiptare për faktin e mosqarkullimit intern të ofertës së Zaevit.

Dyshimet janë se Ahmeti, që të jetë pastër me të gjithë, do t’i ikën marrëveshjes me Zaevin dhe do të luajë me kartën e zgjedhjeve të reja. Kjo përbën një ndër pesë pikat e diskutimeve maratonike të partisë, që nuk po ia del t’i ezaurojë argumentet për njërën, a tjetrën çështje. Por kjo shpie përsëri në kauzën e Gruevskit. Pyetja që të vjen ndërmend është jo vetëm ajo nëse i sjellin ato një zgjidhje krizës së Maqedonisë, por edhe nëse i shërbejnë partisë së Ahmetit?

Nuk është thjesht një situatë paradoksale, ku aktorë të caktuar e kanë humbur, jo vetëm toruan. Kujto kushtin e Menduh Thaçit për t’u nominuar për kryeministër! Në vorbullën e këtyre zhvillimeve të fundit politike, Ali Ahmeti ka deklaruar diçka që është thelbi i të gjitha pikëpyetjeve të shqiptarëve: Ai mund të dalë edhe në opozitë dhe ta thotë të vërtetën për të gjitha. Dhe, këtu bëjnë pjesë akuzat për rastin e Kumanovës e shumë të tjera.

Kjo e nxjerr në shesh një gjë të madhe. Që shpjegimi zyrtar për këto ngjarje të rënda është i rremë. E vërteta që dimë ne për ato është mashtrim. Duke qenë pjesë e sistemit në gjithë këtë periudhë, i bie se Ahmeti e ka mbështetur gënjeshtrën për këto ngjarje. Në të vërtetë, kjo është ajo çka beson opinioni shqiptar në Maqedoni. Kjo është arsyeja përse ai e ka ndëshkuar partinë e Ali Ahmetit.

Nuk mund të interpretohet racionalisht përse nuk janë thënë këto të vërteta deri më tani. Nxjerrjen e këtyre të vërtetave, menjëherë, Ahmeti e ka detyrim ndaj opinionit dhe institucioneve. Duhet dalë në opozitë për t’i thënë këto të vërteta të mëdha, aq më shumë nëse ato e amnistojnë atë? Po nuk doli partia në opozitë, këto të vërteta do të heshten?! Si do ta kërkojë ai votën në zgjedhje me gjithë këtë barrë?