Të thashë, mos e fik dritën

Foto: Shutterstock



Më kot po e fik dritën sa të zhvishesh, Zemra ime,
më kot fshihesh nën çarçafin e kaltër këtë natë,
ke harruar njërin krah jashtë
dhe ai Dritë e ka bërë dhomën,
si shandani i një katedraleje për ditën e Pashkës së madhe
e unë nuk di ku të pengohem…

Më kot. Edhe po ta mbulosh krahun,
rrugën gjer tek krevati e gjej symbyllur,
nga që je lakuriq, siç të bëri nëna për mua,
harrove që dy gjinjtë i ke jashtë
si pjepra të pjekur me hënë në fushë
dhe unë i gjej verbtazi me hundë si një iriq nate?

Ah, unë di si të vij
nëpër deltën e lumenjve të kofshëve të tua,
do ndjek oshëtimën,
aty ku trupi yt ndahet më dysh nga fryrja e shirave,
aty ku dua të jem veç një varkë.
pa vela, pa busull, pa rrema,
vetëm me lopatat e duarve të bëj përpara…

Mos lëviz! (Kam frikë mos shkërmoqesh nga pjekja,)
më mjafton vetëm një gisht vend,
aq sa do tani xhindi brenda shishes tënde
me verë të gazuar,
tani që vet ia heq tapën me një pëlcitje
si kërcitja e e gjuhës së tharë
pas qiellzës së kuqe.

Prit ta heqim edhe mbulesën e fundme pa zhurmë,
butë si lëkurën e një bananeje,
prit të ta ul pak më poshtë jastëkun,
prit të ta ngre pak më lart zemrën,
ta akordoj me timen që po përpëlitet
si një mëllenjë e therur.

Më ler tani ta pi dollinë e parë me fund
në kupën tënde rozë të gojës,
të dytën në kupë te kërthizës,
të tretën…
ah, ah, tani i harrova fare numrat
dhe nuk ka matematikë të m’i kujtojë.

Lermë tani të marr një valle kaçakçe,
ta kërcej mbi thithkën purpuroshe të gjirit,
siç bën një brumbull prilli mbi majën e gjembit,
lermë të kullos demat e mi të kuq
në luginën tënde të barkut
me formën magjike të violinçelit.

Dëgjon?! Filloi muzika!
Rënko tani në Oh-maxhor e në Ah-minor,
i kam të pafundme në kokë partiturat,
besomë, gënjejnë, nuk janë shtatë notat,
nuk qenë në shtrat kur i shpikën,
harruan që është gruaja vegla e parë muzikore e botës.

Ka ndaluar koha,
çdo sekondë jona tani nuk regjistrohet tek mosha,
është në llogari të përjetësisë,
dhe nuk po plakemi,
po nxjerrim qeliza te reja si bebet ne gjirin e nënës.

Po të dridhen kupat e gjunjëve?! Mos u tremb!
është vallja e palcës që shkrin nga kënaqësia,
eja, pra, të mësojmë tërmetet,
të përplasim pllakat tona tektonike,
t’i bëjmë thërrime xhamat qorra të moralit,
dymijë vjet pa fshirë
nga avujt e pellgjeve dogmatike.

Zgjate shpirtin sa të bëjmë tre njësha bashkë,
minutë pas minuti,
nuk kemi punë me romanet e Paulo Coelho-s,
jemi ballakanas të lindur në vreshtin e Dionisit,
kur bëjmë dashuri, nxjerrim tym nga brinjët.

Bëhu shkretëtirë, se bëhem vetë Nili,
të mbush vetë me gurgullima ujrash,
me kroje mbretërore nga Mali i shenjtë i Tomorrit,
lufto si Kleopatra për tokën tënde.
edhe unë jam Çezari
që rroj për çdo milimetër pushtimi.

Të thashë, shpirt, të thashë
po nuk më dëgjove,
të mos e fikje dritën…