Të rrethuarit e Kosovës

Nga arkivi i gazetave gjermane: «Berliner Zeitung» mbi banorët e Rugovës të rrethuar nga policia serbe në shtator 1998 dhe politikanin e LDK-së, Smajl Hajdaraj, të cilin e respektojnë të gjithë.

28 nëntor 1998: Njësi të UÇK-së në Rugovë nën komandën e Smajl Hajdarajt.



Gryka e Rugovës gjendet në pjesën më perëndimore të Kosovës. Nëpër grykën e ngushtë, shkëmbore kalon një rrugë jo aq e mirë në drejtim perëndimor nga Maja e Çakorit, në kufi me Malin e Zi. Përmbi grykë përshkojnë kodra të thepisura në lartësi deri në 2400 metra. Në anën veriore, aty ku dielli ka gjasa të ndrit më shumë, gjenden 17 fshatra. Gryka është e rrethuar qe më shumë se tre muaj. Pas Pejës, në hyrje të grykës dhe para qafës së malit gjenden njësitë e policisë speciale serbe. Kush dëshiron t’i shmanget policisë, duhet t’ia mbathë mbi vargmale. Forcat serbe nga Peja kanë depërtuar 12 kilometra në grykë. Atje gjendet fshati Shtupeq i Madh. Më 24 gusht në orën 08:15 ai u sulmua me mitraloza. Zyrtarisht u tha se kjo ishte bërë në kërkim të armëve. Të gjithë banorët ikën, me përjashtim të nja 15 vetave, të cilët nuk ia dolën. Mes tyre Lendita 25-vjeçare me djalin e saj 3-vjeçar Erandin dhe Erzën 13-muajshe, vëllai i saj Xhevati dhe Sevdia, po ashtu 25-vjeçare, me vajzën e saj 2-vjeçare Besa. Refugjatët në Pejë raportuan se ata po mbahen tani në fshat si robër nga policia.

Një rrugë që shkon shumë përpjetë të çon nga rruga e grykës në fshat. Por para shtëpisë së parë policë të armatosur rëndë bllokojnë rrugën. A duan të pengojnë që dikush të niset në kërkim të personave të ndaluar? «Nuk mund të shkoni më tutje, për shkak të terroristëve», thotë një polic në anglishte të përsosur dhe fjalën e ka me sa duket për shqiptarët. Në fund ai lëshon pe. «O.K., por në përgjegjësinë tuaj». Pas pak fillon një përleshje me armë. Të shtëna sporadike, pastaj rafalë pushkësh, shumë afër. Ndoshta 100 metra më tutje. Është hera e parë që po hapet zjarr prej se është futur fshati nën kontroll, mendon njeriu, i cili dha pëlqimin për të shkuar më tutje. «Po përdorin plumba dum-dum», thotë ai. Por as ai, as ndonjë polic tjetër nuk fshihen. Sinjali është i qartë. Në kilometrin e ’17 një rrugë të largon nga rruga e grykës. Pak pas ndarjes së rrugëve shfaqet një burrë me kallashnikov. Ai bart rroba civile dhe thotë se i përket rojës së fshatit dhe se do të na shoqërojë drejt fshatit Drelaj. Në hyrje të fshatit, në verandën e një kasolleje të thjeshtë prej druri, një ushtar me uniformë lufte kërkon pasaportat. Në krah ai bart shqiponjën e zezë mbi sfond të kuq, kjo është emblema e UÇK-së, trupës guerile të shqiptarëve të Kosovës. Emrat dhe datat shënohen me kujdes në një libër. Ndërkohë përreth tavolinës së madhe të drurit janë tubuar disa burra të armatosur. Dy me rrobe civile dhe me pushkë gjuetie, një me uniformë të kaltër me radiolidhje, bajonetë dhe revole të lidhura para gjoksit, një me dy gjerdanë mbi supe që mbajnë fishekët mbi uniformën luftarake. Dy burra të tjerë, po ashtu në uniformë, mbajnë kallashnikovët mes gjunjëve. Njëri nga burrat, i cili bart një palë dylbi rreth qafe, thotë me një gjermanishte deri-diku të kuptueshme se dje i kishte parë dy prej robërve të luftës të fshatit Shtupeq i Madh. «Policia atje ka plaçkitur gjithçka dhe ka vrarë kafshët», tregon ai. Që janë sulmuar shtatë fshatra, siç ka shkruar një gazetë në Prishtinë, është propagandë e serbëve, thotë ai. «Duan të ngjallin frikë në mënyrë që njerëzit të ikin». Prej 17 mijë banorëve të grykës më së shumti edhe 7 mijë janë këtu, sot, sipas tij, sërish disa qindra kanë ikur nëpër male tutje në kodra, sepse në orën 5 në mbrëmje skadon ultimatumi. «Nëse nuk i dorëzojmë armët deri në orën 17», thotë burri me uniformë të kaltër, «ata do t’i sulmojnë fshatrat». Kështu së paku u ka thënë atyre një lajmëtar shqiptar i policisë serbe. Të gjithë këta burra janë nga gryka. Këtë e dëshmojnë letërnjoftimet e tyre. Ata thotë se vetëm duan t’i mbrojnë fshatrat e tyre, por në të vërtetë nuk i përkasin UÇK-së. Sidoqoftë, ata thonë se nuk janë luftëtarë të gueriles. Që disa prej tyre bartin simbolet e saj, ata e shpjegojnë me simpatinë që kanë për kryengritësit dhe me respektin që fshatarët kanë për tri shkronjat. «Ne e përkrahim presidentin tonë», thotë ai burri me gjerdan me fishekë. Ai e ka fjalën për Ibrahim Rugovën, shefin e zgjedhur të shqiptarëve të Kosovës, babai i të cilit ka lindur këtu, në Grykën e Rugovës, «dhe ne përkrahim strategjinë paqësore, nuk do të provokojmë askënd, por në rast nevoje do të mbrohemi». Të tjerët pohojnë me kokë. Kanë mbetur edhe katër orë deri në skadimin e ultimatumit. «Këtu do t’i presim», thotë me këmbëngulje burri me uniformë të kaltër dhe vë duart mbi bajonetë dhe revole. «A keni fare shans me kallashnikovët tuaj kundër armëve të rënda të serbëve?» Përgjigjja është e shkurtë: «Nuk kemi rrugë tjetër». Si të gjitha vendbanimet e tjera afër rrugës së grykës edhe ky fshat është i pabanuar – me përjashtim të burrave të armatosur, tri gra që përgatisin ushqimin dhe Smajl Hajdaraj. Ai është shef i LDK-së, partisë së presidentit Rugova, dhe përgjegjës për të gjitha fshatrat në grykë – dhe është i vetmi që është i gatshëm të tregojë emrin e vërtetë. Ai nuk bart armë, por me gjasë prej të gjithëve respektohet si shef.

Ky politikan, ish-inxhinier i elektroteknikës, i cili si të gjithë shqiptarët më 1990 u përjashtua nga sektori publik, tregon për dramën që po zhvillohet në grykë, për mijëra refugjatë, të cilët njëherë shpëtuan duke ikur nga kodrat poshtë në luginë dhe pastaj sërish nga atje u kthyen në kodra nga presioni që ushtrohej ndaj atyre që mbetën. Që njerëzit e tij duan të ruajnë anonimitetin është e kuptueshme. Ndërkohë po zhvillohen qindra procedura hetimore kundër anëtarëve të vërtetë apo të supozuar të UÇK-së. Rreziku pa dyshim është i madh. Askush nuk e di se kur do të marshojnë sërish serbët me tanket e tyre në këtë grykë. Duket se kjo është vetëm çështje kohe. Shumë refugjatë kanë gjetur strehë në kasolle alpine në 1800 metra lartësi mbidetare. Që në fillim të ofensivës së madhe nga mesi i korrikut, kur njësitë e policisë speciale serbe spastruan territoret e UÇK-së, shkatërruan qytete dhe dogjën fshatra, qindra njerëz kanë ardhur këtu. «Atje poshtë në qafë të malit askush nuk mund të na mbronte», thotë një grua 70-vjeçare, nëna 90-vjeçare e së cilës është e paralizuar, qëndron e shtrirë mbi një dyshek dhe e mbështjellë me disa batanije, duke shikuar e hutuar dhe pa thënë asnjë fjalë. Dhjetëra gra e fëmijë janë mbledhur në dhomën e madhe. Mysafirët shërbehen me kos, speca dhe byrek. Në qoshe qëndron një burrë me shallin e bardhë tradicional, siç e bartin bujqit e moshuar të Grykës së Rugovës. Ai prodhohet nga materiali i njëjtë me të cilin mbështillet i vdekuri. «Njerëzit kështu tregojnë se vdekja i shoqëron përherë», tregon një i ri me plot respekt. Pastaj ai merr lahutën dhe luan një melodi. Ajo është pafundësisht e dhimbshme. Gjatë verës, në paqe, kjo botë e maleve me gjasë është parajsa vetë. Por atje poshtë në luginë kërcënon lufta dhe këtu lart ka rënë acari i vjeshtës. Nuk ka asnjë mjekë, as ilaçe. Shumë fëmijë vuajnë nga diarreja. Këtu s’kanë ardhur as Kryqi i Kuq, as UNHCR, as «Mjekët pa Kufij» apo ndonjë organizatë tjetër humanitare. Mungon gjithçka. Por së paku këtu njerëzit ndihen deri-diku të sigurt. Duke marshuar disa orë në këmbë mund të arrihet në Rozhajë, një qytet në Mal të Zi, ku ndërkohë gjenden mijëra refugjatë. Nga atje sillen artikuj ushqimorë. Kufiri në të vërtetë ruhet, por nëpër kodra, ndryshe nga lugina, përherë gjendet një terren i sigurt. Në rast rreziku edhe këta si shumë të tjerë do të largohen nga lugina. Tani të gjithë shpresojnë se do të kthehen në fshatrat e tyre para se të vijë dimri.

Poshtë në qafë të malit, në Shtupeq të Madh, ende qëndrojnë policët specialë me jelekët e tyre antiplumb. Ultimatumi ka skaduar. Asgjë nuk ka ndodhur. Ndoshta sulmi vetëm është shtyrë për shkak se ndërkohë mund t’i ketë prishur planet një fuqi më e madhe: bie shi pandërprerë. Ndoshta kërcënimi me ultimatum ishte një mjet tjetër për t’i frikësuar banorët e Grykës së Rugovës. Në hyrje të fshatit po i njëjti polic në anglishte të përsosur thotë se është e rrezikshme të shkojmë më tutje dhe na lejon të kalojmë «në përgjegjësinë tuaj». Në atë çast kur i afrohemi shtëpive sërish, fare afër, fillojnë të shtëna me armë. Dhe sërish asnjë polic serb nuk fshihet. Ditën tjetër një familjar i «robërve» të Shtupeqit të Madh tregon se personat e ndaluar janë liruar mbrëmë.

(Thomas Schmid, 03.09.1998, Berliner Zeitung. Përktheu: E.R.)

PS. Smajl Hajdaraj u vra më 17 janar 2002 në Pejë. Ai ishte deputet i Kuvendit të Kosovës. Vrasësit e tij nuk janë arrestuar ende.