Të rraskapiturit dhe këmbëngulësit: Protestuesit e Zharrëzës

Këto janë portretet e kapura nga objektivi i BIRN të protestuesve të Zharrëzës, të cilët kanë kaluar nëpër kalvarin e gjatë të grevës së urisë, marshimit 126-kilometërsh dhe protestës nën qiell të hapur para Ministrisë së Energjetikës.

Qani Rrethi një nga grevistët dhe marshuesit nga fshati Zharrëz në Fier drejt Tiranës. 26 shkurt 2017. Foto: Ivana Dervishi/BIRN



Pas tre javësh grevë urie, një marshimi 126 kilometra nga Fieri në Tiranë dhe një nate të kaluar me batanije jashtë Ministrisë së Energjetikës, banorët e Zharrëzës shprehën të vendosur të mos tërhiqen nga protesta derisa kërkesat e tyre për dëmshpërblim të plotë të shtëpive dhe pezullim të ndërhyrjes së Bankers Petroleum në puset e ujit të plotësohen.

Protestuesit i thanë BIRN të dielën se do të vazhdojnë të presin jashtë dyerve të ministrisë derisa të merret një vendim për fatin e tyre, ndërsa shtuan se kërkesat ia bënë të qarta zëvendës kryeministrit Niko Peleshi në takimin e të shtunës.

«Në shtëpinë tonë lëkundjet janë aq të mëdha sikur të gjendesh në një traget që lundron në det 8 ballë», tha për BIRN Plarent Mamo. «Nuk do të doja kurrsesi që im bir të rritej në një pasiguri të tillë», shtoi ai.

Që nga viti 2008, banorët e fshatit Zharrës jetojnë me frikën e tërmeteve të shumta, të cilat kanë shkaktuar dëmtime të rënda të shtëpive të tyre modeste në mënyrë të vazhdueshme. Banorët ia drejtojnë gishtin kompanisë Bankers Petroleum, e cila shfrytëzon basenin naftëmbajtës poshtë shtëpive të tyre, si dhe metodën e injektimit të ujit tektonik, që përdoret për të lehtësuar nxjerrjen e naftës mbi tokë, si shkaktare të tërmeteve, shkatërrimit të banesave të tyre dhe ndotjes së mjedisit.

Më 20 dhjetor të vitit 2016, qeveria urdhëroi Kompaninë të ndërpresë injektimin e ujit teknologjik në puset e lokalizuara rreth fshatit Zharrëz. Nga data e ndërprerjes së injektimit, sipas qeverisë nuk ka pasur lëkundje të tjera në zonë, ndërkohë që grupi i punës i qeverisë ka përfunduar raportin mbi dëmet e shkaktuara nga tërmeti.

Sipas raportit, që BIRN disponon, 508 shtëpi kanë pësuar dëmtime të shumta ndërsa 44 banesa janë bërë të pabanueshme.

Kompania Bankers përjashton çdo mundësi të shkaktimit të aktivitetit sizmik si pasojë e shfrytëzimit të vendburimeve të naftës.

Këto janë portretet e kapura nga objektivi i BIRN të protestuesve gjatë kalvarit të tyre për drejtësi.

Lim Hoxha
Alket Asllani
Plarent Mamo
Elton Gjermeni
Endri Dine
Stilian Sinjari

 

 

 

 

 

 

 

 

 

(https://www.reporter.al/te-rraskapiturit-dhe-kembengulesit-protestuesit-e-zharrezes-foto/)