Te Rrapët në Veleshtë…

Veleshtarët e Zvicrës takohen bashkë dy herë në vit: në qershor dhe më 28 Nëntor. Para disa ditësh, ata u çmallën me njëri-tjetrin në turnirin e tyre tradicional. Mysafir special ishte kryetari i Komunës së Strugës.




Karvani i veturave zgjatet deri në horizontin e fushës së gjerë. Të bëhet sikur ai fillon në Veleshtë, e mbaron para kompleksit sportiv të Wattswilit. Aty ku veleshtarët sivjet e kishin takimin e tyre tradicional. Secila më luksoze se tjetra, BMW pas VW-je, Porsche pas BMW-je… Përbri tyre vizitorë që nguten t’i bashkëngjiten turmës së bashkëfshatarëve të tyre në fushën sportive dhe në hapësirën e saj gjithandej.

Sharmi i një takimi

Ata takohen me njëri-tjetrin. Burra e gra, të rinj e të moshuar. Më shumë të rinj se të moshuar. Shumë më shumë! Vapa e diellit të tetë qershorit i jep më tepër ngrohtësi miqësisë së tyre. Tri stenda i shërbejnë vizitorët me pije freskuese dhe me ushqime tradicionale. Taverna e një restoranti, ku ka hije, rri e mbushur. Në dy fusha të futbollit zhvillohen ndeshje njëra pas tjetrës. Ato koordinohen nga një kabinë nëpërmjet një mikrofoni dhe përforcuesi të instaluar përbri saj.

«Rufi Osmani – me emër dhe mbiemër», prezantohet përgjegjësi i teknikës në kabinën e koordinimit. «Ai i Strugës», shton pas një pauze burri që i jep zë turnirit, për të konfirmuar se është një koincidencë, e jo shaka. «28 ekipe janë në konkurrencë», raporton Osmani. Armend Kaba, kryetar i shoqatës «Dy Rrapët» dhe koordinator i turnirit, tregon më shumë detaje: Gjithsej janë 32 ekipe, dy të seniorëve dhe dy të të rinjve. Këto katër janë jashtë konkurrence. «Dy ekipe kanë ardhur nga Vjena, kurse dy nga Veleshta», rrëfen ai. «Vizitorët vijnë nga e gjithë Zvicra», vazhdon Kaba. Bartës i turnirit të veleshtarëve është shoqata «Dy Rrapët», në bashkëpunim me shoqëritë kulturo-artistike «Rinia», «Shqiponja» dhe «Shpresa e dy Rrapëve» dhe vullnetin e kryetarëve të tyre Madrit Lufi, Nasi Vlashi dhe Luan Sheji.

Rufi Osmani dhe koordinatorët e turnirit
Rufi Osmani dhe koordinatorët e turnirit

Mysafiri special

Aty nga dreka, në hyrje të kompleksit të turnirit u shfaq Ziadin Sela. I vërteti. Kryetari i Komunës së Strugës, personalisht. Është tok me Kryetarin e Bashkësisë Lokale të Veleshtës, Baki Kupa dhe stafin e tyre. Ai ecën nëpërmes pjesëmarrësve të manifestimit, duke i përshëndetur ata djathtas e majtas. Një fotografi me një ekip futbolli, një tjetër me një mik, një të tretë me një adhurues… Sela qëndron në tryezat e improvizuara nën çadra nga një gjysmë ore, nga njëra te tjetra. Nikoqirët e gostitin me pije dhe bukë mysafirin e tyre special.

«Është kënaqësi kur takon në një vend të largët njerëz të gjakut dhe të të njëjtit vend. Njëkohësisht, është një shqetësim i madh kur i sheh gjithë këta njerëz, të cilët i kanë lëshuar trojet e veta për një të ardhme më të mirë», janë përshtypjet e Selës nga takimi me mërgimtarët veleshtarë në Zvicër. «Është hera e tretë që i ndaj këto emocione», shprehet ai. «Kam pasur kënaqësinë që 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë ta festoj në Zvicër. Atëherë kam qenë deputet. Vizita e dytë ka qenë pasi i fitova zgjedhjet lokale në Strugë, për t’iu falënderuar mërgatës, e cila ishte vendimtare për këtë fitore».

Sela nuk ka shifra të sakta mbi emigracionin strugan. «Vetëm në Cyrih janë mbi dy mijë veleshtarë. Gati gjysma e fshatit ndodhet këtu», pohon ai, dhe vazhdon: «Unë e shfrytëzoj rastin të bëj një apel që shoqatat, përveç manifestimeve të tipit turnir, koncerte e përvjetorë të ndryshëm, të bëjnë edhe regjistrimin e popullatës së diasporës».

Prefekti u është mirënjohës mërgimtarëve për kontributin e tyre në mirëqenien e struganëve, në përgjithësi: «Shumat që ata lënë këtu janë më të mëdha se të një turisti nga ndonjë vend tjetër. Për më tepër, secili nga mërgimtarët tanë e ndërton një shpi në Strugë, e nga kjo komuna realizon të ardhura. Në periudhat kur mërgimtarët janë këtu, funksionojnë shumë mirë edhe bizneset, verës, sikur edhe dimrit. Paratë që u dërgojnë familjarëve të tyre e zbutin ndjeshëm gjendjen sociale të shumë familjeve.»

Ziadin Sela e nderon manifestimin dhe pjesëmarrësit
Ziadin Sela e nderon manifestimin dhe pjesëmarrësit

Finalja

Kryetari ua lë lamtumirën veleshtarëve për ta nderuar një komunitet tjetër strugan në një takim të tyrin, atë të Ladorishtës. Nga gegët e Strugës te toskët e këtij qyteti. Por, për t’u kthyer edhe një herë në finale.

Ndërkohë në kompleksin sportiv të Wattswilit vazhdojnë ndeshjet e futbollit dhe festa e veleshtarëve. Deri në orën 22:30. «Rreth 2’000 veleshtarë e kanë vizituar turnirin», pohon Armend Kaba. «Njëmijë e kusur kanë qëndruar gjithë kohën në kompleks», thekson ai.

Dikur në fushë bie temperatura, por rriten emocionet. Rrethi i ekipeve në fushë vjen duke u zvogëluar. Fitues i turnirit doli klubi «Veleshta» nga Cyrihu. Në vendin e dytë ekipi «SV Alabania» nga Vjena, kurse të tretin e merr «Sofra Veleshtare», gjithashtu nga Cyrihu. Kampionët shpërblehen me 800 franga zvicerane; vendi i dytë dhe i tretë me nga 500, përkatësisht 300 franga. U zgjodh edhe lojtari më i mirë, Fartan Hani. Ai shpërblehet me një kupë nga hotel Exkluziv në Veleshtë, një mirënjohje nga Bashkësia Lokale e këtij fshati dhe me 200 franga zvicerane nga organizatorët e turnirit.

Gjysma e veleshtarëve jetojnë në Cyrih

Ky manifestim i veleshtarëve është tradicional. «Ai mbahet çdo vit, nga qershori i vitit 1990», tregon Armend Kaba. Takimi tradicional i radhës është 28 Nëntori. Në fakt tri klubet e mërgimtarëve nga ky fshat – «Veleshta», «Sofra» dhe «Shqiponja» – organizojnë edhe një turnir të mbyllur në janar.

«Bilanci i këtij takimi ishte gjithsesi pozitiv», pohon Kaba. Veleshtarët u çmallën me njëri-tjetrin, disa u njohën për herë të parë. Janë zhvilluar dhjetëra ndeshje, janë konsumuar qindra litra pije, janë shprehur mijëra përshëndetje, janë shkëmbyer shumë shikime… Nuk dihet sa dashuri kanë lindur. Ato do të merren vesh verës, kur karvani i veturave të veleshtarëve të kalojë nga sheshi i fshatit, te «Dy Rrapët». Ata kanë 500 vjet aty, rrudhat e tyre e shënojnë çdo histori.