Të rinjtë zviceranë anojnë djathtas

19-vjeçarët në Zvicër po interesohen më shumë për politikën, nga ç'ndodhte më parë. Ky është rezultati i një hulumtimi të gjërë të opinionit.

Foto: pixelrain / Shutterstock

Mbi 30 për qind e të rinjve të rritur zviceranë identifikohen me të djathtën politike. Kështu del nga anketimi i të rinjve «ch-x». Ndërkohë që në një hulumtim të mëhershëm ishin 8 për qind më pak. Njëkohësisht është rritur edhe ksenofobia dhe homofobia, e transmeton «20 Minuten» raportin e «Young Adult Survey Switzerland», që i referohet anketimit të të rinjve. Shifrat më të fundit u referohen viteve 2010/11, kurse të dhënat e mëparshme për këtë vinin nga 2006-ta. Një rritje të lehtë në këtë hark kohor ka përjetuar edhe qendra politike. Ndërkohë ka rënë ndjeshëm numri i të rinjve që pozicionohen majtas, nga 41 në 28 për qind.

Raporti ka konstatuar një trend të polarizimit politik dhe njëkohësisht është shtuar interesimi për politikë. Numri i të rinjve të rritur që interesohej për politikë ndërmjet 2003 dhe 2011 është rritur për 20 për qind. Dhe participimi politik tregon që shkon në varshmëri me nivelin e shkollimit: sa më i lartë formi, aq më e madhe pjesëmarrja politike. Studimi i «Young Adult Survey Switzerland» jep informacion edhe lidhur me vlerat nga të cilat orientohen të ashtuquajturit të rinj të rritur. Për ta prioritare janë rrethi shoqëror, partneriteti, shijimi dhe jeta familjare. Në fund vijnë traditat, pushteti, angazhimi politik, Zoti dhe konformizmi.

Për arsye statistikore, situata psiqike është hulumtuar vetëm te të rinjtë e gjinisë mashkullore. Dhe, autorët e studimit në raportin e tyre flasin për rezultate të kontestueshme: Një nga tetë të intervistuarit në dy javët e kaluara ka pasur mendime suicidale, për vetëvrasje. Një prej dymbëdhjetëve ka deklaruar se ka shpesh ose gjithmonë ndjenja negative. Studimi gjithashtu ka nxjerrë që burrat e rinj pa thyerje në shkollimin e tyre dhe me formim ambicioz janë më pak të prirur për ndjenja negative. Në total, të rinjtë zviceranë janë të kënaqur me jetën e tyre: 90 për qind shprehen se po kalojnë një jetë të lumtur.

Dhe, këto janë vetëm rezultatet e para të këtij studimi të «Young Adult Survey Switzerland». E reja e këtij studimi është që këtyre 19-vjeçarëve iu shtrohen të njëjtat pyetje. Sipas studiuesve, me këtë shihen më mirë trendet dhe ndryshimet. Anketimi në vijim u zhvillua më 2014/15 dhe rezultatet janë duke u përpunuar. Mledhja e të dhënave bëhet me rastin e thirrjes në qendrat e rekrutimit. Në mënyrë plotësuese, intervistohen edhe 3’000 19-vjeçarë të përzgjedhur në mënyrë rastësore. Me këtë mundësohet nxjerrja e përfundimeve lidhur me dallimet ndërmjet gjinive. Rezultatet aktuale tregojnë që të rejat e gjinisë femrore me formim më të ulët e kanë veçanërisht të vështirë ta gjejnë dhe të kryejnë një shkollim profesional. ks