Të rinjtë shqiptarë provojnë suksesin dhe paratë në Emirate

Shtetet e Gjirit janë kthyer në një destinacion ëndrre për shumë të rinj shqiptarë, karriera e të cilëve kishte pak gjasa të lulëzonte në atdhe.

Dubai. Foto: visualpower / Shutterstock



Artion Marra vendosi të emigrojë në Emiratet e Bashkuara Arabe, në kërkim të një jete më të mirë tre vite më parë.

26-vjeçari shqiptar trokiti në dyert e disa agjencive rekrutuese në Shqipëri që gjejnë vende pune në Emirate.

Që atëherë ai ka fituar një licencë rekrutimi dhe pritet të hapë agjencinë e tij të punësimit. Ndërkohë ai gjithashtu punon në Dubai si menaxher i spitalit amerikan.

«Kam kaq shumë projekte dhe mundësi tani dhe ato do të më mbajnë në Emirate për një kohë të gjatë. Eksperienca ime këtu ka qenë një bekim», tha Marra për BIRN.

Përpara vitit 2009, pak shqiptarë punonin në vendet arabe, por sot mijëra syresh punojnë atje, duke e parë si destinacionin kryesor për të rinjtë që kërkojnë mundësi të reja profesionale dhe financiare.

Marra u largua nga Shqipëria me një diplomë në financë, por pa eksperiencë pune dhe i tha BIRN se fillesat e tij në botën arabe nuk kanë qenë të lehta.

«Në nëntor 2013, u nisa për në Bahrain pasi nëj agjenci rekrutimi më premtoi punë si kamerier në të famshmin Hotel Ritz-Carlton. Por në vend të kësaj mora një punë në një hotel më modest me një rrogë vetëm 350 euro në muaj», kujton ai.

Pas tre muajve, ai u kthye në Shqipëri i zhgënjyer por gjithashtu me ide më të qarta.

«Eksperienca që kalova ishte shumë e keqe, por mësova një gjë të çmuar: vendet arabe janë një minierë ari për njerëzit si unë që kishin vështirësi në gjetjen e një vendi pune në Shqipëri», tha ai.

Ai menjëherë kontaktoi një tjetër agjenci rekrutimi në Tiranë, këtë herë duke marrë një kontakt më të saktë.

Në mars 2014, ai u nis për në Abu Dabi për të filluar punë si recepsionist në një spital.

«Këtë herë gjithçka shkoi sipas planit. Punova për disa muaj si recepsionist në spital dhe më pas u ngrita në detyrë si menaxher».

Në dhjetor 2016, ai gjeti një tjetër punë në Dubai, këtë herë si menaxher i përgjithshëm i një spitali të vogël, me dyfishin e rrogës që merrte në Abu Dabi.

Trendi filloi në 2009

Ermal Jauri, drejtor i një agjencie rekrutimi dhe Përfaqësues i Emiratave të Bashkuara Arabe në Dhomën e Tregtisë në Tiranë tha për BIRN se vendet arabe filluan të kërkojnë punonjës në Shqipëri në 2009 dhe pastaj mijëra të rinj e kanë ndjekur këtë mundësi.

Jauri tha se kontratat e para erdhën si rezultat i përpjekjeve personale të agjencisë së tij dhe kanë vazhduar si rezultat i performancës së mirë të shqiptarëve, edhe pse shteti shqiptar nuk ka nënshkruar ende asnjë marrëveshje me ndonjë nga vendet e Gjirit kur vjen puna për punësimin.

«Ishim skeptikë në fillim sepse nuk e dinim nëse të rinjtë shqiptarë do t’i përshtateshin luksit të mjedisit të punës në Emirate. Por rezultoi se punëkërkuesit shqiptarë ishin shumë të përshtatshëm dhe kërkesat për këta punëtorë u rritën», tha ai.

Ai tha se vendet e Gjirit janë bërë një zgjedhje e preferuar, jo vetëm për shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, por edhe për ata nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Agjencia e tij së fundmi ka hapur degë në të gjitha këto vende.

«Të rinjtë shqiptarë përgjithësisht marrin një diplomë universiteti pa pasur ndonjë ekspertizë të caktuar në fushën ku diplomohen apo pa pasur mundësi intershipi», tha ai.

«Në vendet arabe, korporatat e mëdha i punësojnë ata fillimisht në pozicione të thjeshta por më vonë kur identifikojnë aftësitë e tyre speciale dhe i trajnojnë, i japin atyre mundësi të përparojnë në kompani», shpjegoi Jauri.

Ai thotë se është një mënyrë e ndryshme rekrutimi dhe ngritje në detyrë krahasuar me shumicën e vendeve europiane.

«Ne marrim oferta pune nga vendet europiane por është e vështirë t’i përmbushim ato nga tregu ynë, ngaqë ata duan njerëz shumë të specializuar, në një kohë kur sistemi ynë i arsimit është kryesisht i përgjithshëm dhe kur tregu ynë i punë është i vogël dhe ofron pak mundësi për specializim të thellë», shpjegoi ai.

Arton Marra tha se si rezultat i politikave të BE-së, vendet e punës në Europë janë thuajse të mbyllura hermetikisht për shqiptarët dhe janë të vështira për t’u aksesuar.

«Ka shumë diskriminim ndaj shqiptarëve në tregun europian të punës, ndërsa në vendet si Emiratet askush nuk do t’ia dijë nga ke ardhur; atyre u interesojnë vetëm aftësitë e tua», tha ai.

Numri i saktë i shqiptarëve që kanë shkuar për punë në vendet arabe gjatë viteve të fundit nuk dihet, por duke folur për agjencinë e tij Jauri thotë se gjatë 2016 janë nënshkruar 280 kontrata pune nga Shqipëria dhe 78 nga Kosova për në Emiratet e Bashkuara Arabe. «Nga 2009 deri tani kemi dërguar rreth 1200 shqiptarë për të punuar në Emirate dhe trendi po rritet», tha ai.

Prindërti kanë dyshime dhe janë të shqetësuar

Kur 22-vjeçarja Besa Tejeci nga Prizreni i tha prindërve të saj se donte të punonte si shitëse në Dubai, ata u befasuan pamasë.

«I kapa papërgatitur, ata nuk besonin se do ta bëja, pjesërisht sepse nuk isha larguar kurrë nga Kosova për të udhëtuar jashtë vendit. Megjithatë, pasi e diskutuam, ata e miratuan largimin tim për në Dubai», tha ajo për BIRN.

Tejeci është një nga shumë kosovarët që u larguan për në Emirate në 2016 përmes një agjencie rekrutimi në Tiranë.

Ajo thotë se ka qenë vendimi më i mirë që ka marrë në jetë.

«Mbërrita këtu më 25 dhjetor dhe punoj si shitëse parfumesh në Qendrën Tregtare Marina në Dubai. Ndaj një apartament me dy vajza të tjera shqiptare dhe jam shumë e kënaqur për momentin», tha ajo.

Ndërsa ajo nuk kishte mundësi për një diplomë universiteti, ajo i tha BIRN se po punonte për të ruajtur para për të marrë një diplomë dhe për të përmbushur synimin e saj në jetë të pasjes së një biznesi të vetin.

Marra gjithashtu u përball me paragjykim kur u tha në fillim prindërve se donte të shkonte në Emirate për arsye profesionale.

«Ata hezituan dhe ishin konfuzë. Mendonin se qëndrimi im këtu mund të ishte u rrezikshëm sepse kishin dëgjuar se vendet arabe janë shumë konservatore», kujton ai.

Por kur vjen puna te eksperienca e tij e përditshme, Arioni hasi me një realitet tjetër.

«Gjatë qëndrimit tim në Bahrain, Abu Dabi dhe Dubai kam qenë i lirë të ndjek çfarëdo stili jetese kam dashur», tha ai.

«Kam miqësi me vendasit dhe me shqiptarë, europianë e amerikanë që jetojnë këtu dhe jeta jonë është e njëjtë me atë të të rinjve kudo tjetër», tha ai.

«Ne festojmë, bëjmë ekskursione dhe kalojmë kohë në parqe dhe shtëpitë e njëri-tjetrit. Nuk e di nëse do të kaloja më mirë në Shqipëri», përfundoi ai.