Të rinjtë e Ballkanit kërkojnë reforma për punësim

Me normën e papunësisë së të rinjve në 50 për qind në disa vende të Ballkanit, delegatët e rinj i bënë thirrje BE-së të veprojë për të krijuar vende pune, ndërsa morën pjesë në një konferencë rajonale.

Foto ilustruese: Shuterstock.



Të rinjtë nga Ballkani Perëndimor e shohin nivelin e lartë të papunësisë si një nga sfidat më të rëndësishme me të cilat përballet rajoni.

Të mbledhur në Durrës të premten për një konferencë rajonale të organizuar nga grupimi i Parlamentit Europian – Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve, ata kërkuan më shumë mbështetje nga BE-ja për krijimin e vendeve të punës brenda vendeve të Ballkanit dhe intensifikim të presionit mbi vendasit për ta bërë këtë.

Natasha Celevska, një përfaqësuese e Sesionit Rinor të Unionit Social Demokratik të Maqedonisë tha se mungesa e punës po i detyron maqedonasit e rinj të largohen drejt vendeve me ekonomi më të forta si Gjermania.

«Normat e larta të papunësisë janë një problem real dhe të rinjtë kanë filluar të shohin për punë gjetkë», tha ajo.

Sipas statistikave të vitit 2016 nga Organizata Ndërkombëtare e Punës, norma e papunësisë së të rinjve arriti 50 për qind në disa vende të Ballkanit.

Bosnje-Hercegovina ka normën më të lartë të papunësisë së të rinjve me 57.5 për qind, pasuar nga Maqedonia me 50.8 për qind dhe Serbia me 49.5 për qind. Norma e papunësisë së të rinjve në Shqipëri është 29.2 për qind, por ende e lartë kur krahasohet me vende si Gjermania, ku shtatë për qind e të rinjve janë pa punë.

Amer Osmiq nga Fakulteti i Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës i tha konferencës se sistemi arsimor në Ballkanin Perëndimor ka nevojë për reformim të thellë për të përgatitur të rinjtë për tregun e punës.

Ai tha se një sistem i dyfishtë arsimor që do të lejonte trajnime është i nevojshëm.

«Ne duhet pa humbur kohë të zbatojmë sistemin arsimor të dyfishtë që është shumë i përhapur në vendet europiane me një normë të ulët papunësie dhe që përqendrohet më shumë në praktikë dhe më pak teori», tha ai.

Kejdi Mehmetaj, zv.kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim tha gjithashtu në takim se reformimi i sistemit arsimor është kyç për zgjidhjen e papunësisë në Shqipëri.

Ajka Baruçiq nga Instituti Boshnjak për Zhvillimin e të Rinjve, KULT, tha se zgjidhje të tjera të papunësisë së të rinjve duhet të përfshijnë mbështetje të sipërmarrjeve të të rinjve, investim në arsim dhe shkencë dhe rritje të ndërgjegjësimit social dhe aktivizëm.

Knut Fleckenstein, një politikan gjerman, eurodeputet dhe raportues për Shqipërinë tha se programet e BE-së shpesh përqendrohen më tepër te stabiliteti në Ballkanin Perëndimor sesa te reformat demokratike.

«Duhet ta balancojmë këtë përbërës për të luajtur një rol të suksesshëm», tha ai.

Megjithatë, Fleckenstein gjithashtu këshilloi të rinjtë e pranishëm në konferencë që të sfidojnë vazhdimisht sistemin – dhe politikanët e vjetër në vendet e tyre – për të kërkuar dhe siguruar ndryshim për mirë.

(https://www.reporter.al/te-rinjte-e-ballkanit-kerkojne-reforma-per-punesim/)