Të qenit fatlum në një vend fatkeq është gjë e vështirë




Gëzim Aliu (1977) është shkrimtar, studiues i letërsisë, eseist. Më herët ka punuar redaktor në revistën kulturore “Albanica”, kurse për disa vjet është angazhuar edhe si redaktor përgjegjës në revistën letrare “Jeta e Re”. Është punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës.

Përveç shkrimeve të shumta botuar nëpër gazeta e revista, G. Aliu ka botuar librin studimor “Diskurset e ideve në prozën e Kadaresë“ (2007), romanin “Në Klubin e të shëmtuarve“, i cili është shpërblyer me Çmimin Kombëtar si romani më i mirë i vitit 2009 nga Ministria e Kulturës e Kosovës, përmbledhjen me tregime “Libri i fundit“ (2012) dhe romanin “Katedralja pa kryq” (2014).

Është bashkëthemelues i Klubit të Shkrimtarëve të Kosovës dhe është anëtar i PEN Qendrës së Kosovës. Ka marrë pjesë në programin “Writer in Residence 2012“ të KulturKontakt-it në Vjenë. Pjesë të krijimtarisë së tij letrare janë përkthyer e botuar në revista letrare boshnjake dhe austriake.

Aliu është personazhi i kësaj jave që flet për rubrikën e përjavshme në “E diela me Koha Ditore”, “7 Shkronjat”.

Numri 77, viti i lindjes sime, sipas bindjes së moshatarëve të mi në fillore, nënkuptonte fat të mirë në jetë. E besonim këtë. Por, të qenit fatlum në një vend fatkeq është gjë e vështirë. Sikur shumica, jam rritur duke përballuar krejt telashet politike, ekonomike, arsimore, emocionale të fëmijëve të gjeneratës sime.

Kjo fëmijëri për herë të parë qe trazuar nga demonstratat e vitit 1981. Mbaj mend që në murin e madh të shitores përballë shtëpisë sime, dritaret e së cilës shikonin kah udhëkryqi ku ishin grumbulluar shumë njerëz e bërtisnin “Kosova Republikë”, qe shkruar me shkronja të mëdha “Enver Hoxha”.

Pas shpërndarjes së demonstruesve, milicia e mbuloi me ngjyrë emrin e diktatorit shqiptar, por një shi që ra pastaj e zbuloi prapë. Kjo u interpretua si shenjë nga Zoti (Enver Hoxha dhe Zoti!). Pak vjet më vonë, kur hyra në shkollë, na detyruan, si pionierë, t’i betoheshim shokut Tito. Në shkollë këndonim “Shoku Tito ne të betohemi…”, kurse në shtëpi përpiqeshim ta kapnim me një antenë të përforcuar programin e TVSH-së.

Pak pas vitit 1990, tim atë e përzunë nga puna, vëllai i dytë shkoi ushtar në Kroaci, ku e zuri lufta dhe mezi shpëtoi, vëllai i madh iku për shkaqe politike… 1997, 1998, 1999… Muajt e parë pas çlirimit kanë qenë ndër më të lumturit në jetën time. Lumturi mes shkrumbit! Liria e ka këtë fuqi.