Të përçarë, të verbër dhe aspak shtetarë

Për shkak se Albin Kurti ka qenë njëri nga prijësit e demonstratave të 1 tetorit të vitit 1997, kryeministri dhe kryetari i shtetit si dhe shefi i LDK-së e injoruan 20 vjetorin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme të historisë së Kosovës – ashtu siç i injoron edhe Kurti disa personalitete të Kosovës. Një klasë politike që s’merret vesh as për data të rëndësishme, prej saj nuk pritet shumë.

Foto: Shutterstock



Në vitin 1996 një organizatë katolike e bindi Ibrahim Rugovën të nënshkruajë një marrëveshje me kryetarin e Serbisë, Slobodan Millosheviq, mbi kthimin e nxënësve dhe studentëve shqiptarë të Kosovës në objektet e tyre – prej të cilave ishin përzënë pas heqjes së autonomisë së Kosovës nga regjimi serb. Revista serbe NIN shkruante: «Tani për tani e vetmja gjë e qartë është se askush nuk e di se si do të zbatohet kjo marrëveshje historike».

Marrëveshja historike e 1 shtatorit 1996 ishte një mashtrim historik. Millosheviqi e kishte nënshkruar atë si president i Serbisë, ndërsa Ibrahim Rugova si Ibrahim Rugovë, ndonëse në konferencat e tij për shtyp, në paraqitjet e rralla publike dhe në takime me diplomatë përherë prezantohej me qejf si kryetar i Kosovës dhe si të tillë e kishin zgjedhur qytetarët e Kosovës.

Marrëveshja për arsimin nuk u realizua pothuaj fare. Organizata katolike Sant’Egidio ndoshta kishte motive të mira, por e vërteta është se eksponentë të saj e quanin kërkesën për pavarësi të Kosovës «kërkesë maksimale». Në mars të vitit 1993 Rugova kishte vizituar Romën me ftesë të Sant’Egidios, ku kishte takuar kryeministrin italian Giuliano Amato, i cili në marrëveshje me shefin e organizatës Sant’Egidio u përpoq ta bind Rugovën se modeli i bashkëjetesës i Tirolit Jugor mund të jetë i aplikueshëm në Kosovë. Rugova ishte skeptik, shkruan Roberto Morozzo della Rocca nga Sant’Egidio në një punim.

Në bisedat me krerët e Sant’Egidios në lidhje me çështjen e Kosovës lideri serb Millosheviq kishte thënë: «Nëse shpërthen dhuna, Bosnja në krahasim me Kosovën do të jetë Disneyland». Përkundër kërcënimeve të Millosheviqit studentët e Universitetit të Prishtinës dolën në rrugë më 1 tetor 1997 për të protestuar kundër aparteidit arsimor dhe politik të Serbisë në Kosovë. Demonstratat ishin çarja e parë e madhe në shoqërinë kosovare të viteve ‘90: autoriteti i Rugovës nuk ishte më i padiskutueshëm. Demonstratat e 1 tetorit e internacionalizuan dukshëm çështjen e Kosovës dhe këtë e përshëndeti edhe kryeministri i atëhershëm në ekzil Bujar Bukoshi. Në radhët e LDK-së kishte funksionarë që udhëheqësit studentorë dhe disa profesorë i shikonin vetëm si instrumente të grupeve, siç thuhej, «marksist-leniniste», që atëbotë më shumë vepronin mes Zürichut dhe Liqenit të Gjenevës.

Ndonjë student edhe mund të ketë qenë i tillë, por në thelb protestat e 1 tetorit gëzonin përkrahje të madhe popullore dhe këtë LDK nuk e kuptoi atëherë. Po ta kuptonte, do të duhej të vihej në krye të protestave dhe të merrte përgjegjësinë për dështimin e marrëveshjes së arsimit që e kishte nënshkruar Rugova më 1 shtator 1996. Protestat e 1 tetorit 1997 i dhanë hov lëvizjes së armatosur. Gjithnjë e më shumë njerëz që kishin përkrahur gjithanshëm kursin paqësor të LDK-së, dalëngadalë po shkëputeshin prej tij të bindur se vetëm rezistenca aktive dhe, po qe nevoja, edhe e armatosur mund të hapë rrugën drejt zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Mungesa e unitetit lidhur me strategjinë që duhej ndjekur kundër regjimit serb i kushtoi shumë popullit të Kosovës.

«Krahu i luftës» dhe «krahu i paqes» u përçanë, madje shpesh penguan dhe luftuan njëri-tjetrin – në këtë drejtim brutaliteti i «krahut të luftës» ishte i pashoq dhe për këtë tregojnë dhjetëra vrasje të pasqaruara deri më sot.

Ku gjendemi 20 vjet pas demonstratave të 1 tetorit 1997? Po aty ku ishim. Kjo shihet në qasjen që kanë krerët politikë ndaj kësaj ngjarjeje. Shefi faktik i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, lavdëroi sot (me të drejtë) rektorin e Universitetit të Prishtinës Ejup Statovci, por nuk përmendi asnjë figurë tjetër të asaj periudhe. Ta zëmë Ibrahim Rugovën. Apo Fehmi Aganin. Ka mundur edhe t’i kritikojë. Por, në orbitën politike të Kurtit ka figura që nuk ekzistojnë fare, ndonëse tërë Kosova i ka ende në kujtesë.

Për shkak se Albin Kurti ka qenë njëri nga prijësit e demonstratave të 1 tetorit të vitit 1997, kryeministri dhe kryetari i shtetit si dhe shefi i LDK-së e injoruan 20 vjetorin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme të historisë së Kosovës – ashtu siç i injoron edhe Kurti disa personalitete të Kosovës. Një klasë politike që s’merret vesh as për data të rëndësishme, prej saj nuk pritet shumë. Kryetari i Kosovës i tregoi opinionit se çfarë ka bërë dhe kë takoi në Amerikë. Kryetari i LDK-së po merret me të kaluarën e tij si kryetar i Prishtinës dhe me numërimin e projekteve që i paskësh realizuar. Për kryetarin e qeverisë përvjetori i ’20 i demonstratave të 1 tetorit nuk ekziston, ai ditëve të fundit më shumë ka qenë i koncentruar në dhënien e këshillave se si duhet të diskutojnë deputetët në mënyrë të civilizuar në studiot televizive. Natyrisht që këto këshilla të tij janë paksa ironike, sepse vijnë nga një politikan që zyrtarëve të sigurimit në Kuvendin e Kosovës u thoshte «ik, shtyju, budallë», ndërsa kryeministrin e atëhershëm e quante «Isë qeni».

Të gjithë këto figura që e shohin veten si eksponentë të «krahut të luftës», më 1997 kanë qenë tepër të lumtur që Albin Kurti po sfidon kllapinë politike të Ibrahim Rugovës. Por, sot situata ka ndryshuar: Kurti është rival politik dhe rrjedhimisht duhet heshtur për çdo akt të tij politik. Madje viktimë e harresës ra edhe i ndjeri Ejup Statovci. Sepse po ta kujtonin Ejup Statovcin kryeministri dhe kryetari kushedi ndoshta kjo në opinion do të kuptohej edhe si vlerësim i aktiviteteve të Kurtit më 1997. Sot heshtin këta, ndërsa më 21 janar 2018, në përvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, mbase do të heshtë si përherë edhe Albin Kurti. Si më 1997 edhe më 2017 në krye të Kosovës kemi politikanë që janë të përçarë, të verbër dhe aspak shtetarë.