Të mbijetuarit e fundit kujtojnë masakrën e Luftës së Dytë Botërore në Jugosllavinë e pushtuar

Pothuajse tetë dekada pasi forcat hungareze vranë serbë, hebrenj dhe romë gjatë një masakre treditore në qytetin e pushtuar të Novi Sadit, disa nga të mbijetuarit e paktë tregojnë për BIRN se si arritën të mbesin gjallë.

Një monument i titulluar «Familja» u ngrit në Molin e Viktimave të Bastisjes në vitin 1971. Foto: BIRN/Ivana Nikoliq.



Ivan Ivanji, një shkrimtar i cili ishte gjithashtu edhe përkthyes nga gjermanishtja i presidentit jugosllav Josip Broz Tito, qëndron ulur i qetë në një kolltuk në apartamentin e tij në Beograd, i rrethuar nga ato që duket se janë disa mijëra libra. Ivanji së shpejti do të jetë 90 vjeç, pasi arriti t’i mbijetojë vrasjeve në Jugosllavinë e pushtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, si edhe dy kampeve naziste të përqendrimit, Auschwitzit dhe Buchenwaldit, gjatë asaj që ai e përshkruan në titullin e një prej librave të tij si «Jeta ime e bukur në ferr».

Shtatëdhjetë e shtatë vjet më parë, kur ai ishte një djalë 13-vjeçar, ai jetonte në qytetin e Novi Sadit, i cili ishte, njësoj si pjesa tjetër e rajonit të Baçkës së Vojvodinës në atë kohë, i pushtuar nga forcat hungareze besnike ndaj nazistëve. Në janar të vitit 1942, autoritetet hungareze filluan një sërë bastisjesh në rajonin e Baçkës, të cilat, sipas tyre, kishin për qëllim çrrënjosjen e luftëtarëve partizanë komunistë për të parandaluar një kryengritje të dyshuar, por nxënësi Ivanji në atë kohë dinte vetëm se për disa ditë s’do të kishte mësim. «Ishte 21 janari 1942 dhe unë dhe kushërinjtë e mi ishim rrugës për në shkollë. Por pastaj pamë postera që thoshin se çdo lloj lëvizje ishte e ndaluar për shkak të bastisjes. Urra! Kjo donte të thoshte se s’do të kishte mësim, kështu që u kthyem në shtëpi», kujton Ivanji. Ajo që ai nuk dinte ishte se po të njëjtën ditë, kishin filluar vrasjet e serbëve, hebrenjve dhe romëve. Policët hungarezë dhe oficerët e xhandarmërisë kontrolluan shtëpi dhe apartamente dhe i çuan civilët në plazhin Shtrand, ku ata u qëlluan për vdekje dhe trupat e tyre u hodhën në lumin Danub të ngrirë.

Vende të tjera vrasjeje përfshinin disa nga rrugët kryesore të Novi Sadit, një varrezë e krishtere ortodokse dhe oborret e shtëpive të familjeve. Shifrat zyrtare thonë se rreth 1300 civilë u vranë në Novi Sad gjatë tre ditëve të bastisjeve midis 21 dhe 23 janarit 1942, por shumë prej tyre shprehen se kishte shumë më tepër viktima – deri në 4000 në vetëm tre ditë. Përveç serbëve, hebrenjve dhe romëve, gjatë bastisjeve u vranë edhe të tjerë, duke përfshirë hungarezët që kundërshtonin regjimin. Ivanji, i cili ka origjinë hebraike, ishte me prejardhje nga qyteti i Zrenjaninit, i cili ishte nën pushtimin gjerman, por prindërit e tij e kishin dërguar atë në shtëpinë e xhaxhait të tij në Novi Sad, duke shpresuar se djali do të kishte më shumë shanse për mbijetesë. Ai i shpëtoi vdekjes falë dokumenteve të falsifikuara që thoshin se ai ishte një hungarez etnik. «Gjatë bastisjeve, policia erdhi dy herë. Ata na kërkuan mjetet e identifikimit, donin të dinin se sa vetë ishim në apartament dhe pyetën nëse kishim armë», tha Ivanji për BIRN. Herën e dytë që erdhën, ata thjesht kontrolluan brenda në dollap dhe s’bënë një kontroll të plotë.

Ndërkohë, Ivanji dhe tre kushërinjtë e tij i kaluan ditët që s’shkuan në shkollë duke luajtur me letra, shah dhe duke dëgjuar radio. «Muzika ishte e shkëlqyer», kujton ai. Ai zbuloi se kishte diçka që nuk shkonte vetëm disa ditë më vonë, kur ai u kthye përsëri në shkollë. Vuri re se shumë nxënës në shkollë mungonin, sidomos ata nga shkolla e mesme serbe aty pranë. Por ai dhe shokët e tij të shkollës nuk folën kurrë për këtë, pranon ai: «Ne e kishim mendjen vetëm të luanim shah dhe si t’ia bënim me mësuesit», tha ai.

Një shtëpi «e pastër»

Rodoljub Malençiq tregon një histori të ngjashme në lidhje me bastisjet nga forcat hungareze të sigurisë 77 vjet më parë. Ashtu si Ivan Ivanji, edhe Malençiq më vonë do të bëhej shkrimtar. Malençiq, i cili vinte nga një familje serbe, ishte dhjetë vjeç në kohën e bastisjeve. Ai kujton se termometri tregonte minus 29 gradë celzius dhe se si fytyrat e oficerëve të xhandarmërisë hungareze ishin po aq të ftohta. «I pashë oficerët hungarezë duke nxjerrë një familje hebreje prej katër vetash – një baba, nëna dhe dy fëmijë më të vegjël sesa unë – nga shtëpia. Ata rrinin atje të veshur vetëm me pizhame», tha ai. Ai nuk e mori vesh kurrë se çfarë i ndodhi në fund fqinjëve të tij. Ditën e tretë të mësymjes, xhandarmëria hungareze trokiti në derën e familjes Malençiq. «Ata kishin ngrirë, ishte shumë ftohtë. Lëviznin vetëm sytë. Kërkuan mjetet e identifikimit», tha ai. Pasi mësoi se njerka e tij ishte me origjinë hungareze, shefi i policisë vendosi t’ua kursente jetët. 4Ky ishte ndoshta faktori kryesor që na shpëtoi», shpjegoi Malençiq. Oficeri i lartë i tha njerkës së tij: «Nuk e keni të lehtë, zonjë. Edhe unë kam dy djem të tillë në shtëpi. E di se si është për ju». Pastaj e shënoi shtëpinë si «të pastër»: «Ai bëri një rreth blu te dera e shtëpisë, në mënyrë që askush të mos e kontrollonte më atë», kujton Malençiq.

Janar i përgjakshëm

Data 23 janar shënon 77-vjetorin e bastisjeve. Si çdo vit, një përkujtimore po mbahet në Molin e Viktimave të Bastisjes në Novi Sad. Dhuna në Novi Sad nuk ishte një incident i izoluar, por vetëm një në serinë e bastisjeve nëpër qytete dhe fshatra në zonën e Baçkës gjatë të cilave u ekzekutuan civilë. Bastisjet filluan më 4 janar 1942, në fshatin Çurug, rreth 40 kilometra nga Novi Sadi, pastaj u përhapën në fshatra dhe qytete të tjera aty pranë – Zhabal, Gjurgjevo, Gospogjinci, Gardinovci, Vilovo, Lok, Moshorin, Shajkashi, Kishac, Srbobran, Temerin dhe Beçej. Modeli ishte pothuajse gjithmonë i njëjtë: ushtria hungareze, forcat e policisë dhe xhandarmërisë do të arrestonin, torturonin dhe ekzekutonin civilë nëpër depo ose në shkolla dhe pastaj i hidhnin ata në lumenjtë e ngrirë të Tisës ose të Danubit. Në disa vende, ata do t’i vrisnin viktimat e tyre në brigjet e lumenjve.

Anëtarët e popullsisë lokale hungareze zakonisht i ndihmuan dhe disa prej tyre ishin sidomos mizorë, tha Vojislav Martinov, një historian dhe një kurator në Muzeun e Vojvodinës në Novi Sad. «Kjo tregon shumë për marrëdhëniet afatgjata të këqija midis popullsive lokale në zonë», argumenton Martinov. Para bashkimit të saj me Serbinë në vitin 1918, Baçka ishte pjesë e Austro-Hungarisë. Pas integrimit, Mbretëria e Jugosllavisë i populloi zonat e saj etnikisht të përziera me serbë «me qëllim nxitjen e elementeve serbe dhe pro-jugosllave». «Pas pushtimit gjatë Luftës së Dytë Botërore, hungarezët i dëbuan të sapoardhurit serbë dhe i populluan të njëjtat zona me hungarezë nga pjesa lindore e Hungarisë», shtoi Martinov. Edhe pse arsyeja e deklaruar për sulmet e janarit 1942 ishte gjuetia për njësi partizane, Martinov shprehet se pas tyre fshiheshin motive të tjera, pasi shumica e komunistëve ishin arrestuar në vitin 1941 dhe celulat e tyre ishin shkatërruar. Të vetmit që arritën të mbijetonin ishin fshehur në një fermë në Sajkas në Vojvodinë. «Kishte vetëm një njësi prej 47 personash në fshatin Shajkash», tha Martinov, duke shtuar se një numër kaq i vogël luftëtarësh nuk mund të ketë qenë një kërcënim për forcat superiore hungareze. Sipas Martinov, një nga arsyet kryesore ishte frika se Baçka – pjesa më jugore e territorit të kontrolluar nga Hungaria në atë kohë – ishte një burim potencial trazirash për shkak të popullsisë së saj të madhe serbe. «Në vjeshtën e vitit 1941, Republika e Uzhices (një territor jetëshkurtër i çliruar jugosllav), u krijua në Serbinë e pushtuar, kështu që hungarezët menduan se rezistenca po bëhej gjithnjë e më e madhe. Ekzistonte frika se diçka e ngjashme mund të ndodhte në Baçkë, sidomos në zonën e Shajkashit për shkak të asaj njësie partizane», shpjegoi ai.

Një arsye tjetër ishte ofensiva naziste gjermane në frontin lindor në atë pikë; nazistët kishin kërkuar 130’000 ushtarë hungarezë që t’i bashkoheshin sulmit ushtarak kundër Ushtrisë së Kuqe Sovjetike. «Është e mundur që Hungaria donte të mbronte qytetarët e saj dhe nuk donte t’i dërgonte ata të luftonin sovjetikët. Pra, ishte e përshtatshme që ata të organizonin beteja në territorin e tyre, gjë që do të justifikonte nevojën për të luftuar atje dhe për të mos shkuar në lindje», sugjeroi Martinov.

Shmangie e drejtësisë

Jo shumë kohë pas masakrave të janarit 1942, Hungaria akuzoi disa nga autorët e supozuar. Por procedurat gjyqësore ishin menduar vetëm për konsum ndërkombëtar, shprehet Martinov, sepse «Hungaria donte të tregonte se po i dënonte krimet». «Shumë njerëz nuk u akuzuan fare, shumë veta morën thjesht dënime simbolike dhe shumë të tjerë u ndihmuan që të iknin në Gjermani në vitin 1944», tha Martinov. Megjithatë, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, dhjetëra hungarezë u ndoqën penalisht para gjykatave jugosllave dhe u dënuan me vdekje. Jugosllavia akuzoi gjithashtu Regjentin e Mbretërisë së Hungarisë, Miklos Horthy, por ai nuk doli kurrë në gjyq.

Sipas historianit Gjorgje N. Lopiçiq, i cili në vitin 2010 botoi një libër me titull «Krimet hungareze të luftës 1941-1945 – Vendimet e Gjykatave Jugosllave», pati 109 vendime, dy të tretat e të cilave kishin lidhje me sulmet e vitit 1942. Midis të dënuarve ishin nëntë zyrtarë hungarezë të rangut të lartë, të përmendur si më përgjegjësit për vrasjet në Baçkë. Të gjithë u dënuan me vdekje në tetor të vitit 1946 dhe u ekzekutuan, disa prej tyre në publik në Novi Sad dhe në Zhabal. Megjithatë, ishte një gjyq që përfundoi me lirim nga akuzat që nxiti pasionet më të ashpra, edhe pse vendimi erdhi dekada pas kryerjes së krimeve.

Shandor Kepiro ishte 97 vjeç në vitin 2011, kur u akuzua për pjesëmarrje në masakrën e Novi Sadit të 19 janarit si një kapiten policor i forcave hungareze. Prokuroria serbe e krimeve të luftës fillimisht e hapi çështjen, por më vonë vendosi ta transferonte atë në sistemin gjyqësor hungarez. Aktakuza u ngrit në vitin 2011, edhe pse Kepiro kishte jetuar tashmë në Hungari për 15 vitet e mëparshme. Ai u kthye në vitin 1996 për shkak se një zyrtar i qeverisë i tha atij se kundër tij nuk kishte asnjë çështje gjyqësore dhe se afati kohor për ekzekutimin e vendimeve kishte përfunduar në vendimet e mëparshme që e dënonin atë. Kepiro u lokalizua në Budapest nga drejtori i qendrës Simon Wiesenthal, Efraim Zuroff. Gjatë seancës së parë të gjyqit, Kepiro mbajti në dorë një copë letre në bankën e të akuzuarve me fjalët «Vrasës! Po nxirrni në gjyq një 97-vjeçar». Ai u lirua nga akuzat disa muaj më vonë, duke shkaktuar një protestë nga organizatat hebraike dhe ato serbe, edhe pse anëtarët e partive hungareze të ekstremit të djathtë e mirëpritën lirimin e tij nga akuzat. Kepiro vdiq në Budapest në shtator të të njëjtit vit si një njeri i lirë.

Bastisjet bëhen «tabu»

Pas përfundimit të luftës në vitin 1945, bastisjet e Baçkës nuk diskutoheshin gjerësisht në publik, sipas Martinov; as hakmarrja e partizanëve kundër popullsisë etnike hungareze të Vojvodinës në vitet 1944-19945, e cila pa vrasjet e asaj që disa historianë vlerësojnë se ishin 15-20’000 hungarezë etnikë. Jasmina Mina Jurishin nga Shoqata «Racia e vitit 1942» në Çurug, tha se vrasjet ishin një subjekt tabu në Jugosllavi pas Luftës së Dytë Botërore. «Të gjithë historinë e zbulova kur u martova, sepse familja e burrit tim humbi shumë nga anëtarët e saj në këto sulme», tha Jurishin. Në vitet pas luftës, përkujtimi i viktimave në lumin Tisa ishte e ndaluar «për shkak të krijimit të një imazhi të rremë që përshkruante vëllazërinë dhe unitetin, ndërsa nëpër shkolla nuk na mësohej për bastisjet», shtoi ajo. Në qershor 2013, shoqata e saj hapi Muzeun e Viktimave të Bastisjes në Çurug, në një ish-depo ku rreth 420 vetë u vranë në vitin 1942. «Këta janë viktima që nuk kanë një varr dhe të afërmit e tyre nuk kanë një vend ku të ndezin qirinj për ata. Ata nuk kanë asgjë. Pra, për ta, muzeu është një vend ku ata vijnë për t’u lutur për shpirtrat e të dashurit të tyre të vrarë pa pasur ndonjë faj», thotë Jurishin. Shoqata dëshiron gjithashtu të hapë një një dhomë përkujtimore kushtuar hungarezëve dhe jetës së tyre në Çurug, si dhe për vrasjet e viteve 1944-19945 të forcave partizane, ajo shtoi: «Ky do të ishte pajtimi i vërtetë, pasi nuk ka pajtim nëse secili prej nesh nuk pranon atë që ndodhi në të vërtetë».

http://www.balkaninsight.com/al/article/t%C3%AB-mbijetuarit-e-fundit-kujtojn%C3%AB-masakr%C3%ABn-e-luft%C3%ABs-ii-bot%C3%ABrore-n%C3%AB-jugosllavin%C3%AB-e-pushtuar-01-22-2019