Të marrim shembull Ukrainën: ta zgjedhim Vedat Bajramin president dhe Besim Dinën kryeministër

Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë më së shumti vota ka marrë humoristi Volodimir Selenski. Pas tij gjendet Petro Poroshenko, kryetar i deritanishëm dhe përfaqësues i sistemit të vjetër dhe të korruptuar. Gjithçka do të vendoset në raundin e dytë. Por fitorja e Volodimir Selenskit në raundin e parë tregon se qytetarët shpresëhumbur preferojnë më shumë një humorist. Një shembull për Kosovën?

Vedat Bajrami. Foto: Facebook



Hokatari kundër presidentit. Volodimir Selenski kundër Petro Poroshenkos. Sipas parashikimeve të para në zgjedhjet presidenciale në Ukrainë vendin e parë e ka zënë humoristi Volodimir Selenski, por ky 41-vjeçar nuk ka arritur të fitojë shumicën absolute, andaj në raundin e dytë, më 21 prill, Selenski do të përballet me presidentin aktual Petro Poroshenko. Ndoshta nuk është befasi që Poroshenkon e ka përkrahur edhe kryeministri i Kosovës me një shënim në Twitter, duke i uruar shumë fat. «Rruga euro-atlantike garanton paqe, stabilitet dhe prosperitet», ka shkruar Haradinaj. Për integrimin e Ukrainës në Bashkimin Europian dhe në NATO angazhohet edhe Volodimir Selenski.

Dallimi esencial mes dy kandidatëve për president të Ukrainës është imazhi i tyre: Poroshenko perceptohet me të drejtë si përfaqësues i klasës së vjetër, të korruptuar, e cila pushtetin e keqpërdorë gjerësisht për të futur nën kontroll resurset shtetërore. Me këtë klasë politike është ngopur dhe neveritur pjesa më e madhe e popullit të Ukrainës. Për këtë arsye – dhe në mungesë të alternativave – njerëzit në mënyrë masive i kanë dhënë votën një humoristi si Volodimir Selenski. Sepse Poroshenko ka keqpërdorur pushtetin, ka shtypur mediat dhe sabotuar reformat. Lufta kundër korrupsionit ka qenë temë vetëm në takime me delegacione të BE-së. Sapo janë larguar ato, gjithçka ka vazhduar me avazin e vjetër. Së fundi një bashkëpunëtor i ngushtë i Poroshenkos u akuzua se ka kontrabanduar armë nga Rusia dhe këto armë ia ka shitur ushtrisë së Ukrainës. Kievi është në luftë me Moskën qe 5 vite. Kjo luftë ka shkaktuar dy milionë e gjysmë refugjatë, ndërsa kushtet e jetesës për qytetarët nuk janë përmirësuar. Rroga mesatare është 300 euro, pensioni 80 euro. Pak a shumë si në Kosovë. Të dëshpëruar ukrainasit i varin shpresat te një humorist, sepse më keq nuk bëhet, kështu së paku duket se mendojnë shumë prej tyre. «Politika në Ukrainë është më e çmendur se çdo skenar filmi», thotë regjisori Aleksej Kirjushenko në gazetën gjermane «Die Zeit». Kirjushenko është mik i vjetër i Selenskit. «Çfarë bën vaki këtu, nuk do të mund ta merrte me mend asnjë humorist». A nuk vlen kjo edhe për Kosovën? A nuk është e ndotur edhe Kosova me fenomenet politike të korrupsionit dhe keqqeverisjes? Ndërsa po shkruhet ky tekst gazetarja Ardiana Thaçi Mehmeti na e prezantoi dozën e përditshme të nepotizmit: «Dy kunatat e ministrit Endrit Shala punësohen nga Ministria që drejtohet nga Nisma». Kosova po jep një kontribut të madh në zgjerimin e nocioneve politike. Kakistokracia (sundimi i më të këqijve) po «pasurohet» me nocionin kunatokraci.

Në realitetin ukrainas, shkruan «Die Zeit», oligarkët blejnë deputetë. Deputetët blejnë banesa në vendet më të mira dhe vetura të shtrenjta, ndonëse zyrtarisht janë të varfër sa nuk mund të merret me mend. Të vdekurit janë të regjistruar si vëzhgues zgjedhjesh, partitë marrin donacione nga njerëzit që nuk ekzistojnë fare. Vetëm 9 për qind e qytetarëve i besojnë qeverisë në Kiev. 80 për qind nuk i besojnë parlamentit, 70 për qind nuk i besojnë presidentit, dy të tretat e ukrainasve duan fytyra të reja në politikë.

Që nga viti 2015 Selenski ka luajtur rolin e presidentit në serinë: «Presidenti – shërbëtor i popullit». Tani nga bota komike ai ka hyrë në realitetin politik. Për Selenskin këto dy botë nuk kanë dallim. «Kur është zgjedhur president Poroshenko ka premtuar kursin prej 13 hrivna për dollar. Tani dollari kushton 26 hrivna. Si të mos votosh për dikë që dyfish i ka realizuar premtimet e tij», pyet Selenski.

Shembulli i Ukrainës mund t’i shërbejë si inspirim edhe qytetarëve të Kosovës për të kërkuar figura të reja politike. Shumica e qytetarëve prej vitesh kërkojnë fytyra të reja në politikë. Këto fytyra mungojnë ose kur krijohet një alternativë politike befas bën vaki diçka e papritur: partia ndahet (shih shembullin e Vetëvendosjes), partia tjetër (LDK) mbetet indolente, e plogët, ndërsa partitë në pushtet janë vetëm sinonim i korrupsionit, papërgjegjësisë dhe nepotizmit. Përse të mos e zgjedhin kosovarët president Vedat Bajramin (327 mijë ndjekës në Facebook)? Përse të mos jetë kandidat për kryeministër Besim Dina (241 mijë ndjekës në Facebook)? Në ushtrimin e posteve të rëndësishme publike të dy – sipas të gjitha gjasave – do të ishin larg më përgjegjës se shumica e politikanëve që kanë sunduar Kosovën në 20 vitet e fundit. Ndërsa synim i qytetarëve të Kosovës mbetet integrimi në strukturat euroatlantike, ia vlen të shikohet pak edhe në drejtim të Ukrainës. Sepse me këtë klasë politike që ka Kosova vetëm një gjë është e garantuar: vendnumërimi.