Të lumtur në llum

Përse serbët janë të pakënaqur dhe shqiptarët e Kosovës të lumtur? Përse fqinjët tanë protestojnë për një shtet funksional, ndërsa shqiptarët e Kosovës vazhdojnë të përtypin lugët e makiatos? Një krahasim i pakëndshëm, por i domosdoshëm - jo vetëm me shifra ekonomike.

Foto: Al Jazeera



Kur shqiptarëve të Kosovës u dhemb zemra, ata shkojnë të mjekohen edhe në Beograd. (Politikanët mund të shkojnë edhe në Bruksel). Përveç se në Beograd intervenime në zemër bëhen edhe në Leskoc, afër kufirit me Kosovën. Si qytet dhe qendër rajonale Leskoci mund të krahasohet me Prizrenin, Pejën apo Gjilanin. Shanset që të shpëtoni nga sulmi në zemër në Leskoc janë relativisht të mëdha. Në qytetet e mëdha kosovare gjasat që të vdisni nga sulmi në zemër janë solide, sepse shërbimet shëndetësore nuk kalojnë nivelin e vendeve më të prapambetura. Qytetarët e Kosovës përkundër kësaj gjendjeje të mjerë në sistemin e shëndetësisë, vazhdojnë të jenë të lumtur ose të sillen si të lumtur. Kurse qytetarët e Serbisë, sidomos në qytete të mëdha, nuk janë të kënaqur. Pas fitores së Aleksandër Vuçiqit në zgjedhjet presidenciale të 2 prillit, mijëra të rinj kanë vërshuar rrugët për të protestuar kundër tendencave autokratike në Serbi.

Qytetarët e Serbisë mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Schengenit, ndërsa kosovarët janë shoqëria më e izoluar në Europë. Më të izoluar kosovarët nuk kanë qenë asnjëherë në historinë e tyre bashkëkohore, por as më të heshtur zor të kenë qenë ndonjëherë. Përkundër lirisë së lëvizjes në hapësirën e Schengenit, qytetarët e Serbisë, sidomos në qytete të mëdha, nuk janë të lumtur. Ata po kërkojnë që pushteti të bëjë më shumë për përmirësimin e jetës së tyre. Heqja e vizave nuk i heq problemet me shkop magjik. Kushdo që dëshiron të shijojë lirinë e udhëtimit, duhet të ketë edhe një kuletë të trashë.

Në Serbi papunësia ka rënë në 13 për qind, ndërsa në Kosovë sipas parashikimeve më optimiste ajo nuk është më e ulët se 30 për qind, madje në mesin e të rinjve kalon 50-përqindëshin. Në vitin 2016 Serbia ka përfituar rreth 2 miliardë euro investime të drejtpërdrejta, ndërsa Kosova as 200 milionë. Me një angazhim të pashoq kryeministri serb Vuçiq ka arritur të bindë kompaninë Etihad Airways nga Emiratet e Bashkuara Arabe të investojë në Air Serbia. Tani Beogradi dhe New Yorku janë të lidhur me linjë direkte ajrore, ndërsa dy shtete me shumicë shqiptare në Ballkan (Kosova dhe Shqipëria) nuk kanë ende një kompani nacionale (apo të përbashkët) ajrore. S’ka gajle, me rëndësi që gjithnjë e më shumë shqiptarë po e shfrytëzojnë Beogradin si nyje ajrore për fluturime në destinacione të ndryshme të botës. Ndërsa qeveria serbe ka siguruar përkrahjen e Kinës për modernizimin e linjës hekurudhore mes Beogradit dhe Budapestit, ku trenat pritet të qarkullojnë me shpejtësi deri në 200 kilometra në orë, shqiptarët vazhdojnë ta mashtrojnë veten me «Rrugën e kombit», e cila sot e kësaj dite ka mbetur e papërfunduar, me segmente të rrezikshme si në Kukës dhe rrethinë, ku viaduktet ekzistojnë vetëm në letër, ndërsa lopët, dhitë e gomarët shpesh luajnë valle si në ahuret e tyre. Për një linjë hekurudhore mes Prishtinës dhe Tiranës flitet gjatë fushatave elektorale dhe pastaj secili politikan i kthehet bizneseve të veta – me kanabis, me oligarkë serbë të rrymës, me mafiozë italianë. (Janë trajektet italiane ato që transportojnë shqiptarët mes Durrësit dhe porteve të mëdha italiane. Një firmë shqiptare e trajekteve? Sakrilegj të mendohet!)

Në gjithë këtë llum shqiptarët e Kosovës vazhdojnë të shtiren të lumtur. Ndokush madje mund t’i konsiderojë edhe budallenj të rinjtë serbë që po protestojnë për më shumë mirëqenie, për shtet funksional, për barazi dhe solidaritet mes gjeneratave, për bursa dhe për pensione të denja, për qeverisje me duar të pastra, për sistem të pavarur të drejtësisë, për mbrojtjen e qyteteve nga arbitrariteti i qeverisë dhe sipërmarrësve të ndërtimtarisë, për media të pavarura dhe kundër nevojtoreve të shtypura dhe virtuale të Vuçiqit.

Probleme të tilla shqiptarët e Kosovës nuk kanë. Të lumtur siç janë vazhdojnë të lavdërojnë «makiatot më të mira në Europë» dhe të përtypin lugët e plastikës, një ndër prodhimet e pakta vendore. Në këtë gjendje të mirëqenies së ëndërruar mund të vazhdojmë me debate shterpe – për shembull duke mallkuar Francën që po e keqtrajton një kryetar të një partie politike kosovare, sepse mentaliteti i cubit nuk mund ta kuptojë se drejtësia në Francë është e pavarur dhe aktualisht është duke e demontuar ish-kryeministrin François Fillon dhe duke ia varrosur ëndrrën për t’u bërë president. Vazhdojmë pastaj të argëtohemi nga një president joserioz, i cili në mëngjes dëshiron ta themelojë ushtrinë, në drekë kërcënohet me dorëheqje nëse nuk themelohet ushtria dhe në mbrëmje harron çfarë ka thënë, duke tërhequr projektligjin mbi ushtrinë.

Ndërsa do të duhen dekada për ta nxjerrë Kosovën nga humnera arsimore, ku e kanë hedhur PDK dhe më pak edhe LDK (shih rezultatet e testit PISA), mafia universitare pëdëkëiste ia ka vënë zullumin profesorit Arben Hajrullahu, i cili ka bërë këtë mëkat: i ka kapërcyer kufijtë e lartë akademikë të Komoranit dhe Muçibabës dhe ka nxënë dije në Austri dhe në Amerikë. Kush kërcen përtej torishtës akademike të shërbëtorëve të PDK-së në Universitetin e Prishtinës, menjëherë tërheq mllefin e kësaj mafie.

Gazetarët që besojnë në fuqinë magjike të ambasadorëve tani do të mund të pyesnin: përse nuk proteston ambasadori amerikan kundër zullumit që po i bëhet Arben Hajrullahut? Por pyetja e vërtetë është kjo: përse heshtin studentët, përse nuk dalin në rrugë? Përse hesht shoqëria? Rasti i Hajrullahut është një nga miliona padrejtësi që bëhen për çdo ditë në Republikën e Kosovës. Prej të gjitha lumturive më e rrezikshmja me gjasë qenka lumturia në llum.