Të lumtë ne: edhe në Sarandë një bust për Hillary Clinton

Përmendoromania shqiptare kinse në nderim të Amerikës ka marrë përmasa absurde dhe qesharake. Mos të mendojë kush që kështu do të gëzojmë ndonjë respekt.

Hillary Clinton. Ilustrimi: Shutterstock

Edhe kjo mungonte. Dhe tash jemi të lumtur. Në Sarandë, kështu njoftojnë televizionet e Tiranës, qenkësh zbuluar busti i Hillary Clinton. Ishin mbledhur disa burra, mes tyre dallova edhe një «shef të biznesmenëve nga Kosova», afër tij një grua me syze dielli, pranë saj një burrë (edhe ky me syze dielli) dhe me kravatë lart mbi kërthizë. Ç’komedi!

Kryetarja e Bashkisë tha se ky akt, pra zbulimi i bustit, na qenkësh «tregim qytetarie». Një «historian» citohej të ketë thënë se Saranda na qenkësh pjesë e hartës turistike botërore edhe falë Hillary Clinton. Duket se na paskan ikur të gjitha lajmet qe sa e sa vjet. Cili qenka kontributi i zonjës Clinton që Saranda hyri në hartën botërore të turizmit?

Saranda gjatë verës shpesh nuk ka ujë për turistë. Ky qytet ka nevojë të madhe të investojë në infrastrukturë, të rregullojë kanalizimin, të ketë një ofertë turistike më bindëse, të ketë shërbime më të mira, të ketë një webfaqe serioze me informata për turistët, të ketë një administratë të zellshme që tërheq turistët. Këto, me sa duket, nuk janë të rëndësishme. Me rëndësi është busti i Hillary Clinton, sepse nëpërmjet saj duhet harruar nevojat e vërteta. Ec e kritikoje ti tash Bashkinë e Sarandës, skulptorin apo «historianin» për këtë shëmti. Jo, se menjëherë do të të shpallin antiamerikan.

Sarandës më shumë se për buste qesharake që s’e nderojnë fare Amerikën i duhet një pllakë përkujtimore për të gjithë ata shqiptarë që duke tentuar të ikin gjatë komunizmit përmes ngushticës së Korfuzit, u vranë nga forcat kufitare të regjimit të Enver Hoxhës. Do të mund të hapej një muze me historitë e njerëzve që ose vdiqën ose me forcën e fundit të shpirtit arritën të dalin në Greqi. Ashtu si dy vajzat shqiptare Zamira dhe Izabela që u nisën bashkë me vëllain të dilnin nga Saranda në Korfu dhe në bregun tjetër dolën vetëm ato dyja, vëllai i tyre vdiq. Ngushtica e Korfuzit, aty ku notojmë, rrezitemi, takojmë miq, lexojmë, është një pellg me gjak, nga fundi i tij na thërrasin viktimat e komunizmit. Por ato nuk ka kush t’i dëgjojë, sepse kujtesa jonë historike nuk është e thellë.

Përkundrazi, ne vuajmë nga një sëmundje, e cila quhet përmendoromani shqiptare kinse në nderim të Amerikës. Kjo mani ka marrë përmasa absurde dhe qesharake. Mos të mendojë kush që kështu do të gëzojmë ndonjë respekt në botë.

A s’u bëmë gaz i botës me atë përmendore bajate të Bill Clintonit në Prishtinë? A s’u bëmë qesharakë duke u vënë vend e pa vend «emra amerikanë» rrugëve të Kosovës ose duke u vënë emra të «heronjve të kallamboqit» shesheve tona? A merr fund kjo komedi? A duhet të bart emrin e djalit të nënpresidentit amerikan rruga Prishtinë-Gjilan? Cili është kontributi i tij? Ah, po, thuhet se e kishte ndërmend të vinte në Kosovë dhe të punonte prokuror. Thuhet. Çka nuk thuhet në botën shqiptare. Një lagje në periferi të Prishtinës të gjitha rrugëve u ka vënë emra të shteteve amerikane. Me siguri gjysma e banorëve presin të hyjnë në politikë me bekimin amerikan. Në qytete të tjera gufojnë emra që lartësojnë Perandorinë Osmane nga ata që te Rexhep Taip Erdoani shohin Kara Mustafanë e ri.

Pastaj miletit arnaut i nxehen nervat kur me sportin e përmendoromanisë merren edhe serbët, kur e kujtojnë në Mitrovicë konsullin rus Grigorije Stepanovič Ščerbina, kur sjellin përmendore të Car Llazarit, kur në Graçanicë vjen Aleksandar Vuçiqi dhe zbulon përmendoren e Kral Millutinit. Kur shërohen këta popuj të Ballkanit nga përmendoromania?