Të lodhur nga përmendoret!

Buste, shtatore, përmendore e monumente. Kosova i ka të gjitha me tepri dhe me estetikë të neveritshme. Çfarë nuk kanë kosovarët është një jetë me dinjitet.

Ilustrimi: Shutterstock



Kosova nuk ka arsye të ankohet – së paku jo sa i përket përmendoreve. Në çdo skutë e në çdo rrugë, në secilën rrugicë dhe në secilin shesh, syri i njeriut nuk sheh gjë tjetër veçse përmendore e shtatore, monumente e buste. Të gjitha të punuara në dy dekadat e fundit. Thuhet se qëllimi i këtyre veprave artistike na qenkësh nderimi i kontributit të figurave të ndryshme nga historia e afërt dhe e largët. Për vlerën artistike të këtyre busteve e përmendoreve më mirë të mos flasim. Është një kombinim i turbofolkut me socrealizëm. Kjo mënyrë e përkujtimit të së kaluarës është po aq serioze sa futja e ogiçit në sallën e koncerteve për të dirigjuar Filharmoninë e Vjenës.

Në vargun e përmendoriadës kosovare tani e ka renditur veten edhe komuna e Gjilanit. Për të nderuar figurën e Idriz Seferit dhe zbuluar një përmendore të tij, në Gjilan u ftuan dhe qëndruan politikanë të korruptuar, me lidhje kriminale transballkanike, njerëz që në çdo shtet serioz nuk do të kishin vend në zyra të rëndësishme, por do të përfundonin në qeli. Te ne është ndryshe, sepse të ftosh figura të tilla e kërkuaka momenti. Ambiciet e çastit. Karrierizmi. Lufta me bërryla për t’u ngjitur diku lart në skenën politike. Primitivizmi. Dëshira për t’u dukur patriot. Andaj për të ndërtuar «të rënë» duhet të bëhet rrafsh me tokë e «vjetra», e kaluara. S’pyet kush për kritere. Rrëzo, prish e shkatërro – dhe përmendore ndërto!

Ky vend, Kosova jonë e dashur, është lodhur nga përmendoret. Është lodhur nga keqpërdorimi i historisë. Është lodhur nga përdorimi i historisë për interesa të politikës ditore. Është lodhur nga hipokrizia patriotike. Që nuk është gjë tjetër veçse maskë për të mbuluar intrigat politike, aferat, aleancat me nëntokën. Kjo gëlqerosje e historisë nuk ka asnjë vlerë. Është tallje me historinë. Dhe meqë tallja me historinë është shndërruar në sport nacional, duket se edhe njerëzit janë topitur. Nuk u bënë gati asgjë përshtypje. Me të njëjtën indiferencë shikojnë si aferat korruptive ashtu edhe modelimin e historisë për nevoja personale të politikanëve. Kosova është e lodhur nga këto lojëra antiolimpike me përmendore.

Siç është lodhur me sllogane të stilit «një tokë, një ëndërr…». Edhe në takimin mes qeverive të Tiranës dhe Prishtinës në Korçë u operua me këto fjalësh, ndërsa eskorta e kryeministrit shqiptar shkeli tre persona. Dy prej tyre u nisën drejt Turqisë për shërim, ngase janë në gjendje të rëndë. Edhe kjo është një simbolikë e fuqishme: në 105-vjetorin e shpalljes së pavarësisë nga Perandoria turke të lënduarit rëndë duhet të mjekohen në Stamboll. Nuk është fare problem që mjekohen atje, por përse kjo nuk është e mundshme ende në Shqipëri? Apo në Kosovë? Sistemi shëndetësor në të dy vendet është në nivel të llahtarshëm dhe nuk do të përmirësohet me sllogane nga Korça. Pacientët shqiptarë do të vazhdojnë të kërkojnë trajtim në Turqi, në Shkup, madje edhe në Beograd. Ato pak projekte infrastrukturore që kanë filluar të realizohen janë humnera të keqpërdorimit të parasë publike dhe shumica janë realizuar mangët. Këtyre projekteve kohëve të fundit po u gëzohet sidomos ekonomia serbe – tregjet e Kosovës dhe të Shqipërisë janë të hapura për biskota të Beogradit, sepse ne s’prodhojmë pothuaj asgjë, ndërsa vazhdojmë të gërryejmë resurset e shtetit. Dhe të ndërtojmë përmendore. Kjo nuk domethënë se një vendi nuk i duhen përmendoret, ato janë objekte në hapësirën publike që kujtojnë ngjarje e persona dhe synojnë të nxitin njerëzit të reflektojnë. Por, reflektimi nuk bëhet vetëm duke vringëlluar revole e pushkë. Kjo mënyrë reflektimi dominon pothuaj tërësisht ambientin publik në Kosovë.

Ky tekst ishte i menduar të përfundojë këtu, por ndërkohë qeveria njoftoi popullin se autostrada deri në kufi me Maqedoninë do të kushtojë 63 milionë euro më shumë se sa që parashihet në kontratë. Gjithsejtë kjo rrugë do te kushtojë 800 milionë euro para të buxhetit të Kosovës. Rreth një miliardë ka kushtuar autostrada mes kufirit të Shqipërisë dhe periferisë së Malishevës. Kontratën nuk e ka parë ende askush. Sekret shtetëror. Andaj për të mbuluar këto turpe duhet shpalosur përmendore – për çdo ditë.