Të jetosh në epokën kur duhet t’i lutesh shtetit tënd për ndihmë

Disa propozime për shmangien e aksidenteve si ai i Suharekës, ku u shua një familje.

Varrimi i familjes së aksidentuar afër Suharekës.



Tragjedia e fundjavës në rrugën Suharekë-Duhël na la edhe pa një familje, e cila si pothuaj të gjithë mërgimtarët pushimet verore po i kalonte në Kosovë.  Kjo tragjedi u përjetua shumë rëndë nga të gjithë, por, fatkeqësisht, ndonëse jemi të trishtuar me këtë humbje, shumë shpejtë të gjithë do ta harrojmë dhe askush nuk do të merret së paku me pasojat e saj.

Në njërën nga ato reklamat e famshme dhe inteligjencëfyese të KFOR-it bëhet ky apel: «Mos u bëni pjesë e këtyre statistikave tragjike». Por, si të parandalohen aksidentet në rrugët tona? Me këso aksidentesh ballafaqohemi goxha shpesh. Këtu dua të përkujtoj disa arsye se si këto tragjedi mund të parandalohen në të ardhmen dhe si të gjithë mund të kontribuojmë.

Shumica e automjeteve të aksidentuara janë mbi 10 vjet të vjetra. Tani parlamenti i Kosovës po diskuton ndryshimin e ligjit, i cili do të lejojë importimin e veturave të prodhuara para më shumë se 10 viteve. Kjo është një shkurtpamësi e të gjithë atyre që mbështesin këtë vendim. Synim i këtij vendimi janë objektivat afatshkurtra – mbushja e arkës së buxhetit nga taksat për këto vetura të vjetra. Pasojat afatgjata janë: më pak siguri në trafik dhe më shumë ndotje të ambientit edhe ashtu të rrezikuar në Kosovë. Çmimin e ndotjes e paguajnë gjeneratat e ardhshme.

Rrjedhimisht, e udhës do të ishte që të ndalohet importimi i këtyre veturave dhe të fillohet procesi i largimit të tyre nga qarkullimi në Kosovë. Vjetërsia e këtyre veturave është njëra prej arsyeve përse Kosova nuk po bëhet pjesë e Kartonit të Gjelbër.

Arsyeja tjetër e rritjes së numrit të aksidenteve është kjo: të gjithë ne kemi dëgjuar në periudhën e pasluftës për njerëz që marrin patentën e shoferit brenda muajit apo edhe më keq: me ryshfet dhe pa mbajtur orët e duhura dhe pa i mësuar rregullat e trafikut. Të gjithë jemi dëshmitarë se si shoferë të papërgjegjshëm rrezikojnë veten dhe të tjerët me stilin e tyre të drejtimit të automjetit. Shpesh nuk ekziston vetëdija e rrezikut, shpesh parakalohet aty ku nuk duhet, shpesh pjesëmarrja në trafik shikohet si pjesëmarrje në një garë, ku nuk duhet respektuar asnjë shenjë komunikacioni. Numri i shoferëve të tillë në Kosovë është shumë i madh. Dhe të gjithë të tjerët, ata që janë të përgjegjshëm në komunikacion, shoferë dhe këmbësorë, janë të detyruar t’i nënshtrohen «rregullave» të xhunglës kosovare në komunikacion. Secili prej nesh duhet të ndihmojë që këtyre personave t’u tregohet vija e kuqe. Së pari duke i denoncuar në polici, së dyti duke i turpëruar publikisht, së treti duke insistuar që policia e trafikut të jetë shumë më efikase në luftimin e shoferëve të papërgjegjshëm. Pa masa të rrepta nuk do të vijnë në vete shoferët tanë.

Familja e aksidentuar në Suharekë drejtonte një automjet të marrë me qira. Detajet e aksidentit ende nuk janë bërë publike nga policia në tërësi, andaj është herët të jepen vlerësime mbi rrethanat e aksidentit. Me rëndësi është që veturat që jepen me qira të jenë në gjendje të rregullt teknike.

Ka kohë që një grup i kompanive që merremi me dhënien e veturave me qira jemi duke u munduar të themelojmë shoqatën tonë dhe të japim si grup një kontribut. Për fat të keq të gjithë neve, kurrsesi ta themelojmë atë shoqatë. Qëllimi kryesor i kësaj shoqate është që kompanitë që japin vetura me qira të kenë një standard të punës dhe të mos lejohet mbirja e kompanive që punojnë pa kurrfarë kontrolli institucional.

Ligji i qiradhënies së automjeteve tashmë është dorëzuar nga ana jonë në ministrinë e Infrastrukturës. I mbetet Kuvendit të Kosovës të aprovojë këtë ligj në mënyrë që edhe në këtë fushë të vihet një rend e rregull minimal. Ne jetojmë në epokën kur duhet t’i lutesh shtetit tënd për ndihmë. Dhe ajo ndihmë nuk vjen. Ose kufizohet vetëm në shprehje të ngushëllimeve kur ndodhin tragjedi si kjo në rrugën Suharekë-Duhël.

(Autori është menaxher i kompanisë Hertz, e cila jep vetura me qira në Prishtinë)