Të jesh, të flasësh dhe të mendosh mençur si Bogiç Bogiçeviqi

Ishte Serbia e para që braktisi Jugosllavinë për të filluar luftën. Ishte Beogradi që duke hequr autonominë e Kosovës dhe Vojvodinës hapi portat për shpërbërjen e Jugosllavisë. Kështu e shpjegoi në një emision të televizionit të Sllovenisë krizën e Jugosllavisë Bogiç Bogiçeviqi, serb nga Bosnja, anëtar i dikurshëm i kryesisë jugosllave. Një orë e historisë me një politikan të formatit europian.

Bogiç Bogiçeviq.



Shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë shqiptare, Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës e kanë kaluar gati një shekull në dy Jugosllavi. Ajo e mbretërve serbë ishte ferr i vërtetë; ajo komuniste ishte në fillim po ashtu ferr, pastaj dalëngadalë shqiptarët nisën të dalin nga ferri – në kuadër të akrobacioneve që bënte regjimi i Josip Broz Titos për të dobësuar hegjemonizmin serb -, pastaj, pas vdekjes së Titos, ultranacionalizmi serb përsëri u përpoq t’i kthejë shqiptarët e Jugosllavisë në ferr.

Fundi i viteve ’80 është dramatik. Jugosllavia e zhytur në borxhe po rrëshqiste gjithnjë e më thellë në humnerë. Nga humnera nxirrte kokën hidra e nacionalizimit – sidomos në Serbi, ku me ardhjen e Sllobodan Millosheviqit në krye të kësaj republike jugosllave shovinistët serbë kishin një lider që premtonte se do të rikthente dominimin serb në Jugosllavi. Më shumë premtonte Vojisllav Shesheli: doktori i ri i filozofisë, i dënuar me burg nga regjimi komunist për shkak të provokimeve nacionaliste, thoshte se në Ballkan do të ketë qetësi vetëm nëse themelohet Serbia e Madhe. Shesheli e njihte fuqinë e nacionalizmit: doktorata e tij mban titullin «Thelbi politik i militarizmit dhe fashizmit». Kundër arrestimit dhe dënimit të tij në vitet ’80 patën protestuar edhe politikanë të majtë gjermanë.

Ata që besonin në Jugosllavi ose së paku në shpërbërjen e saj pa gjak, i varnin shpresat te kryesia e Jugosllavisë, e cila përbëhej nga tetë anëtarë – një nga çdo republikë dhe krahinë. Pak para shembjes së Jugosllavisë Kosovën në këtë kryesi e përfaqësonte Riza Sapunxhiu, një ekonomist pa përvojë të madhe politike, por kundërshtar i Millosheviqit dhe njeriut të tij në kryesinë e Jugosllavisë, Borisav Joviqit. Krahas Sapunxhiut kundërshtarë të tjerë të Millosheviqit dhe Joviqit në kryesinë e Jugosllavisë ishin: Stipe Mesiqi (kroat), Janez Dërnovsheku (slloven), Vasil Tupurkovski (maqedonas) dhe Bogiç Bogiçeviqi (serb nga Bosnja). Në krahun e Serbisë ishin: përfaqësuesi i Malit të Zi dhe ai i Vojvodinës. Raporti i forcave ishte: 5:3. Këtë raport Millosheviqi do ta ndërronte duke e larguar Riza Sapunxhiun nga kryesia dhe duke e sjellë në vend të tij Sejdo Bajramoviqin, një funksionar komunist nga Kosova, i cili ishte lojal ndaj Beogradit. Kështu raporti i forcave ndryshoi, tani ishte: 4:4, rrjedhimisht kryesia e Jugosllavisë, pra udhëheqja kolektive e shtetit shumëkombësh, ishte e bllokuar, nuk mund të merrte vendime. Palës serbe i duhej edhe një votë për të çuar përpara planet e saj.

Vendimtar në bllokimin e planeve serbe ishte Bogiç Bogiçeviqi, i zgjedhur në Bosnjë-Hercegovinë për të përfaqësuar këtë republikë jugosllave në kryesinë e Jugosllavisë. Këto ditë Bogiçeviq ka folur në televizionin e Sllovenisë për atë periudhë. (Në studio me të ishin edhe Stipe Mesiqi dhe Vasil Tupurkovski). Bogiçeviq tha se roli i tij në kryesinë jugosllave ishte specifik, duke qenë se aty ishte zgjedhur nga të gjithë qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës, nga boshnjakët (myslimanët), serbët, kroatët, hebrenjtë dhe të tjerët – dhe «e kam ndier obligim t’i përfaqësojë të gjithë në kryesinë e Jugosllavisë», pa njëanshmëri dhe diskriminim.

«Natyrisht nga lindja jam serb, me përkatësi i takoj atij kombi, kam lindur në një familje të tillë dhe i tillë kam mbetur. Por, faktin që jam serb nuk e kam shndërruar në profesion dhe zanat. Sot, për fat të keq, në Bosnjë-Hercegovinë një numër shumë, shumë i madh i njerëzve – po flas për Bosnjën -, kombin e kanë shndërruar në profesion dhe urrejtjen në zanat. Dhe këtë punë mirë po e kryejmë në 25 vitet e fundit, gjë që na shpie nga katastrofa në katastrofën tjetër».

Në shumë libra që janë shkruar në Perëndim mbi shpërbërjen e Jugosllavisë thuhet se Sllovenia e Kroacia braktisën Jugosllavinë, ndërsa Serbia kundërshtoi këtë dhe kështu filloi lufta. Bogiç Bogiçeviqi deklaroi në debatin e organizuar nga televizioni slloven se e para që ka braktisur Jugosllavinë ka qenë – Serbia, në verën e vitit 1990, kur ndryshoi Kushtetutën dhe hoqi autonominë e krahinave (Kosovës dhe Vojvodinës), mandej Serbia ekonomikisht, financiarisht dhe ushtarakisht u shkëput nga Jugosllavia dhe bëri të ditur se do t’i respektojë ligjet e federatës vetëm për aq sa i konvenojnë ato. Pastaj, sipas Bogiçeviq, Serbia depërtoi në sistemin monetar të Jugosllavisë dhe i mori 1,4 miliardë dollarë (18 miliardë dinarë sipas kursit të atëhershëm), njëkohësisht i mbajti të gjithë përfaqësuesit e saj në organet federative: në kryesi që të kontrollojë ushtrinë, përfshirë edhe dy përfaqësues të krahinave, në dhomën e republikave dhe krahinave i mbajti delegatët, në qeverinë federative po ashtu i mbajti ministrat (sekretarët federativë).

Sipas Bogiç Bogiçeviqit ministri i Jashtëm amerikan James Baker gjatë qëndrimit në Beograd në fillim të viteve ’90 kishte thënë se Washingtoni nuk do të lejojë shpërbërjen e Jugosllavisë, por ishte Serbia që mezi priste largimin e Sllovenisë nga federata në mënyrë që të ketë shumicën në kryesinë federative. Ndonëse Sllovenia e Kroacia propozuan rregullim konfederal të Jugosllavisë, kjo nuk u pranua, ndërsa më vonë Bosnja dhe Maqedonia propozuan federatë asimetrike, e cila s’u pranua kurrë. Për fat të keq, shtoi Bogiçeviq, luftën e kërkonte Beogradi. Ai tregoi se ndërsa kundërshtonte politikën e regjimit të Beogradit, merrte kërcënime të ndryshme, «do të vrasim, do të therim, thirrje klasike fashiste». Bogiçeviq tha se si politikan ka qenë besnik ndaj vetvetes. «Në jetë mund të tradhtoni kombin, shtetin, partinë, popullin, por kur e tradhtoni veten, atëherë nuk ekzistoni më», tha Bogiçeviq. Ai zbuloi detaje se si Velko Kadijeviqi, ministër i Mbrojtjes i Jugosllavisë në fillim të viteve ’90, udhëtoi në Moskë për të kërkuar ndihmën e rusëve për grusht shteti në Jugosllavi.

Bogiçeviq tregoi se bashkë me Vasil Tupurkovskin ishte angazhuar që të ndërpritej lufta në Slloveni dhe të mos lejohej përhapja e saj më tutje në Kroaci e Bosnjë, sepse «si njeri i lindur atje dhe që ka kaluar jetën në Bosnjë-Hercegovinë e kam ditur se çka domethënë lufta për Bosnjën, kur dihet se asnjë objekt banimi nuk ka qenë etnikisht i pastër, ashtu kemi qenë të përzier».