Të jesh grua dhe e mbijetuar e luftës në Kosovë

Stigman sociale, zbatimi me teke i ligjeve të trashëgimisë dhe politikat jostabile qeveritare kanë vështirësuar edhe më shumë jetën për të mbijetuarat e luftës në Kosovë në kohën kur ajo që kërkohet më së shumti është ndihma për shërimin e plagëve.

Northfoto / Shutterstock.com



Fshati Krushë e Vogël shtrihet në një qoshe në pjesën jugperëndimore të Kosovës dhe ishte skenë e një prej masakrave më të tmerrshme të luftës në Kosovë. Ushtria serbe rrethoi në marsin e vitit ’99 fshatin, duke i mbledhur të gjithë fshatarët. Gratë dhe fëmijët ishin urdhëruar të niseshin drejt Shqipërisë ose ndryshe do të vriteshin. U ekzekutuan pothuajse të gjithë burrat. Gratë u kthyen pas luftës duke i gjetur të vdekur burrat dhe fshatin e tyre të djegur e rrafshuar me tokë.

Gratë me vështirësi të shumta rindërtuan fshatin dhe mësuan si të punonin fushën, një punë që më parë e kryenin burrat. Në një vend ku më pak se dhjetë për qind e femrave janë kryefamiljare, këto gra marrin përsipër përgejgjësinë e mbajtjes së familjeve dhe merren me menaxhimin e biznesit të tyre. Asnjë prej përgejgjësve të masakrës nuk është vënë para drejtësisë.

Imagjinojeni si janë ndjerë këto gra vjet kur një ekip i forenzikës me staf të misionit të sundimit të ligjit të BE-së në Kosovë, EULEX, dhe Departamenti kosovar i Mjekësisë Ligjore u shfaqën në fshat pa asnjë paralajmërim dhe nisën të mihnin varret e tre anëtarëve të një familjeje të vrarë gjatë kohës së luftës. Trupat ishin identifikuar gabimisht dhe ekipi i forenzikës solli me vete mbetjet e identifikuara, pa marrë leje për zëvendësimin e eshtrave.

Kur banorët e fshatit u munduan të ndalnin ekipin e forenzikës që të mos i hapte varret, u vendosën shiritat e verdhë dhe atyre iu ndalua afrimi. Rrjeti Kosovar i Grave, OJQ, ia dërgoi një letër publike EULEX-it, duke sjellë detaje të hollësishme për incidentin dhe se si ishin hedhur poshtë të gjitha shqetësimet e grave të fshatit. Shefi i misionit, Gabriele Meucci, iu përgjigj nëntë ditë më vonë me një kërkim falje të vakët, duke ua dërguar letrën Rrjetit Kosovar të Grave, në vend se t’ua adresonte vetë grave të Krushës së Vogël.

Gratë që kanë humbur anëtarët e familjeve të ngushta në luftë kanë barrë të rëndë edhe vetëm pse janë femra. Të jesh femër në kosovë do të thotë se keni më pak mundësi punësimi. Një studim i kryer së fundi nga grupi i pavarur i mendimit, Demokracia në Zhvillim, ka zbuluar se vetëm 1 në 10 femra janë të punësuara në Kosovë. Boshllëku gjinor i punësimit në Kosovë, 40 për qind, është më i madhi në rajon. I njëjti studim ka dëshmuar se gratë në të shumtën e rasteve janë joaktive në aspektin ekonomik, për shkak të bindjes se përgjegjësitë familjare në shtëpi janë detyrë e grave.

Të jesh grua në Kosovë gjithashtu nënkupton se me shumë gjasë nuk do të trashëgoni asgjë nga pasuria ose prona. Pritja kulturore është se femrat heqin dorë prej pretendimeve të tyre me qëllim që anëtarët meshkuj të familjes të marrin krejt hisen. Kështu ndodh në shumicën e rasteve. Në krejt Krushën e Vogël, vetëm një grua ka gëzuar të drejtën e saj të pronës. Shtëpitë e trasëguara prej shumicës së vejushave janë regjistruar në emër të të afërmve të burrave të tyre të ndjerë. Këta faktorë mund të shpjegojnë pse shtëpitë e prira prej grave në Kosovë ka tendencë të kenë shkallë më të lartë varfërie se ato që prihen prej meshkujve (39.8 për qind krahasuar me 29 për qind, sipas një raporti të sponsoruar nga Agjencia Kosovare për Barazi Gjinore).

E gjithë kjo nënkupton se nëse një gruaje në Kosovë i është vrarë burri në luftë dhe nuk ka një vend pune ose mbështetje familjare, mbështetja vetëm në sistemin social të shtetit mund të kuptohet si jetë në mjerim. Grave që u janë vrarë ose zhdukur burrat në luftë u jepet një asistencë sociale mujore prej 135 eurosh.

Shkollimi dhe kujdesi shëndetësor në sistemin publik falas, si dhe përparësia në punësim janë të garantuara me legjislacionin e Kosovës për viktimat e luftës. Sidoqoftë, këto beneficione zbatohen vetëm kur bëhet fjalë për familje të ish-ushtarëve të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, që kishin luftuar kundër forcave serbe. Për shumicën e viktimave civile të luftës, asistenca financiare mujore e mirëqenies është mbështetja e vetme institucionale që marrin.

Një studim ka treguar se 96 për qind e grave vejusha të luftës kanë përjetuar episode të rënda depresioni dhe se për shumë gra të mbetura vejusha sherri i luftës, martesa e dytë nuk është konsideruar si mundësi e pranueshme nga shoqëria (në kundërshtim me praktikën e meshkujve që kanë humbur gratë në luftë). Një tjetër studim vëren se frika e mbikëqyrjes së bashkësisë dhe thashethemet gjithashtu kanë ndikuar fort që gratë të mos marrin plotësisht pjesë në jetën publike. Në thelb, nevojat e tyre janë të thjeshta dhe brenda sistemit të varfër të mirëqnies në Kosovë: mundësi punësimi, strehim të dinjitetshëm dhe garanci se fëmijët e tyre do ta vazhdojnë shkollimin.

Qeveria e Kosovës dhe EULEX-i janë të detyruara të respektojnë Rezolutën 1326 të OKB-së, që bën thirrje për pjesëmarrje aktive të grave në procesin paqësor pas luftës – kjo nënkupton, në mesin e shumë gjërave, edhe fuqizimin e grave dhe vajzave të prekura nga lufta. Nëse shikoni gjendjen e tanishme në Kosovë, është e qartë kristal se nuk është përmbushur zotimi. Hisedarët e mëdhenj të pushtetit në këtë vend janë pothuajse të gjithë burra; madje edhe kur gratë lidere janë të zonja të flasim zëshëm për të drejtat e grave, kjo nuk ndodh rregullisht.

Të zëmë, ish-zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ishte shefe e negociatave të ndërmjetësuara nga BE-ja për marrëveshjen paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe nuk ka dyshim se është një prej politikaneve më të fuqishme në Kosovë. Pas disa muajsh negociatash, marrëveshja përfundimtare nuk përfshinte asnjë zotim për ngitjen e aktakuzave për rastet e përdhunimeve të kohës së luftës.

Tahiri nisi në verën e kaluar nënshkrimin e një peticioni që i bën thirrje OKB-së të hetojë rastet e përhdunimeve të luftës në Kosovë. Peticioni u nënshkrua nga më shumë se 100 mijë persona deri në gusht të vitit të kaluar dhe opinionit iu tha se peticioni do të dërgohej në shtator 2014 në OKB. Ka kaluar një vit, por peticioni nuk është dërguar, madje pa u dhënë asnjë shpjegim prej Tahirit. Megjithëse një raport i OKB-së për përdhunimet e luftës në Kosovë nuk do të ofronte asnjë garanci për drejtësi për të mbijetuarat, Qeveria e Kosovës ka dështuar ta bëjë edhe veprimin simbolik.

Pavarësisht kësaj, përdhunimet e kohës së luftës mund të jenë vetëm një prej çështjeve të shumta që ndikojnë në jetën e grave të prekura nga lufta që kanë nisur të rrokin vëmendjen e duhur në nivel vendi. Kosova ka kaluar nëpër një rrugë të gjatë prej vitit 2013, kur anëtarët e kuvendit diskutuan gjatë kundër përfshirjes së të mbijetuarave të përdhunimeve të luftës në legjislacion, sipas të cilit ato do të merrnin një mbështetja materiale mujore si viktimat e tjera të luftës. Arsyet dallonin prej kufizimeve buxhetore deri te pamundësia mjekësore për ekzaminimin e aplikueseve për të verifikuara pretendimet, dhe frikës se ato që nuk ishin përdhunuar gjatë luftës, do të mund të abuzonin ligjin.

Të mbijetuarat e përdhunimeve të luftës janë përfshirë në mars 2014 në një kategori të veçantë në ligjin e Kosovës për viktimat e luftës. Ende nuk ka të dhëna të sakta pë rnumrin e personave të përdhunuar në luftën e Kosovës, megjithëse numri dallon prej një shifre të ulët deri në 20 mijë. Presidentja Atifete Jahjaga ka marrë kryetarinë se si të dokumentohen përdhunimet dhe ka ofruar mbështetje qeveritare për të mbijetuarat e përdhunimeve të luftës nëpërmjet një amendamenti të ri.

Jahjaga ka formuar Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarat e Përdhunimeve të Liftës, në mesin e të cilit ka edhe përfaqësues të OJQ-ve që kanë punuar për së afërmi me gra anembanë Kosovës – përfshirë edhe të mbijetuara të përdhunimeve të luftës. Dhe për habi, duket se futja e tyre është reflektuar në mënyrat se si amendamenti do të zbatohet hap pas hapi. Ta zëmë, viktimat e përdhunimeve të luftës kur të aplikojnë për asistencë financiare të garantuar me ligj, nuk do të jenë të detyruara të kenë dëshmitarë.

Në përvjetorin e parë të krijimit këshillit, Jahjaga bëri të ditur në mars krijimin e një komisioni me mandat pesëvjeçar, që do të dokumentojë plotësisht të gjitha pretendimet. Ajo ka vënë theksin te rehabilitimi i të mbijetuarave, përshirë punësimin, mbështetjen psikologjike, kujdesin shëndetësor dhe qasjen në drejtësi – një qasje e mirëpritur që shkon përtej mbështetjes financiare mujore.

Qasja me dorë të zgjatur e Jahjagës ndaj çështjes e dallon atë prej të gjithë presidentëve pararendës, që kishin premtuar veç fjalë. Por sa e lehtë do të jetë për të mbijetuarat që të flasin në fshatra e qytete të Kosovës, ku përballen me pengesa të shumta shoqërore, hiq stigmën e përdhunimit? Po puna e grave të tjera të prekura nga lufta, si rasti i grave të Krushës së Vogël, që nuk kanë figura publike, si presidentja, që t’u prijnë në mbrojtje të kauzës së tyre?

Një gjë dihet fort mirë: Kosova duhet t’u japë grave të saj mundësinë për shërimin e plagëve të luftës. E këtë duhet ta bëjë me dinjitet dhe pa i gjykuar.

BURIMI«opendemocracy.net»