Të izoluar dhe të poshtëruar

Një ese mbi regjimin e vizave kundër shtetasve të Kosovës.



Dikur ishte ndryshe. Udhëtimet nga Ballkani drejt Europës Perëndimore planifikoheshin shpejt, pothuaj spontanisht. Një valixhe e mbushur me rrobe, nja 500 marka gjermane dhe pasaporta e kuqe jugosllave në xhep mjaftonin për t’u nisur drejt stacionit të trenit në Fushë-Kosovë, në Ferizaj apo në Bujanoc. Sot këto stacione hekurudhore janë në gjendje të mjerë, gati asnjë gjurmë nuk ka mbetur nga fama e dikurshme, kur trenat që niseshin në Greqi përshkonin gjithë Ballkanin në rrugë drejt Europës. Këta trena ndalonin edhe në Fushë-Kosovë, në Ferizaj apo në Bujanoc dhe në vagonët e vjetër hipnin qindra e mijëra shqiptarë, serbë, romë.

Dikur pothuaj të gjitha rrugët të çonin në qytetet kufitare të Italisë, sidomos në Trieste, ku shtetasit e Jugosllavisë bënin pazaret fitimprurëse. Blinin një grumbull xhinsa dhe i ofronin për shitje nëpër pazaret e Prishtinës, Pejës e Gjilanit. Fitimet mjaftonin për të blerë artikuj ushqimorë dhe për të pirë ndonjë birrë në kafehanet e lagjes. Disa kosovarë të tjerë e zbulonin botën lindore, shkonin në Poloni e Çekosllovaki, sepse ishin të bindur se atje ekzistonte një botë hedoniste. Shpesh nuk zhgënjeheshin.

Kjo botë ka perënduar, ajo u kujtohet vetëm gjeneratës së kosovarëve të moshës mbi 50-vjeçare. Me shkatërrimin e Jugosllavisë në fillim të viteve ‘90 për shumicën e popujve të Ballkanit mori fund edhe mundësia e udhëtimit pa viza. Nga frika e vërshimit të Europës Perëndimore nga mijëra njerëz, kryesisht viktima të luftërave, shtetet europiane mbyllën kufijtë. Shqiptarët e Kosovës, boshnjakët, shtetasit e Maqedonisë, malazezët dhe serbët e humbën një pjesë të rëndësishme të lirisë – lirinë e lëvizjes.

Ka kaluar një çerekshekulli nga fillimi i shpërbërjes së Jugosllavisë. Sllovenët dhe kroatët gjatë kësaj kohe kanë udhëtuar përherë pa viza, ndërkohë edhe boshnjakët, serbët, maqedonasit, malazezët dhe shtetasit e Shqipërisë udhëtojnë pa viza. Kanë mbetur vetëm shtetasit e Kosovës. Regjimi i ashpër i vizave kufizon lirinë e tyre të lëvizjes. Radhët e gjata të njerëzve që presin para ambasadave dhe përfaqësive konsullore për të marrë një vizë janë shndërruar në sinonim të pritjes së Kosovës për t’u integruar në BE. Regjimi i vizave i ka goditur në radhë të parë të rinjtë, ata që mes moshës 15 dhe 25 vjeçare do duhej të zbulonin botën, të zbulonin kultura të tjera dhe modele të tjera të zhvillimit shoqëror. Vizat kanë pamundësuar shkëmbimet mes sistemeve të shkollimit të lartë, shumë profesorë universitarë dhe akademikë pothuaj nuk kanë kontakte me kolegët e tyre në Europë. Pamundësia e lëvizjes pengon edhe zhvillimin ekonomik. Një tregtar apo pronar fabrike në Kosovë duhet të kalojë barrierën e lartë të vizës për të udhëtuar në vendet e Europës Perëndimore me qëllim të krijimit të kontakteve me partnerë afaristë.

Të vetmit që e kanë hequr barrierën e vizave janë kriminelët dhe – politikanët. Përmes bashkëpunimit të krimit të organizuar transnacional hajdutët kanë gjetur mundësi për të kapërcyer të gjithë kufijtë. Kanë pësuar, ndërkaq, të rinjtë, siç u përmend me lart. Grupe të shoqërisë civile kanë bërë presion ndaj BE-së prej vitesh që, më në fund, të heq vizat dhe, në këtë mënyrë, qytetarëve të Kosovës t’ua kthejë një pjesë të rëndësishme të lirisë – lirinë e lëvizjes. Për të arritur këtë liri Kosova duhet të plotësojnë një katalog kushtesh të vendosura nga BE. Ndër kushtet kryesore numërohen kontrolli i rreptë i kufijve, në mënyrë që të pengohet shkuarja e refugjatëve në Europë nga vendet e Lindjes së Afërt dhe Azisë (sirianëve, kurdëve, irakianëve, afganëve etj.).

Për të siguruar këtë nevojiten trupa policore të specializuara dhe të pajisura me mjete teknike, siç janë aparatet për vëzhgim gjatë natës, patrullat mobile për reagim të shpejtë. Kusht tjetër i rëndësishëm është një sistem funksional i trajtimit dhe akomodimit të refugjatëve të kapur në kufi, të cilët duhet t’i nënshtrohen procedurës së azilkërkimit, shqyrtimit dhe pranimit apo dëbimit në vendet prejardhëse. Kushti i radhës është pajisja e qytetarëve me pasaporta biometrike, të cilat me të dhënat e tyre që përmbajnë janë burim i rëndësishëm informacioni për policitë e vendeve të Schengenit. Shumë nga këto kushte Kosova i ka plotësuar viteve të fundit. Dhe prapë mbetet e ndëshkuar për shkak të paaftësisë së politikës për të zgjidhur çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Kosova po ashtu është obliguar të pranojë shtetasit e saj, të cilët kërkojnë azil në vendet e Europës Perëndimore ose qëndrojnë ilegalisht atje, për shembull nëse në shtetet e BE-së qëndrojnë më shumë se tre muaj. Paralelisht me këto masa shtetet duhet të organizojnë fushata publike për informimin e qytetarëve mbi kushtet e lirisë së lëvizjes në vendet e Schengenit. Qytetarët duhet ta kuptojnë se heqja e vizave nuk domethënë se ata mund të punojnë në vendet e BE-së ose të qëndrojnë sa të duan në territoret e këtyre shteteve.

Pas liberalizimit të vizave për qytetarët e Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, grupe kriminale që merren me kontrabandimin e njerëzve në viset e banuara me shqiptarë në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës plasuan gënjeshtrën se heqja e vizave mundëson edhe fitimin e statusit të azilantit në Belgjikë dhe në disa vende nordike, siç është Suedia. Për pasojë disa mijëra shqiptarë nga Maqedonia dhe Lugina e Preshevës u vërsulën drejt Europës. Nga disa fshatra të rrethit të Kumanovës për çdo ditë niseshim dhjetëra autobusë drejt Belgjikës. Ky zhvillim shkaktoi shqetësime në Bruksel dhe politikanët e BE-së kërkuan nga Qeveria në Shkup që t’i njoftojë më mirë qytetarët e saj se çfarë domethënë heqja e vizave. Njëkohësisht Qeveria e Belgjikës organizoi kthimin e atyre personave që kishin keqpërdorur liberalizimin e vizave për të kërkuar azil. Mbi 100 mijë qytetarë të Kosovës nuk panë arsye të presin liberalizimin e vizave. Ikën nga Kosova në dimrin e vitit 2014/15 të dëshpëruar mbi mungesën e perspektivës.

Si pengesë për liberalizimin e vizave paraqitet, gjithsesi, edhe imazhi i keq i Kosovës në opinionin europian. Kosova, për fatin e keq të qytetarëve të saj, ende konsiderohet si qendër e trafikimit të qenieve njerëzore, e krimit të organizuar dhe si oazë për kontrabandimin e drogës drejt Europës. Shpeshherë raportet në mediat eUropiane për Kosovën janë të ekzagjeruara, shpesh Kosova në mënyrë paushalle degradohet si vatër e krimit që paraqet rrezik për Europën. Raportet për korrupsionin endemik të strukturave qeveritare gjithashtu e dëmtojnë rëndë imazhin e Kosovës. Dënimi i grupeve të dilerëve të drogës nga Kosova në vendet e Europës jo rrallë dominon kronikat e zeza të mediave. Me një fjalë: imazhi i Kosovës është aq i keq sa është bërë pengesë për liberalizimin e vizave dhe për integrimin e vendit në BE.

Situata e paqartë e Kosovës në arenën ndërkombëtare për shkak të refuzimit të pesë vendeve të BE-së për të pranuar pavarësinë e vendit është një pengesë tjetër. Nuk ka garanci që nëse kalon demarkacioni në parlamentin e ardhshëm, vizat do të hiqen automatikisht. Autoritetet e Kosovës gjenden para detyrave të mëdha. Më 11 qershor qytetarët e Kosovës duhet të zgjedhin ata politikanë që garantojnë se do të përballen me këto sfida.