Të humbur në takime provinciale

Ndërsa në Prishtinë pritet me fanfarë presidenti i Shqipërisë, kryeministrja serbe kthehet nga Brukseli me tri lajme: deri në fund të vitit hapen kapituj të rinj për anëtarësimin e Serbisë në BE, në fillim të 2018 Beogradin do ta vizitojë kryetari i Parlamentit Europian, në pranverë vjen presidenti i Komisionit Europian.



Politikanët e Prishtinës dhe Tiranës nuk janë parë moti. Andaj kanë nevojë të shihen më shpesh, të koordinojnë punët, të flasin për projekte, efektet e të cilave nuk i sheh askush, sidoqoftë gati krejt anëtarët e qeverisë së re të Kosovës kanë qenë tashmë në Tiranë. Me rëndësi të shkosh, s’ka lidhje a ke ndonjë sebep apo jo. Me rëndësi të dalësh pak në televizionet «mbarëkombëtare», të cilat gati kurrë s’bëjnë asnjë gjysmë pyetje kritike mbi efektin e këtyre vizitave. Efekti është zero, ndërsa arkat e shtetit zbrazen.

Meqë politikanët e Prishtinës dhe Tiranës nuk janë parë moti, të mërkurën erdhi në kryeqytetin e Kosovës presidenti i Shqipërisë. Opinionit iu prezantua një deklaratë e përbashkët e të dy presidentëve, ku ishin përmbledhur disa të vërteta banale. Duam të hyjmë në BE, Europa mbetet synimi ynë i vetëm, duam këtë, duam atë. Kishte edhe ca përbetime që i dëgjojmë qe së paku 20 vjet: do t’i plotësojmë të gjitha kushtet. Nuk mungoi edhe ana pavullnetshëm humoristike e vizitës: njëri president tha: «Duam pasaporta të Shqipërisë», tjetri u përgjigj: «Kjo nuk është zgjidhje».

Për shkak të aktiviteteve «patriotike» të shtetasve shqiptarë në Holandë, autoritetet e këtij vendi kanë propozuar madje kthimin e vizave për Shqipërinë. Natyrisht Holanda nuk mund të vendosë vetë për këtë, por vetëm fakti se një gjë e tillë përmendet do të ndikojë që Shqipëria të refuzojë të lëshohet në aventura për dhënien masive të pasaportave shtetasve të Kosovës. Por, për të argëtuar opinionin mund të themi se presidentët sot vendosën të hapin në Kukës një zyrë pasaportash. Këto janë llafet e provincës. Nuk mungoi edhe një medalje për presidentin e Shqipërisë. Dhe nuk do të mungojë as një medalje nëse homologu i tij zbret së shpejti në Tiranë. Kovaçhanat e Kosovës dhe Shqipërisë punojnë. 24 orë.

Pasi kanë pushuar tingujt e fanfarës në Prishtinë, për Serbinë vijnë lajme të mira nga Brukseli: kryeministrja e këtij vendi ka qëndruar në kryeqytetin e Europës në një vizitë dyditore. Nga atje është kthyer në Beograd me këto sihariqe: deri në fund të vitit hapen kapituj të rinj për anëtarësimin e Serbisë në BE, në fillim të 2018 Beogradin do ta vizitojë kryetari i Parlamentit Europian, në pranverë vjen presidenti i Komisionit Europian. Ndërsa kryeministrja serbe zhvillonte takime në Bruksel, në Beograd premtonte investime kryetari i Turqisë. Aktualisht shkëmbimi tregtar mes dy vendeve është 800 milionë dollarë, deri në fund të vitit synohet të kalojë një miliard, ndërsa synim i kryetarit turk është që shkëmbimi tregtar të rritet në tre deri pesë miliardë euro.

Si po ia arrin kësaj Serbia? Me sa duket me politikë pak më të mirë, më agresive, më inovative, pse jo edhe me propagandë më të fuqishme. Sepse do të ishte e pasaktë të thuhej se Serbia po përparon në integrimet europiane për shkak se europianët janë proserbë dhe investitorët turq po vijnë për shkak se turqit që nga Beteja e Gazimestanit kanë qenë proserbë.

Kosova dhe Shqipëria po e paguajnë çmimin e ngecjes shumëvjeçare. Tek në vitin 2017 në Tiranë flitet për vendosjen e sistemit të drejtësisë. Në Kosovë situata me drejtësinë është aq bizare, saqë kryeministri përtej kompetencave të tij thotë: «I jap një muaj afat prokurorisë…». Kështu mund të flitet në Zimbabve, jo në një vend që ka ambicie të anëtarësohet në BE. Tepër gjatë elitat politike në Tiranë dhe Prishtinë kanë menduar se pa marrë parasysh çfarë marrëzish e aferash prodhojmë, Perëndimi nuk do të na lë në baltë. Do të na marrë përdore, sepse jemi komb tolerant, ku ke parë ti një komb me tri fe, i cili jeton në paqe të përhershme, me respekt të madh për njëri-tjetrin etj. etj. Me radikalizmin fetar edhe ky model po vihet gjithnjë e më shumë në dyshim. Përballë politikanëve milionerë (me vetura të shtrenjta, vila të shtrenjta, patundshmëri të shtrenjta në bregdet dhe në botën e jashtme) shqiptarët andej e këndej kufirit po e humbin besimin se vendet e tyre do të bëhen shtete funksionale. Kur humb besimi, rritet eksodi. Të gjitha statistikat tregojnë se në dekadën e fundit qindra-mijëra shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova janë larguar në drejtim të Perëndimit.

Në të njëjtën kohë shqiptarët kurrë nuk kanë qenë me kreativë, sidomos në botën e jashtme. Duke shfrytëzuar liritë ekonomike dhe sociale ata i japin impuls ideve të reja. Këtë dinamikë shumë njerëz do të ishin të gatshëm ta sillnin në vendet e prejardhjes – Kosovë dhe Shqipëri, por të paktë janë ata që ia dalin, sepse pengesë kryesore mbetet mentaliteti i bakshishit, i rrënjosur thellë në administratat tona. Nëse edhe më tutje politikanët fusin kokën në zall, nëse nuk do të ketë një zgjim të të gjitha shtresave, atëherë shtangia e shoqërisë do të vazhdojë si pasojë e depresionit mental. Dhe ne do të shohim edhe më tutje në televizor takime mes presidentëve, kryeministrave, ministrave dhe – zot ruana – zëvendësministrave. 50 andej, 50 këndej. Jemi një. Me llafe.