Të huaj jemi

Ismail Kadare



Të huaj jemi ne prej kohësh,
Ç’ish për t’u thënë është thënë,
Si gurët që zënë vend në tokë,
Në jetë vend ne kemi zënë.

Drejt njëri-tjetrit ne kemi mbyllur
Të gjitha rrugët edhe shtigjet,
Si dy qytete mesjetare
Me mure, heshta dhe me pirgje.

Por natën, kur i lodhur truri,
Portat i mbyll me qetësi,
Ti gjen një shteg dhe futesh brenda,
Një shteg që vetëm ti e di.

Pastaj si në rrugica parqesh,
Shëtit mes cirkovolucionesh,
Hyn nëpër ëndrra e shkujdesur,
Fanitesh, qesh, ma bën me dorë.

Por kur mëngjesi zë afrohet,
Nis shqetësohesh befas ti,
Dhe heshturazi del përjashta
Nga shtegu, që veç ti e di.

E dita vjen. Rrjedh prapë jeta.
Dhe ne të dy si dhe më parë
Të ftohtë rrimë dhe të pamposhtur
Si dy qytete mesjetarë.