Të harruarit e kontinentit

Revista gjermane «Der Spiegel» në numrin më të ri shkruan mbi mjerimin në Kosovë dhe ngrit akuza të rënda kundër politikanëve kosovarë si Haradinaj dhe Thaçi.

Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi.



«Bashkimi Europian po e humb ndikimin mes Bosnjës dhe Maqedonisë. Njëkohësisht po e rrisin ndikimin investitorët nga Turqia dhe fanatikët fetarë. Retorika nacionaliste po kthehet pas». Kjo është esenca e një teksti të gjatë të revistës gjermane «Der Spiegel» mbi gjendjen në Kosovë, Maqedoni dhe Bosnjë.

Gazetarët shkruajnë me ton kritik sidomos mbi dy figura politike të Kosovës: Ramush Haradinajn dhe Hashim Thaçin. Për Haradinajn thuhet se në jetën e tij të dikurshme ka qenë i akuzuar për krime kundër njerëzimit në 37 raste, mes tyre vrasje dhe torturë, por i ka shpëtuar dënimit për shkak se «dëshmitarët në çastin e fundit hoqën dorë nga dëshmia ose vdiqën befas». Sipas «Der Spiegel» në një raport të policisë së OKB-së veterani i UÇK-së Haradinaj fajësohet për tregti me kokainë. Në vitin 2005 shërbimi sekret gjerman në një analizë e ka përshkruar atë si kokë të një grupi, i cili merret me «tërë spektrin» e aktiviteteve kriminale. Megjithatë, pas zgjedhjeve të fundit, në të cilat një aleancë e ish-luftëtarëve mori 34 për qind të votave, Haradinaj fitoi të drejtën të kërkojë partnerë koalicioni për të formuar qeverinë.

Në lidhje me gjasat që rajoni të anëtarësohet në BE, «Der Spiegel» është skeptik: «Mes territoreve të shteteve anëtare të BE-së Kroacisë dhe Greqisë gjenden gjashtë shtete të Ballkanit perëndimor, shanset e të cilave për t’u anëtarësuar në BE në të ardhmen e afërt janë të vogla». «Der Spiegel» citon ish-ministrin e Jashtëm të Çekisë, Karel Schwarzenberg, i cili para disa vitesh kishte thënë se Ballkani rrezikon të shndërrohet në «nitroglicerinë nën bythën tonë». Nitroglicerina është mjeti shpërthyes.

Në kuadër të tekstit të gjatë për gjendjen në Ballkan «Der Spiegel» citon edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, i cili ankohet se BE është vonuar të jetë e pranishme në rajon dhe kështu u ka lënë hapësirë të tjerëve, për shembull «islamistëve radikalë». Thaçi ankohet edhe për «rritjen e nacionalizmit» në rajon dhe ndikimin rus gjithkund ku jetojnë serbët. Në prill edhe Thaçi ishte kërcënuar me bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet në Ballkan, por tani ai i tha revistës gjermane se ishte keqkuptuar.

Pa iu referuar asnjë burimi «Der Spiegel» shkruan se hetuesit prej vitesh po e ndjekin Thaçin dhe pikërisht tani atij i kërcënohet një aktakuzë nga një tribunal i veçantë në Hagë për shkak të krimeve të rënda të luftës. Në lidhje me këtë rrezik Thaçi deklaroi se – së pari – nuk ka qenë komandant ushtarak, por politik i UÇK-së dhe – së dyti – asnjë gjykatë e kësaj bote nuk mund ta rishkruajë historinë – «nuk kemi asgjë për të fshehur», tha ai.

«Der Spiegel» përshkruan me ironi tavolinën e punës të Thaçit, ku ai kinse me shkujdesje ka vendosur libra të ish-luftëtarëve të rrugës si Joschka Fischer dhe Gerry Adams, të cilët janë bërë burra shteti. «Presidenti i Kosovës dëshiron të tregojë se nuk ka të bëjë asgjë me Thaçin e dikurshëm, për të cilin në një raport të shërbimit sekret gjerman thuhet se kontrollon <në tërë Kosovën një rrjet aktiv kriminal>».

Në bisedë me «Der Spiegel» Thaçi tregohet i zemëruar: «Serbia është shtet i dështuar në Ballkanin perëndimor, asgjë më shumë, burim i të gjitha të këqijave në rajon; Serbia po bllokon në Bosnjë, po shkel sovranitetin e Kosovës dhe të Malit të Zi». Kështu flet një politikan që me vite të tëra ka negociuar me Serbinë, ka nënshkruar marrëveshje konfuze, të cilat i ka quajtur historike dhe është përpjekur të bind opinionin kosovar se Serbia «faktikisht e ka njohur pavarësinë e Kosovës». Këto detaje me gjasë nuk i dinë gazetarët e «Der Spiegel», të cilët, si shpeshherë më parë, vazhdojnë të përsërisin marrëzinë se njohja e pavarësisë së Kosovës është një mëkat i të drejtës ndërkombëtare në Europën e pasluftës. E vërteta është se ekziston një mendim i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që e bekon juridikisht aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pa përmendur këtu edhe shumë argumente të tjera në favor të pavarësisë së Kosovës.

Për dallim nga «Der Spiegel» ka media të tjera gjermane (si «Frankfurter Allgemeine Zeitung») që me të drejtë theksojnë se pavarësia e Kosovës e ka stabilizuar rajonin. Mund të merret me mend sa stabil do të ishte sot Ballkani nëse çështja e Kosovës do të ishte ende e pazgjidhur. (-lli)