Të habitur në qorrsokak

Një entuziazëm i lehtë e kaploi botën shqiptare pasi nobelistja gjermane Herta Müller në Beograd ua përmendi serbëve të kaluarën e errët. Fakti se si shoqëri shqiptare me dy shtete nuk kemi qenë në gjendje të sjellim kurrë në viset tona një autore si Müller flet shumë për djerrinën tonë kulturore. Neve na mjafton përkëdhelja e ndërsjellë provinciale.

Herta Müller.



I.
I keni parë kokat e kombit? Universiteti i T. nderon me titullin «honoris causa» filan personalitetin, pastaj Universiteti në P. e nderon presidentin e Sh. me titullin «honoris causa», mandej bëhen bashkë udhëheqësit e tri universiteteve provinciale shqiptare (nga K., M., Sh.), zënë vend në një hotel buzë detit në D. dhe i tregojnë botës se kanë organizuar një «konferencë shkencore ndërkombëtare». Pak a shumë ngjashëm shkojnë punët edhe me çmime letrare. «Ata andej» na «nderojnë neve këndej», pastaj, meqë «jemi një», «vëllezër e motra», edhe ne ua kthejmë me po aq dashamirësi – me çmime, mirënjohje dhe «honoris causa». Kështu jemi të kënaqur të gjithë, sepse gjendemi brenda arealit tonë provincial. Po të kapërcenim gardhin, do të duhej të mateshim me vlera të tjera. Një shoqëri nuk ka ecur kurrë përpara në garë mes lagjeve e mëhallëve.

II.
Këto ditë një entuziazëm i lehtë e kaploi botën shqiptare pasi nobelistja gjermane Herta Müller në Beograd ua përmendi serbëve të kaluarën e errët. Fakti se si shoqëri shqiptare me dy shtete nuk kemi qenë në gjendje të sjellim kurrë në viset tona një autore si Müller flet shumë për djerrinën tonë kulturore. Neve na mjafton përkëdhelja e ndërsjellë provinciale. Serbia, tha Müller, i ka shkaktuar vetes dëm dhe qytetarët e saj duhet të jetojnë me të vërtetën se ata vetë i kanë shkaktuar vuajtje vetes. Müller qëndroi në Beograd në kuadër të Panairit të Librit. Jo vetëm tani shtrohet pyetja: kush merr pjesë nga figurat prominente në panairet tona të librit? Nuk duhet të godasim veten me kamxhik, kjo nuk është rruga e duhur, por gjithsesi duhet pyetur: çfarë kemi bërë e po bëjmë për të braktisur shkretëtirën tonë kulturore të reduktuar në rrahje supesh mes gjenive të kombit nga P. dhe T.

Në Beograd Müller u ballafaqua me pyetje agresive mbi përkrahjen e sulmeve të NATO-s kundër Serbisë më 1999. Por, me sa duket publiku i kryeqytetit serb e ka nënçmuar stoicizmin e autores gjermane. Ajo tha se ndërhyrja ushtarake është «pozicion njerëzor dhe moral», kur bëhet përpjekje që njëra palë të humb gjithçka dhe të mposhtet nga pala tjetër. Müller nuk kishte nevojë të theksonte më shumë se çfarë po mendonte, ishte e qartë: më 1999 synimi i Serbisë ishte shfarosja e një populli dhe për këtë arsye ndërhyri bashkësia ndërkombëtare perëndimore. Sepse, siç tha Müller, njerëzit që sulmohen duhet të kenë përkrahje nga jashtë nëse vetë s’mund të mbrohen nga një fuqi më e madhe. «Nuk jam pacifiste», nënvizoi Müller.

«Kush zhvillon katër luftëra brenda nëntë viteve dhe në mënyrë pragmatike ndërton varreza si qytete, ai s’mund të ndalet me fjalë. Do të isha e lumtur nëse NATO do të hynte në Rumani, por kjo s’ndodhi dhe rumunët luftuan kundër rumunëve për t’i dhënë fund Çausheskut». Kështu ka shkruar Müller gjatë luftës së Kosovës dhe me këtë citat ajo u ballafaqua në Beograd nga një gazetar gjerman që moderoi takimin me të. «Njëjtë mendoj edhe sot. Shumë gjëra kanë ndodhur. Kosovës dhe Bosnjës u janë shkaktuar shumë të këqija. Ishte nacionalizmi i pështirë që i bëri këto. Kam qenë e tronditur. Nuk e kam pritur nga një vend si Jugosllavia, e cila për ne ishte gjysmëparajsë, që brenda tij të shpërthejë nacionalizmi. Por, ky vend i ka bërë vetit dëm dhe i ka shkaktuar vuajtje. Serbët i kanë shkaktuar vetes të keqen».

III.
Herta Müller u lind në vitin 1953 në një fshat në trevën e Banatit në Rumani. Ajo është pjesëtare e pakicës gjermane të Rumanisë, prej nga u largua në vitin 1987. Por, nga Rumania nuk arriti të shkëputet kurrë: represioni brutal i regjimit komunist dhe presioni e përcjellja nga ana e shërbimit sekret e kanë bërë këtë autore shumë të vetëdijshme mbi sistemet diktatoriale dhe rrezikun që buron prej tyre. Më 2009 Müller u nderua me çmimin Nobel për Letërsi për veprën e saj shpeshherë tronditëse mbi njeriun që synon të mbijetojë brenda aparatit të terrorit. Në vitin 1999 kishte shkrimtarë gjermanë si Martin Walser, për shembull, i cili në lidhje me luftën e Kosovës thoshte: «Një politikë që çon në luftë, duhet të ketë qenë politikë krejtësisht e gabuar. Lufta nuk fitohet, madje kjo luftë assesi – ashtu siç nuk u fitua lufta e Vietnamit».

Krejt ndryshe mendonin shkrimtarë të gjeneratës së re, ta zëmë Durs Grünbein: «Nuk duhet të jesh idealist për të parë se bomba mund të jetë mjet edukimi, siç e dimë nga Gjermania. Atje një popullsie jashtëzakonisht kryeneçe nacionalizmi iu shkul si një dhëmb i kalbur». Fiset që s’marrin vesh duhet të edukohen nga jashtë – kështu mendonte Grünbein. Serbisë nuk i është shkulur ende nacionalizmi, por së paku ish-radikalët e dikurshëm nuk po guxojnë të çirren publikisht se do t’ua nxjerrin sytë kroatëve me lugë të ndryshkur dhe shqiptarët do t’i përzënë matanë Bjeshkëve të Nemuna.

IV.
Ka gjermanë që edhe sot me ton vetëqortues thonë se pas Hitlerit më 1999 një kancelar tjetër gjerman bombardoi Beogradin. Të tillëve Müller u ka dhënë një përgjigje që në vitin 1999: «Nuk e kuptoj qëndrimin arrogant ndaj NATO-s, të cilin e demonstrojnë plot njerëz. Deri më 1987 kam jetuar në Temishvar të Rumanisë, dy orë rrugë larg Beogradit dhe me vite kam mundur të shoh televizionin jugosllav. Që atëherë vazhdimisht kishte trazira në Kosovë, të cilat shtypeshin me polici dhe ushtri. Pas luftërave në Kroaci dhe Bosnjë radha i erdhi Kosovës, së shpejti i vjen radha Malit të Zi. Millosheviqi duhet të ndalet tash njëherë e përgjithmonë. Atë njeri e ka zënë dalldia. Nuk pritet realizëm prej tij. Ai po e tërheq popullin e tij në kohën e gurit për të ruajtur pushtetin. Shpresoj që karriera e tij të përfundojë para Tribunalit të Krimeve të Luftës».

V.
Me këtë kompas moral Müller qëndroi në Beograd, tha atë që mendon, nuk u pajtua me bashkëbiseduesit e saj dhe vazhdoi rrugën për në Gjermani. Pas mbetën disa serbë të zemëruar me një shkrimtare, e cila nuk i tradhton vlerat humane dhe me përbuzje shikon kolegët e saj në «Francuska 7», selia e Shoqatës famëkeqe të Shkrimtarëve të Serbisë. Me pak vonesë për debatin e nobelistes Müller mësoi edhe opinioni shqiptar. I habitur në qorrsokak ky opinion mbetet i shkëputur nga debatet e rëndësishme. Nuk është se shteti nuk ka buxhet për të organizuar ndonjë aktivitet kulturor, ndonjë debat të hairit, për të ftuar ndonjë personalitet të rangut ndërkombëtar. Problemi është te injoranca, te bindja se kështu, mes filxhanit të kafesë dhe fantazmave tona, jemi krejtësisht në rregull. Lufta ka mbaruar dhe ardhmërinë po e presim të vijë një ditë.