Të gjithë jemi stalinistë në çështjen siriane

Politikanët perëndimorë duhet të hartojnë një kornizë politike kundrejt Sirisë që merr në konsideratë ndryshimet e paparashikueshme në reagimin publik, ndërmjet indiferencës dhe zemërimeve të herëpashershme. Ata politikanë që zakonisht kanë menduar se zemërimi i votuesve të tyre mund të mbahet i frenuar, në fund janë ndëshkuar, komenton «Financial Times».

Ilustrimi: Shutterstock

«Një vdekje e vetme është tragjedi, një milion të vdekur janë statistikë» – kjo thënie e Josef Stalinit merret si shembull i çnjerëzores – e kundërt me vlerat njerëzore dhe liberale të proklamuare me vendosmëri në Perëndimin demokratik.

Por kur vjen puna te lufta në Siri, Perëndimi po jeton me thënien e Stalinit. Kështu po bën edhe bota mbarë. Gjatë katër viteve të fundit, kam shkruar shumë shkrime për tmerret e statistikave të plota të Sirisë. Në vitin e parë theksova se vdiqën më shumë se pesëdhjetë mijë sirianë; vitin tjetër numri shkoi në njëqind mijë; vitin pasues në dyqind mijë. Tani shifra mund të ketë kaluar katërqind mijë. Një gjë që nuk ka ndryshuar është se shkrimet për Sirinë rrokin vëmendjen e pak lexuesve.

Sidoqoftë, tani dhe atëherë, një rrëfim a fotografi individuale e tragjedisë shkakton rikthim të përkohshëm të vëmendjes së Perëndimit. Herën e fundit ndodhi vjet kur u publikua fotografia e trupit të pajetë të Alan Kurdit, që nxiti zemërim anembanë botës. Kishte diçka të padurueshme që nxiste kjo fotografi e një djaloshi tre vjeçar që dallgët e detit e kishin nxjerrë në brigjet turke. Ende i kishte pantallonat e shkurta veshur me këpucët dhe kanotieren e qullur të trupit të pajetë të njomakut. Dhe ka diçka misterioze dhe kapriçioze në këto fotografi që nxjerrin anën më të ndjeshme të krijesës njerëzore. Një mik i imi, që kishte raportuar për luftën në Siri prej shpërthimit të saj, theksonte: «Ka vite me radhë që kam postuar fotografi të fëmijëve të vdekur sirianë. Zakonisht kalonin pa u bërë e madhe».

Ka pasur një çështje të ngjashme kapriçioze në reagimin e Perëndimit në lidhje me fundosjet në det. Në muajin tetor 2013, vdekja e më shumë se treqind refugjatëve në Mesdhe, afër ishullit të Lampedusës, provokoi zemërim ndërkombëtar, dhe shtyri Italinë dhe pastaj BE-në që të merrte masa për rritjen e përpjekjeve të shpëtimit.

Dhe jo më larg se javën e kaluar, më shumë se njëqind persona që po mundoheshin të kalonin në Europë, u fundosën në brigjet e Egjiptit. Tragjedia e tyre pothuajse nuk ishte mbuluar fare prej mediave perëndimore. Numri i të vdekurve në Mesdhe duket se do të arrijë një shifër rekorde sivjet, por shumica e opinionit duket se nuk po lodhet për këtë punë.

Politikanët perëndimorë duhet të hartojnë një kornizë politike kundrejt Sirisë që merr në konsideratë ndryshimet e paparashikueshme në reagimin publik, ndërmjet indiferencës dhe zemërimeve të herëpashershme. Ata politikanë që zakonisht kanë menduar se zemërimi i votuesve të tyre mund të mbahet i frenuar, në fund janë ndëshkuar.

Verën e kaluar kur po shihnim shumë gjermanë që kishin nxjerrë pankartat «refugjatët janë të mirëseardhur këtu», Angela Merkel vendosi t’i merrte këto fjalë seriozisht dhe i hapi dyert e Gjermanisë për më shumë se një milionë emigrantë. Por pas shënimit të suksesit në zgjedhje rajonale të së djathtës ekstreme, Merkel kërkoi falje për politikën e saj të refugjatëve. Vjet ishte keqardhja ajo që i kishte dhënë zemër zonjës Merkel.

E sa për Barack Obaman, kur vjen puna te siria, presidenti amerikan është akuzuar se është treguar i ftohtë dhe i ndjeshëm njëherësh. Shumë liberalë amerikanë besojnë se dështimi për të ndërhyrë për të ndaluar kërdinë do të ngelet njollë në reputacionin e zotit Obama. Por presidenti është njëherësh nën presion të sulmeve të pashembullta nga e djathta pse dëshiron të lejojë më shumë refugjatë sirianë në SHBA. Zemërimi i fundit lidhur me bombardimin rus të një konvoji me ndihma në Siri duket si një pikë kthese në debatin publik perëndimor. Por përvoja na dëshmon se interesimi i përnjëhershëm për Sirinë përnjëherë shndërrohet në konfuzion dhe indiferencë. Zoti Obama e di se reagimet emocionale të çastit janë udhërrëfyes që të tradhtojnë në politikë.

Vetë presidentit i ka humbur udha. Ai lavdëroi javën e kaluar në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Alexin, një djalosh gjashtë vjeç, që i kishte shkruar Shtëpisë së Bardhë që t’i ofronte strehim Omran Daqneeshit, djaloshit pesëvjeçar, që ishte protagonist i fotografisë së sivjetme «shokuese» nga Siria. Omrani ishte fotografuar i vërshuar nga gjaku dhe pluhuri pasi ishte nxjerrë prej një shtëpie të bombarduar në Alep. «Të gjithë mund nxjerrim mësime prej Alexit», theksoi zoti Obama.

Sidoqoftë, herë të tjera presidenti amerikan duket se ka qenë fatalist, siç edhe i kishte thënë gazetarit Jeffrey Goldberg, «bota është e egër, e ndërlikuar, vend i pështjellë lëmsh dhe plot me vështirësi dhe tragjedi».

Mënyra e vetme që Amerika ta ndalë hatanë në Siri do të ishte ndërhyrja e përmasave të gjera me përfshirje të trupave tokësore. Pas luftërave në Afganistan dhe Irak, nuk ka asnjë arsye se amerikanët do ta përkrahnin. Dhe duket se ka një linjë të kuqe në politikën amerikane për Sirinë – mbase maksimumi një zone të ndalim-fluturimit ose sulme ajrore kundër forcave siriane. Por ky lloj i ndërhyrjes së kufizuar, megjithëse i mirëpritur sa për të thënë se po ndërmerret diçka, mund të mos e përmirësojë gjendjen humanitare në terren. Në Siri tashmë janë hedhur bomba me bollëk.

Problemi është edhe më akut kur vjen puna te strehimi i refugjatëve. Në shtetet me diversitet si Gjermania, SHBA-ja, Britania, Hungaria dhe Polonia, frika prej refugjatëve dhe emigrantëve – sidomos prej atyre nga shtetet myslimane – është shfrytëzuar me sukses prej politikanëve të së djathtës ekstreme dhe popullistët. Me Britaninë që ka nisur rrugën e daljes nga BE-ja, me Donald Trumpin afër Shtëpisë së Bardhë dhe të ardhmen politike të vënë në dyshim të zonjës Merkel, do të ishte e pamend të injoroheshin rreziqet prej hapjes së shoqërisë ndaj emigrantëve, sepse do të ndikonte në ngritjen e së djathtës ekstreme në Perëndim.

Përfundimi është i zymtë: për të ndjekur politika liberale në shtetet e tyre, politikanët e Perëndimit duhet të tolerojnë shprehjen e zemërimit kundër vlerave liberale në botë.