Të gjithë duan të jenë sirianë




Dokumente të shpërndara gjithandej po gjenden përgjatë kufirit të Serbisë me Hungarinë, duke ofruar dëshmi se shumë emigrantë që ia kanë mësyrë Evropës në ikje prej luftërave e varfërisë, po deklarohen rrejshëm kur vjen puna te identiteti i tyre i vërtetë. Ata heqin dorë prej dokumenteve të tyre në momentin që kalojnë kufirin e Bashkimit Evropian

 

Nga Dushan Stojanoviq

Hajdukovo, Serbi

Një letërnjoftim pakistanez në shkurre, një tjetër bangladeshas në fushat e misrit. Një patentë e djegur shoferi irakian me fotografinë e një burri me mustaqe të stilit të Sadam Huseinit, një tjetër me një grua me shami që qeshet para aparatit.

Dokumente të shpërndara gjithandej po gjenden përgjatë kufirit të Serbisë me Hungarinë, duke ofruar dëshmi se shumë emigrantë që ia kanë mësyrë Evropës në ikje prej luftërave e varfërisë, po deklarohen rrejshëm kur vjen puna te identiteti i tyre i vërtetë. Ata heqin dorë prej dokumenteve të tyre në momentin që kalojnë kufirin e Bashkimit Evropian.

Shumë prej këtyre udhëtarëve besojnë se përdorimi i dokumenteve të rrejshme – ose duke mos deklaruar asnjë dokument – u ofron mundësinë që të marrin azil në Gjermani dhe në vendet e tjera perëndimore evropiane. Këtë e përdorin për shkak se është rruga më e sigurt që të fitojnë statusin e refugjatit të luftës dhe të mos konsiderohen emigrantë ekonomikë që ikin prej skamjes e mjerimit. Kjo ka bërë që të ketë fluks të njerëzve që pretendojnë se janë sirianë.

Policia kufitare serbe njofton se 90 për qind e atyre që arrijnë nga Maqedonia, rreth tre mijë në ditë, pretendojnë se janë sirianë, megjithëse nuk kanë dokumente për ta dëshmuar. Koridori i ashtuquajtur i Ballkanit po pëdoret prej emigrantëve që udhëtimin e nisin nga Turqia, pastaj kalojnë përgjatë Maqedonisë dhe Serbisë, para se të hyjnë në Bashkimin Evropian në Hungari.

«Ju mund ta shihni se shumica e atyre që kalojnë nëpër Serbi zakonisht deklarojnë janarin si datë të lindjes», ka deklaruar oficeri policor kufitar, Miroslav Joviq. «Ma merr mendja se kjo është data e parë e lindjes që iu bie ndërmend».

Shefi i agjencisë kufitare të Bashkimit Evropian, Frontex, ka bërë të ditur se trafikimi me pasaporta të rrejshme siriane  ka shënuar rritje të madhe.

«Shumë njerëz hyjnë në Turqi me dokumente të falsifikuara siriane indentiteti, sepse e dinë se do të marrin më lehtë statusin e refugjatit në Bashkimin Evropian», ka deklaruar Fabrice Leggeri.

Autoritetet e doganave në Gjermani kanë detektuar raste të shumta të pakove postare dërguar në Gjermani me pasaporta siriane, origjinale e të falsifikuara, ka bërë të ditur Ministria e Financave.

Sirianët që po kalojnë transit nëpër Serbi janë të shqetësuar me trendin në rritje.

«Të gjithë thonë se janë sirianë, madje edhe ata që duket qartazi se nuk janë», ka deklaruar Kamal Saleh, duke drejtuar dorën kah një grup njerëzish që po qëndrojnë në një park në Beograd. «Kjo nuk është aspak e mirë për ne sirianët, për shkak të numrit të kufizuar të njerëzve që do t’u jepet azili».

Salehu ua ka kthyer shpinën të gjithë të dashurve të tij në Siri – gruas, djalit të vogël dhe shtëpisë së vjetër e të shkatërruar në periferi të Damaskut.

Por ndryshe prej shumë emigrantëve të tjerë që po marrin udhë drejt Evropës, ai ndihet me fat: ka pasaportë sirianë që e mbanë me kujdes të mbështjellë në një portofol plastik dhe e ka futur në xhepin e brendshëm të padukshëm në pantalona. Dokumenti, nëse është origjinal, do ta dëshmojë se është refugjat lufte, e jo emigrant që ikën prej mjerimit ose vështirësive ekonomike. Dallim i madh është ky kur dihet se çfarë kushtesh kërkohen për marrjen e statusit të refugjatit.

Bashkatdhetari i tij, që e identifikon veten vetëm si Yemen, shton: «Ka shumë njerëz që thonë se jemi nga Siria, por nuk janë nga Siria. Ka raste kur është zezak dhe thotë ‘jam nga Siria’. E pabesueshme».

Agjencitë ndërkombëtare të nidhmës llogarisin se rreth 340 mijë persona janë munduar të kalojnë kufirin e BE-së prej janarit. Dy të tretat e atyre që kanë mbërritur në Evropë besohet se janë nga Siria, Afganistani, Iraku, Somalia dhe Eritrea – vende që konsiderohen prej agjencive ndërkombëtare të ndihmës si «shtete që prodhojnë refugjatë» për shkak të luftës së vazhdueshme ose shkeljeve flagrante të të drejtave të njeriut.

Sipas Konventës së Refugjatëve të vitit 1951, ata që ikin prej dhunës dhe përndjekjes duhet të gëzojnë të drejtat elementare sipas të drejtës ndërkombëtare, përfshirë të drejtën që të mos deportohen ose të kthehen nga kanë ardhur. Emigrant mund të jetë dikush që kërkon të vendoset në një vend tjetër në kërkim të jetës më të mirë dhe çdoherë mund të jetë subjekt i deportimit.

Rregullat e BE-së parashikojnë se vendi ku mbërrin për herë të parë emigranti duhet të shqyrtojë kërkesën e azilit. Por Gjermania ka vendosur javën e kaluar të mos e respektojë këtë rregull kur vjen puna te sirianët, duke nxitur rritje të numrit të atre që mundohen të kalojnë nëpërmjet vendeve anëtare të BE-së për të mbërritur në shtetin gjerman. Berlini zyrtar e ka bërë të qartë se do të tregohet zemërgjerë vetëm ndaj atyre që u rrezikohet jeta dhe se të njëjtat procedura nuk do të zbatohet edhe për ata që janë larguar prej vështirësive ekonomike në vendet e tyre.

Të vetëdijëshëm për mundësinë e refuzimit, shumë emigrantë që janë larguar prej skamjes kanë vendosur të heqin qafe dokumentet e tyre të identitetit. Në mesin e atyre që nuk kishte dyshime për humbjen e dokumenteve ishte edhe Rafiku nga Pakistani.

«Po ia kthej shpinën jetës së dikurshme», ka deklaruar Rafiku, që ka treguar vetëm emrin nga frika se do të mund të përballej me reperkursione kur të aplikoj jetës së dikurshme po për azil në Gjermani. «Do të nis gjithçka nga e para atje».

«Nuk kam pasaportë, as kurrfarë dokumenti identiteti», ka thënë ai, derisa po kalonte nën rrethojën gjembore në Hungari. «Le të shohim se në cilin vend do të zgjedhin të më kthejnë».

«Associated Press»

Foto: Enver ROBELLI