Të flas me ju?

Foto: Shutterstock



Të flas me ju? Jo. Nuk mundem.
Më mirë të vuaj si një bimë.
Si zogu që s’pipëtin fare te bliri.
Ata presin. Epo mirë. Meqë bima e zogu nuk janë lodhur.
Së prituri, si ata do të pres.

Ata vuajnë fillikat. Duhet të mësohesh të vuash fillikat.
S’dua pranë njerëz moskokëçarës, me buzëqeshje të shtirura,
As miq që rënkojnë. Le të mos vijë askush.

Bima nuk bëzan. Zogu hesht. Çfarë të thuash?
Do s’do, kjo dhimbje është e vetme në botë,
Ajo s’u përket të tjerëve, është e imja.
Një gjethe ka një dhimbje që gjethja tjetër s’e di.
Dhe për dhimbjen e zogut një zog tjetër s’di gjë.

Nuk i dihet. Nuk i dihet. Kujt i ngjason, vallë?
Dhe po t’i ngjasonte, a do të ngrinte peshë? Ma kënda
Të mos dëgjoj sonte asnjë fjalë të kotë.
Pres – siç presin përtej dritares.

Pema e vjetër që s’lëviz dhe borësi memec…
Një pikëz uji të kulluar, pakëz erë, kushedi?
Çfarë presin ata? Së bashku e presim.
Dielli u ka thënë se do të vijë prapë, ndoshta…

Përktheu: Anton Papleka