Të dyshuar për terrorizëm: policia gjermane arreston dy vëllezër kosovarë

Të burgosurit planifikonin me gjasë një sulm kundër një qendre tregtare në Oberhausen afër Duisburgut.

Foto: Shutterstock



Policia gjermane ka bërë të ditur të premten në orët e hershme të mëngjesit se njësitë speciale kanë arrestuar në Duisburg dy burra të moshës 31 dhe 28 vjeçare, të lindur në Kosovë, nën dyshimin se kanë përgatitur një sulm terrorist. Kosovarët fajësohen nga policia se kishin ndërmend të atakonin qendrën tregtare «Centro» në Oberhausen, një lokalitet afër qytetit të Duisburgut. Policia gjermane nënvizoi se aktualisht janë duke u zhvilluar hetime intensive për të konstatuar se deri ku kishin arritur përgatitjet e vëllezërve kosovarë për sulm terrorist.

Mediat gjermane njoftojnë se të enjten rreth orës 18 komanda e policisë në Essen kishte alarmuar policinë mbi rrezikun e sulmit. Gazeta «Bild» shkruan se shërbimi sekret gjerman kishte rënë në gjurmë të vëllezërve që supozohet se janë fanatikë islamikë. «Centro» është një nga qendrat më të mëdha tregtare në Gjermani dhe ka më shumë se 250 shitore. Policia gjermane ka bastisur këtë qendër të enjten në orët e mbrëmjes.

Gjermania së fundi është goditur nga një sulm që supozohet të jetë terrorist. Si pasojë e shtypjes nga një kamion në fillim të javës në Berlin u vranë 12 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Si i dyshuar për këtë krim konsiderohet një refugjat i lindur në Tunizi, kërkesa për azil e të cilit ishte refuzuar. Arrestimi i dy vëllezërve kosovarë tregon se edhe në mesin e komunitetit të madh shqiptar në Gjermani po lëshon rrënjë radikalizmi islamik. Më 2 mars 2011 në aeroportin e Frankfurtit kosovari Arid Uka, një ekstremist i ri islamik, vrau dy ushtarë amerikanë. Vitin e kaluar në Siri dyshohet se është vrarë Valdet Gashi, një shqiptar i rritur në Gjermani. Ai merrej me sporte luftarake dhe kishte shkuar nga Zvicra në Siri. (-lli)