Të dëbuemit

Foto: Shutterstock



Tëmir u pafshim, Kosovë ne mbetëm pa atdhe!
Si era e madhe, si zogjtë shtegtarë
Endemi kaltërsive,
Mes ujnave të hueja, pa shpi, pa shpresë, pa cak.
(E megjithatë na thonë se vemi ndër shpijat tona!)

Heu po atje s’na pret askush. Nuk kemi
As të gjallë as të vdekun atje,
Tëmir u pafshim Kosovë ne mbetëm pa atdhe.

Rrotullohen valët e detit. Pulëbardhat e vonueme
Si andrra të hueja zbresin mbi direkë
Hesht nata e Mesdheut.
O, po ku do të sosemi ne të mjerët pa atdhe?

Qytetet turke ja ku po duken larg,
Askush s’na pret atje,
Askush s’na njeh atje
Veç nën një gur të ftohtë Ali Pashai që fle.

Dhe, na kujton plaku që s’jemi pa atdhe,
Ne kemi qiellin tonë, Dheun tonë,
Malet, kangët dhe të vdekunit tanë.
Ani se zemrat tona mbeten gërmadhë
Dhe mes gërmadhave vete e vjen pikëllimi.

Një ditë do të jenë tonat kasollet, përmendoret,
Heronjt që anmiku don me na i rivra.
Ne na dëbuen nga vatrat po nuk na i marrin dot
As kangët as të nesërmen,
As të vdekunit tanë, o Ali Pasha!