Të dëbuarit

Foto: Fahredin Spahija



Tëmir u pafshim, Kosovë! Ne mbetëm pa atdhe!

Si era e madhe, si zogjtë shtegtarë.

Endemi kaltërsive,

Mes ujrave të huaja pa shtëpi, pa shpresë, pa cak.

(E, megjithatë, na thonë që vemi ndër shtëpijat tona)

Heu! Po atje s`na pret askush. Nuk kemi

As të gjallë, as të vdekur atje.

Tëmir u pafshim, Kosovë! Ne mbetëm pa atdhe.

 

Rrotullohen valët e detit. Pulëbardhat e vonuara,

Si ëndrra të huaja, zbresin mbi direkë.

Hesht nata e Mesdheut.

O! po ku do të sosemi ne të mjerët pa atdhe?

Qytetet turke ja ku po duken larg.

Askush s`na pret atje;

Askush s`na njeh atje.

Veç, nën një gur të ftohtë, Ali Pashai që fle.

 

Dhe na kujton plaku që s`jemi pa atdhe;

Ne kemi qiellin tonë,

Dheun tonë,

Malet, këngët dhe të vdekurit tanë.

Ani se zemrat tona mbeten gërmadhë

Dhe mes gërmadhave vete e vjen pikëllimi.

 

Një ditë do të jenë tonat

Kasollet, përmendoret,

Heronjt që armiku na i ka rivra.

Ne na dëbuan nga vatrat tona, por nuk i marrin dot.

 

As këngët, as të nesërmen,

As të vdekurit tanë,

O Ali Pasha!