Të çlirohemi nga çlirimtarët!



Rexhep Qosja është ndoshta autori më kontrovers shqiptar. Në kuptimin e polemikës, por edhe të polarizimit. Kujto letrat e bujshme drejtuar Sali Berishës dhe shkëmbimet me Ismail Kadarenë. Në anën tjetër – konsideratat për Edi Ramën dhe Hashim Thaçin. Avantazhi i tij ndaj ndonjërit ështe se ai më tepër se shkruan lexon. Në ditarin e jetës, «Dëshmitar në kohë historike», Qosja e citon një filozof, emri i të cilit nuk i kujtohet. Një tezë e rëndë plumb, e hidhur zeher: «Populli është i lirë plotësisht vetëm nëse çlirohet edhe prej çliruesve të vet».

Shënimi është bërë në vitin 1985. Janë vite të diskriminimit politik, kulturor dhe ekonomik të shqiptarëve në Jugosllavi. Pas konsolidimit të regjimit komunist në të gjitha njësitë e federatës, ku jetonin më shumë se gjysma e shqiptarëve. Janë vitet e fushatës së diferencimit ideopolitik. Në interpretimin e Rexhep Qosjes barasvlerësohen regjimi i jashtëm dhe i brendshëm që kanë sunduar shqiptarët në Jugosllavi. Sipas tij, «neve do të na duhen prandaj dy çlirime: çlirimi prej Serbisë dhe Jugosllavisë dhe çlirimi prej çliruesve tanë…».

Kjo analogji është e mundshme, megjithatë mendimi pikant për çlirimin nga çlirimtarët duket më subtil, siç janë filozofimet. Mjerisht në ditar nuk shkoqitet më tutje kjo tezë e filozofit, me sa i kujtohet autorit, evropian. Ajo nuk i referohet Jugosllavisë dhe ka rreze më të largëta kohore dhe hapësinore. Ajo ndoshta merr shkas nga trazirat e viteve të 68-ta në Francë kundër presidentit Charles de Gaulle. Gjenerali ishte simboli i rezistencës franceze kundër nazizmit nga emigracioni në Angli, por më vonë shihej si reprezentues i shpirtit autoritar të konservatorizmit francez. Ai megjithatë dha dorëheqje dhe ngeli një burrështetas i madh.

Pothuajse njëlloj e refuzuan britanikët heroin e tyre të Luftës së Dytë Botërore, Winston Churchill. Ai u kishte premtuar britanikëve vetëm djersë, gjak dhe lot. Por, prapa çdo kryengritjeje të Anglisë pas sulmeve gjermane në qytetet britanike qëndronte shpirti i Churchillit. Prapa çdo vendimi të rëndësishëm në pesë vjetët e luftës në botë qëndronte mendja e tij. Dhe, më 1945 ai i humbi zgjedhjet në Britaninë e Madhe. Edhe nga politika u nda pa ndonjë lavdi, duke e detyruar të dorëhiqet para kohe, më 1953. Por, jo edhe nga jeta: Për kujtimet e tij të Luftës së Dytë botërore Churchill u laureua me Çmimin Nobel për Letërsi.

Çlirimtarë prej të cilëve duhet të çlirohemi mendohet se janë ata që i ka zënë liria me një pushkë në krah dhe veten e legjitimojnë me këto poza. Edhe ata që të kompleksuar nga sfondi luftarak e kanë braktisur kauzën e tyre. Të tillë, nga të cilët duhet të çlirohemi, mund të jenë edhe ata që për vendin e tyre kanë investuar pa kursim gjymtyrët, pasurinë dhe jetën e familjarëve. Ata, që në dobi të vendit të tyre janë të gatshëm ta bëjnë të njëjtën në çdo moment përsëri. Dhe, këtë sakrificë e kërkojnë edhe nga të tjerët.

Edhe pse nuk i njohim argumentet e autorit të tezës së çlirimit nga çlirimtarët, nuk është afilozofike të spekulosh se çfarë i karakterizon ata. Çlirimtarë mund të quhen edhe ata që nuk kanë ardhur në pushtet me armë, por me protesta, me negociata e me prapaskena. Arsenali i tyre është ligjërimi politik që kanë. Premtimet për fundin e historisë, apo fillimin e historisë me ata. Të tillë mund të jenë misionarët që pretendojnë se e kanë licencën e parajsës në tokë; apo që vijnë me pretendimin për ta rilindur kombin. Ata mund të kenë ardhur në mënyrë krejt demokratike, por qeverisin nëpërmjet karizmës dhe u duket se shohin më shumë se të gjithë bashkë. Çlirimtarë nga të cilët duhet të çlirohemi mund të konsiderohen mbase edhe vizionarët që japin alarmin pasi të kenë ndodhur gjërat. Fundja, çlirimi arrihet në mënyra të ndryshme.

Tipologjia e çlirimtarëve nga të cilët duhet të çlirohemi mund të jetë shumë e diferencuar. Kulmi që e karakterizon qenien e tyre është transformimi në zaptues. Zaptues të hapësirës publike, drejtësisë, medieve, ekonomisë, universiteteve, akademive, e kështu me radhë. Ata i karakterizon fobia nga zgjedhjet, frika nga ndjekja ligjore, aversioni ndaj debatit publik, urrejtja e transparencës ose indiferenca ndaj kritikës. Gjithsesi, nga çlirimtarët duhet të çlirohemi në mënyrë qytetare: me votë. (Më e mira është të tërhiqen vetë, duke e shijuar lirinë dhe respektin që e meritojnë për sakrificën dhe kontributin e tyre.) Zgjedhjet janë mbrojtja nga ciklet e pafund të çlirimeve!

Teza e çlirimit nga çlirimtarët është interesante edhe për faktin se afirmohet nga Rexhep Qosja. Derisa ta kemi njohur këtë mendim dhe autorin e saj, ndoshta ai do ta interpretojë këtë tezë në kontekstin e zhvillimeve të pluralizmit politik në Shqipëri. Sidomos në kontekst të situatës pas çlirimit të Kosovës dhe kryengritjeve të tjera shqiptare në ish Jugosllavi. Ai mbase ka vullnetin t’i përmendë këta çlirimtarë me emër e mbiemër dhe emër të babës. Nëse ka nevojë për këtë.