«Të bëjmë Art aty ku mund të flitet»

Adrianën dhe stilin e saj të veçantë e njeh krejt Kosova e Artit. Është e vetme që e përdor gazetën si material, e po ashtu edhe materialet tjera ricikluese.

Nga Jonuz FETAHU

Adriana Sedaj, një vajzë entuziaste dhe impulsive, është e veçantë për shumëçka. Mbi të gjitha për Artin e saj. Në të vërtetë, ajo është vetë madhështia me këtë emër. Kështu, ajo është e njëjtë, qoftë nëse shkruajmë ne për të, qoftë nëse ajo rrëfen vetë. Është po ai personazh që po bën emër në shtetin helvetik. Aty ajo e ka gjetur çerdhen e Artit të vet. Aty ajo është unifikuar me suksesin dhe rezultatet. Aty ajo po rritet për çdo ditë e më shumë dhe po bën emër. Madje, dita-ditës ajo po bëhet emër i përveçëm.

E lindur në Viti, ku e ka kryer shkollën fillore dhe Gjimnazin Matematiko-Natyror, ndërsa pastaj ka studiuar dy vjet në Fakultetin Filologjik, në Degën e Gjuhës gjermane, por për çështje personale i ka ndërprerë studimet, për t’iu kthyer pas një kohe, por tani në Akademinë e Arteve të Bukura, në Drejtimin e Skulpturës. Si duket mu këtu fillon edhe impulsiviteti i krijimtarisë së saj kreative.

Heshtja, virtyt i personazhit që bën nam

Këtë rrëfim lexuesi do ta konceptojë si në vetën e parë, pavarësisht se disa gjëra pa dashur thuhen nga të tjerët. Edhe kur nuk flet për veten, ajo i thotë të gjitha. E thonë këtë veprat e saj. Edhe kur hesht, ajo flet shumë. Heshtja është virtyt i personazhit që po bën nam në botën e Artit.

E tillë është Adriana. I tillë është Arti i saj. E tillë është bota e saj ekspresive. I tillë është impulsiviteti i saj. Kështu, gjatë studimeve dy herë është shpërblyer me mirënjohje, si studente e dalluar, për të arriturat në skulpturë. Si studente, njëkohësisht është marrë me projekte të ndryshme bamirësie, me karakter artistik. Me ftesë nga shumë vende të ndryshme ka marrë pjesë nëpër ekspozita kolektive dhe personale, në disa prej tyre edhe me karakter garues, me ç’rast është shpërblyer me vendin e parë, të dytë dhe të tretë.

Majat e Olimpit artistik

Në vitin 2012 Adriana e ka hapur një ekspozitë edhe në Zvicër, kur në të njëjtën kohë sa ka qëndruar e hapur artdashësit zviceranë i kanë kërkuar që të krijojë nga gazetat zvicerane, siç është «Frauenfeld Woche». Përndryshe, të gjitha veprat janë shitur në Zvicër.

Rrëfimi i saj artistik për Artin: «Frymëzimin nuk është vështirë ta gjej, sidomos në kohën dhe rrethanat tona, në të cilat shpeshherë ka momente dëshpëruese, e ndonjëherë të lumtura. Mendoj se nëse një krijues i suksesshëm e ndjek ndjenjën e vet dhe krijon një koncept brenda vetës, mund të realizojë vepra arti» .

Skulpturat, e sidomos kompozimet e saj janë tejet konceptuale. Shpeshherë me një ndërdije të caktuar, edhe me një koncept paraprak, ajo nis krijimin e një vepre Arti nëpërmjet së cilës mundohet të krijojë një imazh të jashtëm. E sjell jo vetëm atë që shihet, por edhe atë që mendohet e që ndihet. Arti i saj është një lojë kohore që shfaqet si e shkuar, si e ndjeshme, por që ngel në kujtesë. Koncepti bazik i Ardianës për jetën dhe artin përmblidhet në një jetë, një të tashme, ngjarje të pafundme.

Lëmshi është bota e mbështjellë keq

Adriana rrëfen për Artin: «Asgjë nuk humb nga kjo jetë. Mjafton që ta realizojmë ashtu siç i përket të tashmes, lojëra fatesh, ngjarje të pafundme, ironizmash! Jeta na shpie në shumëllojshmëri të netëve, ditëve, orëve dhe sekondave. Në secilën ditë njeriu jeton më ndryshe dhe nga secila përvojë vështron nga një këndvështrim krejt tjetër, jetën dhe rrjedhat e saj. Arsyeja më e paqëllimtë, kuptimi jetësor për ta arritur, sepse çdo shpirt ka një frymë dhe çdo frymë e ka kuptimin e të shprehurit, të jetuarit dhe të shijuarit e jetës».

E për artisten gjithçka është një lëmsh, një lëmsh që fillon të jetojë, të rrokulliset, të bartë mbi vete peshën e njeriut, ta bartë atë përtej mjegullës, mjegullës kolektive, përtej ëndrrës së shtresuar në ndërdijen e njeriut.

Të qenët kundër abortit artistik, pikësynim

Sipas Adrianës, «lëmshi është bota e mbështjellë keq, psikika e njeriut para të panjohurës, ose shumë të panjohura dhe shtytja e tij më tej, rrokullisja më larg, kërkimi i një zgjedhjeje, ose lënia e tij për një kohë tjetër».

Komunikimi mbetet edhe për ricikluesen më të madhe të gazetave baza e realizimit të ëndrrave dhe qëllimeve në jetën dhe kohën e saj. Një kryevepër e saj Qilim me emrin Virgjëria – Simboli i virgjërisë një term biologjik i së kaluarës, primitive apo domosdoshmëri e pakontestueshme? Pasuri dhe vlerë ndërthurja e tyre, simboli i nderit – Virgjëria e lidhur dhe e gërshetuar me mençuri dhe dituri? A kishte mjaftuar njëra pa tjetrën? Këto janë pyetjet që Adriana si artiste me veprën e vet do t’i ngre në diversitetin e mendimit shoqëror, në këtë kauzë të vlerës dhe antivlerës.

E përgjigjet, kush mund t’i gjejë më mirë se vetë Arti? Arti i shpërfaqur në veprat plot kolorit të Adriana Marku Sedaj. Tani, nga Ministria e Kulturës, ajo është emëruar kryetare e Këshillit Drejtues të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Në të njëjtën kohë, ajo është aktive edhe nëpër ekspozita dhe koloni të ndryshme.

«Veprat e artit lindin së bashku me artistin.» Nëse më pyetni për motivet, do t’ju përgjigjesha shkurt: «Gjithmonë ka një motiv». Unë jam kundër abortit artistik. Kjo nënkupton dëshirën, pasionin dhe dashurinë që artisti duhet ta transmetojë te vepra e tij. Mendoj që sekreti qëndron te dashuria për krijimin. «Të gjithë duam, por duhet të dimë të duam», përfundon ajo.