Të arrestuar pas 97 vjedhjeve

Policia zvicerane ka kapur një grup vjedhësish nga Kosova, Bosnja dhe Serbia. Ata dyshohet se kanë grabitur mallëra në vlerë prej gjysmë milioni franga.

Foto: Shutterstock



«Një bandë e zellshme plaçkitësish» – kështu e kanë përshkruar mediat zvicerane një grup vjedhësish nga Kosova, Bosnja dhe Serbia, të cilët brenda më pak se dy viteve kanë kryer gati 100 vjedhje. Prokuroria e kantonit të Luzernit ka njoftuar të hënën se veprimtaria e bandës ishte ndërprerë nga policia në fund të vitit 2015. Pas një vjedhjeje në vitin 2014 policia kishte arritur të zbulojë tërë rrjetin e plaçkitësve.
Sipas prokurorisë të arrestuarit janë të moshës mes 29 dhe 53 vjeç. Veprimtaria e tyre e paligjshme përshkruhet si tejet profesionale. Ata, sipas prokurorisë, i kanë planifikuar me kujdes deliktet e tyre, duke e vëzhguar ndërtesën një ditë apo disa ditë para plaçkitjes dhe duke deponuar afër ndërtesës vegla për të thyer dyer apo dritare. Vjedhësit komunikonin me radiolidhje.
Tre krerët e bandës banonin në Zvicër, ndërsa anëtarët e tjerë ishin futur në Zvicër nga Franca. Gjatë vjedhjeve ata në vetura montonin targa të vjedhura. Grupi ishte i specializuar në vjedhjen e shtëpive njëfamiljare dhe firmave. Më së shumti janë vjedhur para dhe gjëra me vlerë. Dyshohet se të arrestuarit kanë vjedhur para dhe gjësende në vlerë prej 460 mijë franga. Dëmi i shkaktuar në ndërtesa arrin në 700 mijë franga. Ky grup vjedhësish ishte aktiv në këto kantonte: Aargau, Bern, Baselland, Jura, St. Gallen, Solothurn dhe Zürich. (-lli)