Tash një vit s’ka fonde për Qendrën e Trashëgimisë Hebraike në Prishtinë

Prishtinë, 7 tetor - Një vit pasi ka marrë dritën e gjelbër nga Ministria e Kulturës për realizimin e projektit të kompanisë që udhëhiqet nga arkitekti me nam botëror nuk është bërë asnjë hap konkret. Projekti i Qendrës së Trashëgimisë Hebraike, i hartuar nga kompania e Ron Aradit, ka mbetur në pikën zero.




Krejt kjo për shkak se ende nuk janë gjetur mjetet për ta financuar projektin që parasheh që një pjesë të kompleksit «Emin Gjiku» ta shndërrojë në Qendër të Trashëgimisë Hebraike e Ndërfetare në Kosovë. Konkretizimi i tij llogaritet të kushtojë deri në 1 milion euro. Vendimi për themelimin e Muzeut të Trashëgimisë Hebraike në Kosovë ishte marrë qysh në maj të vitit 2013 nga ish – ministri Memli Krasniqi.

Por kur në krye të Ministrisë së Kulturës erdhi ministri Kujtim Shala, zyrtarë të kabinetit të tij, në janar të këtij viti, kishin deklaruar se ishin duke e rishqyrtuar projektin. Përderisa kabineti i Shalës asnjëherë s’ka dalë me një përgjigje se çfarë konkretisht është duke rishqyrtuar lidhur me këtë projekt, kompania «Ron Arad Associates» ende është në kërkim të fondeve për finalizimin e projektit në Kosovë.

Drejtori i «Ron Arad Associates», Asa Bruno, i ka thënë gazetës se ka kaluar shumë kohë qyshkur nuk kanë pasur kontakte me partnerët në Kosovë. «Dhe nuk jam i sigurt për statusin e projektit ‘Leximorja’», ka thënë ai. I përthekuar nën titullin «Reading Room» projekti i «Ron Arad Architects», parasheh që në hapësirën e brendshme të ndërtesës prej guri, që në projekt quhet sinagogë, të prezantohet rrëfimi për objektin në proces kronologjik dhe historinë e hebrenjve në Kosovë nga shekulli XV e deri në ditët e sotme.
Arkitekti Bekim Ramku, i cili është partner lokal i këtij projekti, ka thënë se tani për tani nuk ka asnjë fond për Qendrën e trashëgimisë hebraike.

Sipas konceptit të projektit – një kopje të të cilit e ka siguruar gazeta – në oborrin në hyrje të kompleksit «Emin Gjiku» do të vendosen raftet mbi të cilat do të vendosen libra, ndërsa pjesa e ahurit në anën e djathtë të hyrjes për në Muzeun Etnologjik do të funksionalizohet e të ofrojë shërbime të kafesë për vizitorët. Raftet do të vendosen në atë mënyrë që të bëjnë lidhjen ndërmjet ndërtesës së ashtuquajtur sinagogë dhe ahurit duke krijuar leximoren