Tarifat mbi Serbinë: një politikë e kushtueshme dhe normale

Vendosja e tarifave doganore ndaj Serbisë dhe Bosnjës ka gjasa do t’i kushtojë para së gjithash konsumatorëve të Kosovës, përpos eksportuesve të Serbisë dhe Bosnjës. Por duke parë qëndrimin aktual të këtyre dy vendeve ndaj Kosovës, tarifat ka gjasa do të jenë një kosto që ia vlen të paguhet për t'i dhënë fund politikës së sabotimit.




Tarifat doganore të vendosura së fundmi në masën 100% mbi importet nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina janë një politikë e rëndë, e luajtur nga qeveria e Kosovës në një situatë dukshëm gjithnjë e më të dëshpëruar. Kosova importoi 15% të mallrave të saj nga Serbia dhe 2.7% nga Bosnja. Kosova eksportoi 12.8% të mallrave të veta në Serbi dhe 2.3% në Bosnjë. Në terma parash, Kosova eksportoi 48 milionë euro mallra në Serbi dhe importoi 450 milionë euro. Kosova importoi në total 3 miliardë euro mallra dhe eksportoi 378 milionë euro.

Vendosja e tarifave në masën 10% pak javë më parë nuk ishte ndonjë masë me pasoja të rënda. Vendosja e tarifave 100% është një masë me pasoja të rënda. Konsumatorët e Kosovës do të duhet të paguajnë më shtrenjtë, qofshin mallrat që do të vijojnë të importohen nga Serbia dhe Bosnja, ashtu edhe mallrat zëvendësuese që do të importohen nga vende të tjera. Duke qenë se këto mallra përbëjnë bashkërisht rreth 18% të të gjitha importeve të Kosovës, dhimbja për konsumatorët kosovarë nga çmimet e rritura ka gjasa do të jetë e konsiderueshme. Kuptohet që dhimbja do të jetë edhe për eksportuesit e Serbisë e Bosnjës por pyetja është sa e madhe do të jetë kjo vuajtje.

Barrierat tregtare njihen zakonisht si «luftë tregtare». Lufta tregtare është një formë dhune që shoqëron luftën në tërësi. Gjasat janë që në një luftë tregtare të dyja palët të dalin të humbura, por pyetja është se cila palë do të humbasë më shumë. Serbia eksportoi 15 miliardë euro mallra gjatë vitit 2017 dhe eksportet drejt Kosovës përbëjnë 3% të totalit të eksporteve. Me Bosnjën situata duket e ngjashme. Eksportet totale të Bosnjës ishin rreth 5.5 miliardë euro në vitin 2017, nga të cilat 82 milionë ose 1.5% kishin për destinacion Kosovën. Megjithatë Bosnja ka peshë të dobët dhe rrjedhimisht ka pak rëndësi.

Lufta tregtare nuk është domosdoshmërisht e keqe, veçanërisht në situatën në të cilën gjendet sot Kosova. Më shumë se një dekadë pas shpalljes së pavarësisë, Serbia vijon të sabotojë Kosovën për çdo gjë, nga integrimi në institucionet ndërkombëtare te bllokimi i aksesit në rrjetin e telekomunikacionit apo te rrjeti i energjisë elektrike. Një linjë interkonjeksioni mes Shqipërisë dhe Kosovës vijon të mbetet e papërdorur që nga ndërtimi i saj dy vjet më parë, me kosto të mëdha për të dyja vendet, si në formën e fitimeve të munguara ashtu edhe në formën e kredive që vijojnë të paguhen për një investim që nuk është vënë në punë.

Megjithatë, tarifat e vendosura nga ana e Kosovës ngjajnë si një veprim prej të dëshpëruari. Bashkimi Europian, i cili teorikisht duhet të ndërmjetësojë për normalizimin e marrëdhënieve, për momentin thjeshtë ka bërë thirrje për anulimin e tarifave por nuk ka ofruar ndonjë zgjidhje për problemet e vjetra dhe të reja të Kosovës. Shifrat e volumit të tregtisë mes Serbisë dhe Kosovës sugjerojnë se Kosova do të vuajë shumë më tepër tarifat e vendosura ndaj Serbisë nga sa do të vuajë Serbia nga humbja e eksporteve drejt Kosovës.

Do të ishte mirë që Qeveria e Kosovës të kishte menduar se si do të mund të përballojë kostot e një lufte të tillë, veçanërisht në termat e ndihmës që duhet të ofrohet për pjesën e varfër të popullsisë së Kosovës, e cila do të vuajë një rritje të çmimeve të disa mallrave bazë.

Gjergj Erebara është gazetar për BIRN në Tiranë.