Tanja Fajon nxit Kosovën të punojë për liberalizimin e vizave

Në një intervistë për BIRN-in, eurodeputetja Tanja Fajon i nxiti politikanët në Kosovë të ndërmarrin veprimet vendimtare - nëse duan që shtetasit e tyre të shijojnë lëvizjen e lirë pa viza në Europë.

Tanja Fajon



Tanja Fajon, raportuese e Parlamentit Europian për Kosovën mbi liberalizimin e vizave, tha për BIRN-in se koha kur shtetasit e Kosovës do të jenë në gjendje të udhëtojnë lirisht në zonën Shengen të BE-së varet nga faktorë të ndryshëm.

Ajo tha se Kosova duhet të përfundojë marrëveshjen polemike të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe të luftojë korrupsionin – të gjitha këto në një kohë kur atmosfera europiane është shumë më pak inkurajuese se dikur në lidhje me hapjen e kufijve.

«Kemi shumë probleme si pasojë e krizave të ndryshme që po vazhdojnë, si kriza e emigrantëve dhe futja e disa kontrolleve të kufijve të brendshëm, të cilat kufizojnë lirinë e lëvizjes në Europë», tha ajo.

«Në rrethana të tilla, është sigurisht më e vështirë të futësh vende të reja në regjimin pa viza», tha Fajon.

Megjithatë, ajo tha se të gjithë presin që politikanët e Kosovës të fillojnë të kenë rezultat në kriteret më të rëndësishme të përcaktuara nga BE-ja si kushte progresi.

«Nëse Kosova arrin sukses në një nga çështjet që janë në tavolinë, mund të ecim hap pas hapi. Ndoshta kjo nuk do të ndodhë shpejt, por është koha të arrihet diçka. Nuk shoh ndonjë mënyrë tjetër për të dalë nga kjo situatë komplekse», ajo tha.

Eurodeputetja sllovene tha gjithashtu se mund të gjenden zgjidhje alternative për çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, edhe pse do të qe mirë që politikanët e Kosovës të dilnin në një qëndrim të përbashkët për këtë.

«Nuk jam eksperte në çështjet e kufirit, por nëse nuk është e mundur të bëhet kjo marrëveshje e demarkacionit, atëherë është e nevojshme të gjendet një alternativë – por konsensusi duhet të vijë nga terreni në Kosovë, nga të gjithë», tha ajo.

Fajon gjithashtu tha se në Europë ekziston një «ndjesi se kjo [ndarja e kufirit] është gjithashtu pjesë e lojës politike në Kosovë».

«Dua të dërgoj një mesazh: ju lutemi të punoni për shtetasit e Kosovës, sepse kjo është diçka që ne të gjithë e duam dhe ata presin që të përmbushet», tha ajo.

Fajon tha se ka shpresë që, brenda dy viteve të ardhshme, përgjatë të cilave ajo do të ketë rolin e raportuesit për liberalizimin e vizave, lëvizja e lirë mund të bëhet realitet.

Megjithatë ajo i përkufizoi deklaratat e ndryshme të politikanëve të Kosovës, mbi data të caktuara për heqjen e vizave me BE-në, si të papërgjegjshme.

«E shoh premtimin e një date… si shumë të papërgjegjshme… dhe do t’iu thosha politikanëve të Kosovës që të kufizohen për premtime të tilla, sepse kur bëjmë premtime si politikanë, njerëzit presin që t’i mbajmë ato dhe jemi të gjykuar në lidhje me to», tha ajo.

Gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë, kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, tha se nëse koalicioni i tyre fitonte zgjedhjet, liberalizimi i vizave mund të arrihej brenda tre muajve.

(https://www.reporter.al/tanja-fajon-nxit-kosoven-te-punoje-per-liberalizimin-e-vizave/)