Tani në Turqi ziles nuk i bie më qumështshitësi

Erdoani dëshiron që gazeta ime dhe unë të mbyllim gojën. Një klithmë kundër heshtjes.

Tani Erdoani deshi t’ia mbyllë gojën edhe Cumhuriyetit, bastionit të fundit kryengritës në trevën mediale, në mënyrë që pa asnjë zë kritik të shkohet në referendum për sistemin presidencial, të cilin e planifikon në pranverë. Can Dündar, gazetar turk.

Ju me siguri e dini përshkrimin që Churchilli ia bën demokracisë: «Kur herët në mëngjes bie zilja dhe unë mund të jem i sigurt se është qumështshitësi, atëherë e di se jetoj në demokraci». Sipas këtij definicioni Turqia pa asnjë dyshim nuk është më shtet demokratik. Sepse njerëzit në Turqi ndërkohë e kanë të qartë se nuk është qumështshitësi ai që herët në mëngjes i bie ziles në portën e tyre.

Të hënën e kaluar zilja ra në portat e 18 punëtorëve të gazetës Cumhuriyet. Në mëngjes në orën pesë. Policia së pari arrestoi Murat Sabuncu, pasardhësin tim në postin e kryeredaktorit. Pastaj bastisi shtëpitë e të gjithë anëtarëve të fondacionit, nën udhëheqjen e të cilëve gjendet gazeta pa pronar, dhe i arrestoi të gjithë.

Ndër personat e shpallur në kërkim jam edhe unë. Meqë jam në Gjermani, te unë nuk ra zilja herët në mëngjes, por cingëroi telefoni im. Mësova se policia po zhvillonte një operacion kundër gazetës dhe do të bastiste edhe shtëpinë time në Stamboll. Para syve të gruas sime policia e rrotulloi për dy orë shtëpinë dhe në fund mori me vete një telefon timin mobil të vjetër.

Para se të dëgjoja këtë lajm isha kthyer nga Stuttgarti, ku bëra intervistë me 88-vjeçarin Edzard Reuter. I ati i tij, ish-prefekti i Berlinit Ernst Reuter, kishte braktisur vendin e tij kur erdhi Hitleri në pushtet dhe kishte shkuar në Turqi si akademik. Mes viteve 1935 dhe 1946 Edzardi kishte kaluar një pjesë të fëmijërisë në Turqi. Kur erdhi për të zhvilluar intervistën, ai sapo ishte kthyer nga Turqia, të cilën e quan «atdheu im i dytë». Ishte thellësisht i brengosur. Një fjali e tij më tronditi: «Çfarë po bën vaki aktualisht në Turqi më kujtimet fillimet e kohës së nazizmit në Gjermani».

Më kishte zënë gjumi i tmerruar nga kjo fjalë, ditën tjetër më zgjoi herët thirrja telefonike. Dukej se nuk binte zilja e telefonit, por kambana e alarmit e fashizmit.

Pas përpjekjes për puç, e cila shumëkujt në vendin tonë ia kujtoi djegien e Reichstagut (nga nazistët), parlamenti u suspendua, filloi një gjueti shtrigash në mbarë vendin, të gjithë kritikët e qeverisë – madje edhe gazeta ime, një kundërshtare e hapur e Lëvizjes Gylen – u akuzuan për gylenizëm, sipas shifrave zyrtare është vepruar kundër 70 mijë njerëzve, 32 mijë janë arrestuar, 60 mijë zyrtarë shteti janë përjashtuar nga puna dhe janë mbyllur 150 shtëpi mediale.

Edhe më e frikshme është një re e frikës që po qëndron mbi vend. Së pari i morën kurdët, dhe shumica heshtën, sepse nuk ishin kurdë, pastaj i morën majtistët, sërish heshtën shumica, sepse nuk ishin të majtë. Kur filluan të trokasin në të gjitha dyert, s’mbeti më askush për të protestuar.

Cumhuriyet ishte ndër ato gazeta që klithnin kundër heshtjes. Ajo është gazeta më e vjetër dhe me më së shumti renome në Turqi. Ajo është gazeta që e ka zbuluar transportin ilegal të armëve në Siri të organizuara nga Erdoani, ka protestuar kundër politikës luftënxitëse, ka hulumtuar aktet e tij të korrupsionit, ka zbuluar xhirollogaritë offshore të biznesmenëve të përkrahur prej tij dhe politikës së tij të islamizimit të arsimit ia ka kundërvënë laicizmin.

Tani Erdoani deshi t’ia mbyllë gojën edhe Cumhuriyetit, bastionit të fundit kryengritës në trevën mediale, në mënyrë që pa asnjë zë kritik të shkohet në referendum për sistemin presidencial, të cilin e planifikon në pranverë. Kësaj here ai e huqi cakun. Deputetë të të gjitha partive, të majtë, laikë, kurdë, sindikalistë dhe gazetarë të privuar nga puna u rreshtuan në mbështetje të kolegëve të tyre, erdhën masivisht te gazeta dhe filluan të bëjnë roje të përhershme te Cumhuriyeti.

Tani nuk kemi më kohë për gjumë.

Deri kur të vijë dita për të qenë të sigurt se është qumështshitësi kur herët në mëngjes bie zilja në portën tonë.

(Autori ka qenë kryeredaktor i Cumhuriyet. Në nëntor 2015 ai u arrestua, në maj 2016 u dënua me 6 vjet burg. Para vendimit të shkallës së dytë ai braktisi Turqinë. Ky tekst u botua në numrin e fundit të gazetës gjermane Die Zeit).