«Tani gjaku është e vetmja memorie e Sirisë, sepse të gjithë komplotuan për ta varrosur bukurinë e saj»

Për shumë prej nesh, Siria u reduktua në disa mesazhe në Facebook, pas çdo masakre. Në terren, në mërgim, nuk po bëjmë asgjë të rëndësishme për t’i ndalur luftën dhe dhunën, thotë poetja siriane Rasha Omran në një intervistë për «The New York Review of Books».

Rasha Omran, poete siriane.

Që nga fillimi i kryengritjes civile në Siri në vitin 2011, poetja siriane Rasha Omran është kritike e patrembur e regjimit të Bashar al-Asadit dhe dështimit të intelektualëve arabë për t’i ekspozuar krimet e tij. Ajo jeton në mërgim në Egjipt, ku flet kundër luftës dhe angazhohet për reforma demokratike në vendin e saj. Në artikullin «Sekti si shtëpi», Rasha Omran, që i përket pakicës alevite, e cila e qeveris Sirinë, e përshkruan se si rebelimi jo i dhunshëm u shndërrua në konflikt të armatosur:

«Regjimi iu kundërvu përpjekjeve për rebelim ashtu që në disa pjesë të vendit njerëzit i shkëputi nga njëri-tjetri – me metodën tipike «përçaj e sundo». Në kohën e kryengritjes jo të dhunshme, mediet shtetërore kanë folur për bandat e armatosura takifiri, që vrasin ushtarë dhe agjentë të shërbimit të sigurimit (patriotë të ndershëm), dhe për qëllimin e tyre që në Siri të provokojnë luftë ndërmjet sekteve të ndryshme. Pastaj filluan manipulimet (fajësimi i të tjerëve për bëmat e regjimit) dhe përhapja e thashethemeve mes alevitëve, me përkujtimin e persekutimit të kësaj pakice. Regjimi i ka sakrifikuar disa prej tyre në zonat e fërkimit ndërmjet sekteve me qëllim që t’i trembë të tjerët, si dhe ka deklaruar se besojnë që revolucionarët në fakt janë vrasësit dhe që hakmerren për Haman (Masakra kundër Vëllazërisë Myslimane, 1982).

Regjimi e ka liruar nga zinxhirët një përbindësh të frikshëm që trokiti në mendjen e alevitëve dhe që e forcoi lidhjen ndërmjet sekteve dhe atdheut, si dhe lidhjen për mbijetesën e tyre personale dhe mbijetesën e sektit/atdheut. Kështu që sot alevitët besojnë se luftojnë për mbijetesë personale dhe nacionale, kundër shfarosjes së pakicës së tyre. A do të kuptojnë këtë nëpërmjet mashtrimit në të cilin ata jetojnë kaq gjatë? A do ta kuptojnë se regjimi mbijeton në varret e fëmijëve të tyre? Në këtë luftë, regjimi i ka sakrifikuar ata si pionë në një lojë shahu. Ndoshta më në fund do ta kuptojnë, kur kriminelët që i kanë shfrytëzuar ndarjet si poligon në konfliktet e luftës, ta reduktojnë jetën e tyre në seri të pandërprerë funeralesh dhe ngushëllimesh, ndërsa Sirinë në vend të varreve dhe të vdekurish».
Omran flet me elokuencë për fatin e refugjatëve sirianë dhe për rebelët e vërtetë, qëllimet e të cilëve janë harruar. «Asnjë revolucion tjetër në histori nuk ka arritur të qëndrojë aq gjatë dhe aq bukur me gjithë ballafaqimin me krimet brutale», ka shkruar më 2015. «Tani gjaku është e vetmja memorie e Sirisë, sepse të gjithë komplotuan për ta varrosur bukurinë e saj».

Poeti Charles Simic (Çarls Simiq) jo shumë moti ka biseduar me Rasha Omranin për Sirinë, për përvojën e saj poetike dhe për atë pse Perëndimi dështoi që ta ndalë luftën atje.

Çarls Simiq: Mos heshtja e bashkësisë ndërkombëtare në lidhje me gjakderdhjen në Siri ka të bëjë me intelektualët në botën arabe?

Rasha Omran: Në fillim të revolucionit sirian, intelektualët dhe shkrimtarët arabë ishin në favor të asaj që po ndodhte në Siri, por kjo ndryshoi shpejt. Kur situata u komplikua, ata filluan të thonë: «Ne nuk e dimë se çfarë po ndodh në Siri». Shumë prej tyre as nuk i përmendën krimet e regjimit sirian dhe të aleatëve të tij, por u konfrontuan për krimet e Daeshit (Isis-it) dhe organizatave të ngjashme. Intelektualët dhe shkrimtarët arabë e vëzhgojnë Sirinë vetëm me njërin sy, tani kur duhet të hapen dhjetë sy, sepse dy më nuk janë të mjaftueshëm.

Çarls Simiq: Në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë, i kam kritikuar bashkatdhetarët e mi në Serbi dhe udhëheqësit e tyre për shkak të luftërave kundër grupeve të tjera etnike dhe fetare dhe për këtë u shpalla tradhtar. E marr me mend se edhe ju keni përjetuar diçka të ngjashme?

Rasha Omran: Po! Shumë njerëz në vendin tim dhe në qytetin tim në shtëpi më quajtur tradhtare, më mallkojnë dhe më akuzojnë se jam pjesëtare e «kolonës së pestë», se punoj për Perëndimin, apo se më financojnë organizatat radikale islamike dhe partitë. Ajo më dhemb dhe më trishton; më sulmojnë të afërmit dhe miqtë, madje edhe ata më të vjetrit, ata nga fëmijëria. Për ta unë jam vetëm tradhtare, që meriton vdekje, ose së paku konfiskimin e shtetësisë siriane.

Çarls Simiq: Na tregoni diçka në lidhje me rritjen tuaj në Tartus dhe për atë sesi jeni bërë poete.

Rasha Omran: Unë kam lindur në Tartus, një qytet në bregdetin mesdhetar të Sirisë, por pa i mbushur pesë vjet me familjen jemi vendosur në Damask, kryeqytet i Sirisë, ku e kam kaluar fëmijërinë time, vitet e adoleshencës dhe rininë. Në Tartus dhe në fshatin tim të lindjes në kodër mbi det shkoja vetëm për pushime verore. Luanim në pyll dhe në breg të detit, dhe kjo ishte mrekulli. Në shtëpi, në Damask, e kishim një bibliotekë të madhe. Që në moshë të re isha adhuruese e librit, kam lexuar çdo gjë që më binte në dorë. Kurrë askush nuk më ka këshilluar se çfarë të lexoje a të mos lexoja. Fondi im librar ishte i gjerë dhe i ndryshëm. Më vonë, me vite kam lexuar në mënyrë shumë selektive. E si jam bërë poete – isha hipnotizuar nga poetët që njihja. Babai im ishte poet, në shtëpinë tonë tuboheshin poetë dhe artistë, ndoshta për këtë… Nuk jam mjaft e sigurt. Para se të mësoja si të shkruaja poezi, babai më thoshte se unë mund të bëhesha një romanciere e mirë: e kam një memorie të shkëlqyeshme afatgjatë dhe i mbaj mend detajet.

Çarls Simiq: Sa janë të ndarë politikisht miliona refugjatë dhe persona të zhvendosur, të cilët e braktisën Sirinë?

Rasha Omran: Ndarjet janë tragjedia më e madhe e kësaj lufte. Jo vetëm në mesin e mbështetësve dhe kundërshtarëve të regjimit, por edhe në vetë mesin e kundërshtarëve. Me atë numër të madh të refugjatëve, është e qartë se sirianët jashtë vendit nuk mund ta kenë një vizion të përbashkët për Sirinë. Refugjatët dhe mërgimtarët janë të dëshpëruar, ata luftojnë për të mbijetuar. Për shumë prej nesh, Siria u reduktua në disa mesazhe në Facebook, pas çdo masakre. Në terren, në mërgim, nuk po bëjmë asgjë të rëndësishme për t’i ndalur luftën dhe dhunën.

Çarls Simiq: Në shtator të vitit 2012, ju e keni filluar një grevë urie para selisë së Ligës Arabe në sheshin Tahrir të Kajros. A keni pasur mbështetjen e njerëzve rreth jush?

Rasha Omran: Kjo ishte ideja e mikeshave të mia siriane, të cilat jetonin në Kajro para se gjenerali al-Sisi të vijë pushtet. Atëherë për sirianët në Egjipt ishte e lehtë të organizojnë aksione për mbështetjen e Sirisë; demonstrimi ulur dhe greva zgjati pesëmbëdhjetë ditë. Rezultate, natyrisht, nuk pati, por egjiptianët atëbotë megjithatë patën shumë mirëkuptim për çështjen siriane. Protestat ulur tërhoqën dhjetëra intelektualë egjiptianë, si dhe mbështetjen e publikut. Këto ishin ditët e harmonisë së mrekullueshme; Egjipti ishte përkrah sirianëve dhe tragjedisë së tyre. Tani ajo ka ndryshuar. Në Egjipt më nuk ka shumë sirianë. Miqtë e mi që morën pjesë në grevë shkuan nga Egjipti në Europë, apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vetëm unë kam mbetur këtu. Sot sirianëve në Egjipt nuk u lejohet të organizojnë asgjë që ka të bëjë me Sirinë. Mediet egjiptiane në përgjithësi e mbështesin regjimin e Asadit nën pretekstin se lufton kundër terrorizmit. Kjo ka ndikuar edhe në shfaqjet e qytetarëve egjiptianë në lidhje me atë që po ndodh në Siri.

Çarls Simiq: Dukej e pamundur, por në javët e fundit kemi parë tmerret e reja, të tilla si bombardimi i konvojit të ndihmës ndërkombëtare dhe shkatërrimi i mëtejshëm i Alepos nga avionët rusë. Kush apo çfarë i pengon palët ndërluftuese për ta ndaluar vrasjen e njerëzve të pafajshëm në Siri?

Rasha Omran: Ata që i financojnë këto forca, si dhe vendet që i mbështetin ato. Çdo ditë dëgjojmë liderët e huaj sesi e dënojnë atë që po ndodh, shohim mbledhje dhe konferenca për Sirinë, marrëveshje bilaterale dhe të tjera për armëpushim – pa ndonjë rezultat. Vrasjet vazhdojnë, vdekjet e dhunshme dhe zhvendosjet vazhdojnë, sikur edhe shkatërrimi i Sirisë. Bota nuk po bën përpjekje serioze për ta ndalur gjakderdhjen siriane. Sikur të kishte një vendim serioz për ta gjetur një zgjidhje dhe për ta ndaluar tragjedinë, kjo edhe do të kishte ndodhur. Por, nuk ka vazhdimësi në përpjekjet për t’i ndalur luftën dhe vdekjet në Siri.

Çarls Simiq: SHBA-të kanë qenë veçanërisht të paefektshme në ndalimin e dhunës. Çfarë mendoni për Amerikën dhe për përfshirjen e tyre në ngjarjet në Lindjen e Afërme?

Rasha Omran: Unë mendoj se SHBA-të janë lojtari kryesor në Lindjen e Mesme, deshëm apo s’deshëm ta pranojmë. Të gjitha forcat tjera i lidhin interesat e tyre me ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Amerika nuk dëshiron demokraci të vërtetë në Lindjen e Afërme. Regjimet e rrënuara në vendet arabe janë zëvendësuar me regjime shumë më të këqija, të cilat SHBA-të i mbështetin në të njëjtën mënyrë siç i kanë mbështetur të mëparshmet. Sikur vërtet të donin ta ndalonin gjakderdhjen në Siri, kjo do të kishte ndodhur që në vitin e parë të revolucionit. Kush e mbështeti Bashar al-Assadin, kur ai e trashëgoi pushtetin në Siri, pas vdekjes së babait të tij? SHBA-të! Ne sirianët e kujtojmë vizitën e Madeleine Albright, ish-Sekretare e Shtetit, e cila pas vdekjes së Hafez al-Assad erdhi për t’i shprehur ngushëllimet e saj dhe për t’u takuar me Bashar al-Assad; ishte ky një takim i gjatë, përmbajtja e të cilit nuk u bë e njohur për opinionin. SHBA-të gjithmonë e udhëheqin të njëjtën politikë në Lindjen e Afërme, qoftë kur në Washington janë në pushtet demokratët apo republikanët.