Talat Xhaferi zgjidhet kryetari i parlamentit të Maqedonisë, nacionalistët maqedonas futen dhunshëm në parlament

Në Maqedoni ka eskaluar situata pasi shumica parlamentare ka zgjedhur kryetarin e ri të Kuvendit të Maqedonisë. Nacionalistë maqedonas po brohorasin parulla antishqiptare. Numri i protestuesve para Kuvendit po rritet dhe kanë filluar sulme ndaj deputetëve.




Politikani i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Talat Xhaferi, është zgjedhur të enjten pasdite kryetar i Parlamentit të Republikës së Maqedonisë. Xhaferi ka marrë postin në rrethana dramatike, pasi që deputetët e partisë nacionaliste VMRO gjatë gjithë kohës u përpoqën të pengojnë punën e Kuvendit. Njëkohësisht para Kuvendit pasdite u tubuan qindra ithtarë të VMRO-së, të cilët kanë brohoritur parulla antishqiptare dhe po kërkojnë zgjedhje të reja.

Ndërkohë mediat në gjuhën shqipe nga Shkupi njoftojnë se disa përkrahës të VMRO-së kanë arritur të futen në sallën e konferencave për shtyp të Kuvendit të Maqedonisë dhe në sallën e mbledhjeve të Kuvendit. Burime të ndryshme tregojnë se protestuesit kanë sulmuar edhe liderin e socaldemokratëve deri më tani opozitar Zoran Zaev dhe gazetarët. Në një prononcim për televizionin Alsat Xhaferi i bëri apel VMRO-së të tërheq përkrahësit e saj, të cilët i ka ndërsyer drejt parlamentit. Gazetarët njoftojnë se në dhe rreth parlamentit maqedonas ka pak policë, andaj situata përshkruhet si e rrezikshme. Numri i protestuesve para Kuvendit po rritet.

Xhaferi u zgjodh kryetar i parlamentit me votat e socialdemokratëve maqedonas dhe të partive shqiptare – me përjashtim të partisë së ashtuquajtur Besa. Xhaferi ka qenë ministër i Mbrojtjes i Maqedonisë. (-lli)