Talat Xhaferi ulet në zyrën e Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë

Në ditën e parë të hyrjes në kabinet, Xhaferi ka pritur ambasadorin e BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar, në një takim të paparalajmëruar për medie.

Talat Xhaferi dhe Samuel Zhbogar.



Deputeti i BDI-së, Talat Xhaferi sot ka marrë çelësat e kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë dhe është ulur në zyrën që deri më tani mbante Trajko Veljanovski. Ky veprim më së paku pritej të ndodhte sot, pasi një ditë më parë Veljanovski mblodhi në kabinet deputetët e VMRO-së prej nga paralajmëruan se nuk do ta njohin Xhaferin për kryetar.

Në ditën e parë të hyrjes në kabinet, Xhaferi ka pritur ambasadorin e BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar, në një takim të paparalajmëruar për medie. Jozyrtarisht merret vesh se Xhaferi ende nuk ka marrë vulat dhe nënshkrimin, por kjo pritet të ndodhë gjatë ditëve në vijim.

Fillimisht pritet që vendimi për zgjedhjen e Xhaferit kryetar Kuvendi të shpallet në gazetën zyrtare. Ndryshe, Talat Xhaferi u zgjodh kryetar Kuvendi të enjten e javës së kaluar nga shumica e re parlamentare, në një ceremoni të pazakontë. Më pas ndodhën incidente të dhunshme në hapësirat e Kuvendit ku protestues të maskuar dhe të dhunshëm rrahën deputetët e LSDM-së dhe deputetin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Selën.