Takimi Rama-Hollade: Shqipëria, në rrugën e duhur për hapjen e negociatave

Gjatë qëndrimit të tij në Paris, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim pune me Presidentin francez, François Hollande.




Siç njofton Kryeministria përmes zyrës së saj të shtypit, gjatë takimit u konfirmua angazhimi i Francës për t’u dhënë një orientim domethënës politikave euro-integruese në raport me Shqipërinë, sidomos nëpërmjet konferencës së Parisit dhe një agjendë të re të Francës për rajonin duke filluar nga muaji shtator.

Hollande, duke vlerësuar rolin stabilizues në rajon të Shqipërisë, inkurajoi fuqishëm arritjen e reformës në drejtësi dhe nënvizoi se vendi ynë është në rrugën e duhur në procesin e hapjes së negociatave.

Një vlerësim i posaçëm për Shqipërinë dhe punën e qeverisë, ishte lufta ndaj radikalizmit fetar dhe ripërtëritja ekonomike, ku Franca mëton të ketë rolin e saj nëpërmjet investimeve madhore si ai i TAP-IAP.