Tahiri premton reciprocitet rreth tabelave «proba» me Serbinë

Delegacioni i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, qëndroi dje në Bruksel ku mori pjesë në takimin e radhës të dialogut teknik në lidhje me procesin e zbatimit të disa prej marrëveshjeve ku janë shënuar ngecje dhe vonesa në proces.




Ky takim ishte vazhdim i bisedimeve të filluara me 28 dhe 29 shtator, në të cilat, sipas komunikatës së dërguar, kishte pasur disa përparime, por që ishte vlerësuar nevoja për të precizuar më tej hapat drejt përshpejtimit të procesit të zbatimit.

Temat që u diskutuan ishin Lëvizja e Lirë, diplomat, funksionimi i Zyrave Ndërlidhëse dhe kthimi i dokumenteve kadastrale nga Serbia. Bisedimet u ndërmjetësuan nga BE përkatësisht Shërbimi për Punë të Jashtme i Bashkimit Evropian.

Tema kryesore ishte Lëvizja e Lirë, përkatësisht zbatimi i reciprocitetit në çështjet e tabelave të regjistrimit të automjeteve.
Ministrja Tahiri, sipas komunikatës, rikonfirmoi qëndrimin e Qeverisë së Kosovës për ta zbatuar reciprocitetin në çështjen e tabelave të automjeteve ku njoftoi se afati i fundit do të jetë fundi i tetorit.

«Tahiri mes tjerash theksoi se pala e Kosovës ka vendosur ta shfrytëzojë të drejtën për reciprocitet që sigurohet nga Marrëveshja e Lëvizjes së Lirë e vitit 2011, duke potencuar se në qoftë se Serbia nuk i heq tabelat ‘prova’ për automjetet e Kosovës me tabelat ‘RKS’ atëherë Kosova do aplikojë masa reciproke ndaj automjeteve që vijnë nga Serbia.»

Po ashtu, ajo tha ky reciprocitet do të përfshijë edhe pagesat administrative për këto tabela si dhe dokumentin hyrje – dalje për qytetarët e Serbisë.

Për çështjen e njohjes reciproke të diplomave universitare mes dy shteteve, në takimin e kaluar ishte arritur një marrëveshje me të cilën është hapur rruga e zhbllokimit të zbatimit të marrëveshjes për diploma të vitit 2011, por të cilën Serbia nuk e kishte zbatuar asnjëherë.

Në takimin e djeshëm u dakordua që zbatimi të filloj në fund të tetorit dhe sipas marrëveshjes në periudhën prej 5 muajsh duhet të njihen të gjitha diplomat që janë në pritje të njohjes, rreth 400 prej tyre. Në të njëjtën kohë, Kosova do të bëjë njohjen e 14 diplomave që janë në pritje. Risi e marrëveshjes së arritur është që njohja e diplomave është zgjeruar, pra krahas njohjes së diplomave univeristare ( bachelor, master dhe doktoraturë), do të njihen edhe diplomat e shkollave të mesme dhe shkollave vokacionale/kualifikuese të të gjitha niveleve, sipas standardeve evropiane.

Në këtë takim, ministrja Tahiri ngriti çështjen e qëndrimit bllokues të Serbisë për tekstet shkollore që Qeveria e Kosovës i ka dërguar për shqiptarët e luginës së Preshevës, duke theksuar se bashkëpunimi për çështjet e dijes dhe të shkollimit është në interesin e të gjithëve, dhe vlerësoi si shenjë jo-civilizuese bllokimet e Serbisë, duke theksuar se do zbatohet reciprociteti nga ana e Kosovës.

Rreth çështjes së kthimit të dokumenteve kadastrale nga Serbia, është theksuar se Kosova duhet ta miratoj sa më shpejtë ligjin për Agjencinë teknike për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, sepse kjo do ta hap rrugën për kthimin e dokumenteve kadastrale që i ka marrë Serbia gjatë luftës. Po ashtu, u kërkua edhe nga Serbia që të përshpejtojë procesin e përgatitjeve për kthimin e tyre.

Ndërsa, në kuadër të bisedimeve për Zyrat Ndërlidhëse në të dyja shtetet, u arrit pajtimi që të rriten hapësirat dhe stafi i tyre, ku BE u zotua që të ofroj hapësirë më shumë për to, duke qenë se zyrat ndërlidhëse janë në kuadër të zyrave të BE-së në dy vendet.

Gjithashtu, kishte dakordim që të ketë një bashkëpunim më të mirë mes zyrtarëve ndërlidhës dhe qeverive përkatëse të vendeve pritëse, si dhe lehtësime në trajtimin e kërkesave për vizita por me kusht që zyrtarët që bëjnë vizita në shtetin tjetër të respektojnë parimet e dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dyja shteteve. Në këtë kuadër, në vijim do të intensifikohen angazhimet që kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ta pres zyrtarisht në takim zyrtarin ndërlidhës të Serbisë në Kosovë dhe kryeministri i Serbisë Vuçiq ta pres zyrtarin ndërlidhës të Republikës së Kosovës në Serbi.

Delegacioni i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, kishte në përbërje: Dren Zeka, këshilltar kryesor politik i ministres dhe koordinator në dialog, Driton Gashi, Sekretar i Përgjithshëm MPB, Kreshnik Gashi, Sekretar i Përgjithshëm MPJ, Xhelal Shaqiri, drejtor politik MPJ, Valdet Sadiku, Ambasador, ZN në Serbi, Qemajl Marmullakaj, Drejtor ZPS dhe koordinator në dialog.