Tahiri: Lidhja e memorandumit nuk është kusht për heqjen e barrikadës

Edita Tahiri, ministre për Dialog, ka reaguar pas deklarimeve të Beogradit zyrtar dhe autoriteteve të Mitrovicës veriore që thonë se të enjten nuk do të hiqet barrikada mbi urën qendrore në Mitrovicë, që ndodhet mbi lumin Ibër. Të paqëndrueshme i ka konsideruar ajo kushtëzimet e përmendura nga pala serbe.




Zyrtarë të Qeverisë së Serbisë, por edhe përfaqësues të pushtetit komunal në Mitrovicën veriore të banuar me serbë, kanë deklaruar gjatë ditës se heqja e barrikadës mbi urë nuk do të nisë për aq kohë sa kryetarët e të dyja komunave të qytetit të Mitrovicës të mos firmosin një memorandum, me të cilin mëtohet të zgjidhen çështje kontestuese rreth kufijve administrativë të zonave kadastrale në Suhodoll dhe Kroi i Vitakut, fshatra këto në veri që janë të banuara me shqiptarë.

Në një prononcim për Koha.Net, ministrja Tahiri ka thënë se marrëveshja e Brukselit për heqjen e barrikadës nga ura e Mitrovicës, përpos që adreson çështjen e heqjes së barrikadës dhe revitalizimin e urës, në një pikë të saj flet edhe për definimin e zonave kadastrale për këto dy fshatra. Por ka insistuar se nisja e revitalizimit të urës nuk është e ndërlidhur me firmosjen e memorandumit.

«Këto dy çështje, pra heqja e barrikadës dhe kjo çështja e memorandumit, nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe marrëveshja e Brukselit nuk thotë se këto dyja janë të kushtëzuara. Për këtë çështje ne kemi qenë vazhdimisht në bisedime me BE-në, se duke marrë parasysh prirjet e Serbisë që gjithmonë të gjejnë pengesa për zbatim, ne e kemi qartësuar këto çështje, kështu që barrikada nesër do të hiqet dhe do të fillojë procesi i revitalizimit në të njëjtën kohë si dy procese sinkrone, ndërsa ky memorandum është duke u punuar nga autoritete relevante (Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, dy kryetarët e komunave të Mitrovicës dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, me pjesëmarrjen e Bashkimit Evropian dhe Ambasada Amerikane) dhe ai mund të arrihet», ka thënë ministrja Tahiri për Koha.net. «Ajo që është me rëndësi të thuhet është se janë dy çështje të ndara – nuk e kushtëzojnë njëra-tjetrën».