«Tageszeitung»: Kriza në Maqedoni mund të ashpërsohet

Pritej që zgjedhjet në Maqedoni të sillnin qetësi. Por tani vendi mund të përjetojë një betejë edhe më të ashpër politike, shkruan gazeta «Tageszeitung» e Berlinit.

Pamje nga zgjedhjet në Maqedoni. Foto: APA



Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni, të cilat u mbajtën të dielën, do të duhej t’i jepnin fund krizës politike dyvjeçare, por nga kjo pritje s’ka gjë, shkruan gazeta gjermane «Tageszeitung» në një koment. Dy partitë më të mëdha maqedonase, VMRO-DPMNE-ja konservatore, e cila është në pushtet qe më shumë se një dekadë, dhe Lidhja Socialdemokrate opozitare (LSDM) kanë shpallur fitoren. Është e mundshme që të dy palët të këmbëngulin në fitore. Lideri i socialdemokratëve Zoran Zaev e ka akuzuar disa herë Nikola Gruevskin dhe partinë e tij VMRO-DPMNE për vjedhje votash dhe manipulim të listave zgjedhore. Pas një skandali të përgjimit – thuhet se regjimi ka përgjuar 20 mijë njerëz – situata në Maqedoni eskaloi, u zhvilluan protesta në rrugë dhe opozita bojkotoi parlamentin. Tek pas ndërmjetësimit nga ana e BE-së u arrit një marrëveshje për një qeveri kalimtare dhe për zgjedhje të parakohshme.

Pas fushatës së pamëshirshme elektorale tani në Maqedoni pritet një luftë e pafrenueshme për pushtet, shkruan «Tageszeitung» e Berlinit. Hendeku mes partive është i thellë, po aq edhe mosbesimi. Opozita e akuzon VMRO-DPMNE-në për korrupsion, plaçkitje, mashtrime, neutralizim të mediave, ndjekje të kritikëve – flitet për një regjim kleptokratik, autoritar.

Nga ana tjetër VMRO-DPMNE i quan kundërshtarët e saj tradhtarë të paguar nga bota e jashtme, të cilët duan ta bëjnë gjuhën shqipe gjuhë zyrtare në mbarë vendin. Një e treta e qytetarëve të Maqedonisë janë shqiptarë.

Pas rezultatit të ngushtë zgjedhor nuk pritet fundi i krizës politike në këtë vend të përçarë. Skenari i mundshëm, sipas gazetës gjermane, është ky: Gruevski mbetet në pushtet, opozita nuk e pranon fitoren e tij, bojkoton parlamentin – dhe vendi rrëshqet në kaos politik. Sërish mund të ketë protesta dhe burgosje, presioni mbi media dhe mbi shoqërinë civile do të jetë edhe më i madh; mund të ketë përsëri tensione etnike, ndonëse partitë shqiptare qe 15 vite janë të përfaqësuara në qeveri.

«Deri më tani BE ka ndërmjetësuar në luftën e pamëshirshme mes regjimit dhe opozitës. Këtë ajo duhet ta bëjë sërish. Ndryshe gjendja mund të dalë nga kontrolli», komenton «Tageszeitung». (-lli)