Sytë

Antonio Machado.



I
Kur i vdiq e dashura,
në shtëpi u pat ndryrë
dhe vendosi të plakej
fill i vetëm në kujtim dhe me një pasqyrë
ku ajo shihej në dritë.
Mendoi se do të mund ta ruante,
si koprraci në arkë ar e argjend,
gjithë të shkuarën në një copë pasqyrë
dhe koha të ndalej në vend.

II
Viti u mbush dhe kaloi.
Si i kishte sytë, – pyeti, – të bardhë a të zezë?
Të kaftë, të kaltër, të hirtë?
Si i kishte, o zot, ç’është kjo harresë?

III
Një ditë pranvere doli në rrugë
heshturazi për të shëtitur zinë dyvjeçare,
me zemër të ndrydhur… Kur,
te qemeri i errët, në një dritare
pa të ndrisnin dy sy. Asgjë nuk tha,
uli të tijtë dhe vazhdoi rrugën… Krejt si ata!

Përktheu: Aurel Plasari