Sy e mallë  

Foto: Shutterstock



Bijës sime, Ilirianës

 

Edhe skutat ma t`errëta të zemrës sime

Me gazin tand, Ilirianë, m`i ke mbushë;

Shikimi yt- rrezja ma e bardhë n`agime-

Bebzat m`i ledhaton si puhija në fushë.

E dij, gjyshes sate kurr nuk ki m`i ngja,

Se lindjen tande s`ta uroi fati i saj;

Lotin e skamjes në sofër s`ke me e nda,

Tue ta përcjellë fëmininë tande me vaj.

Ty shtigje tjera n`jetë të dalin përpara

Dhe nuk ke me dijtë se ku mbet kasolla

As kopshti im ku lulet e para i mbolla-

Ato vende ku më ndriçuen rrezet e para.

Nga prehni ynë nesër ndoshta ke m`u largue

E n`jetë ernat kanë me t`çue larg e ma larg;

N`vegime folenë tande shpesh ke me kujtue-

Ditët përmallshëm tue i lidhë në një varg

Edhe skutat ma t`errta të zemrës sime

Malli për ty, Lire, ka me m`i mbushë;

Shkimin tand shpesh do ta lypi n`vegime

E s`dij, a do t`më ngushllojë puhija n`fushë.