SVP-ja kërkon vetëvendosje – dhe merr menjëherë kritika

Partia Popullore e Zvicrës ka dorëzuar një iniciativë të re – atë për Vetëvendosje. Ajo me këtë synon ndalimin e shfuqizimit të zgjedhësve. Dhe, menjëherë konfrontohet me rezistencë.

Foto: Paolo Bona / Shutterstock.com

Drejtësi zvicerane në vend të drejtësisë së huaj, kërkon SVP me Iniciativën për Vetëvendosje. Së fundmi ajo i ka dorëzuar edhe nënshkrimet dhe po bën publicitet për kauzën e saj. Paralelisht janë formuar edhe kundërshtarët, të cilët në këtë iniciativë shohin një rrezik për të drejtat e njeriut. Po paralajmërohet një fushatë e fuqishme, e ngjashme me atë për Iniciativën për Zbatim (të dëbimeve).

SVP me Iniciativën për Vetëvendosje synon të forcojë demokracinë direkte dhe të ndalojë marrjen e pushtetit «popullit votues», e transmetojnë sot të gjitha mediat zvicerane lajmin e agjencisë zvicerane të lajmeve, sda. Sipas kësaj partie, populli është kryeligjvënësi. Por parlamenti, qeveria, administrata dhe drejtësia në një bashkërendim skandaloz e kanë shfuqizuar atë.

Si shembuj për këtë iniciatorët e përmendin iniciativën e kujdestarisë, të dëbimit dhe të migrimit. Sipas SVP-së, popullata i kishte miratuar ato, kurse politikanët dhe gjykatat e kishin refuzuar zbatimin në germë të tyre, duke u thirrur në të drejtën ndërkombëtare. Qëllimi ishte i qartë: Të kufizohej demokracia direkte. Dhe, «ky është një puç kundër rendit kushtetues në shtet», është shprehur lideri shpirtëror i Partisë Popullore të Zvicrës, Christoph Blocher.

Konkretisht, SVP-ja dëshiron ta sanksionojë në kushtetutë, që kjo qëndron mbi të drejtën ndërkombëtare, përveç përcaktimeve të detyrueshme të së drejtës ndërkombëtare. Në rast të një kontradikte ndërmjet obligimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe kushtetutës federale, Federata të angazhohet për përshtatjen e obligimeve të së drejtës ndërkombëtare. Nëse një gjë e tillë rezulton e pamundur, atëherë marrëveshjet ndërkombëtare suspendohen. Përcaktuese për Gjykatën Federale duhet të ngelin ligjet e vendit – dhe marrëveshjet e së drejtës ndërkombëtare të cilat i janë nënshtruar referendumit.

Iniciativa për Vetëvendosje është një reagim i SVP-së ndaj përzierjes së papranueshme të parlamentit, qeverisë, administratës, drejtësisë dhe jurispondencës në ligjvënien kushtetuese, thonë në SVP. Drejtësia është një çështje e popullit. Shembulli i fundit i përzierjes së gjykatësve ishte vendimi i Gjyqit Federal për ta vendosur Marrëveshjen për Lëvizjen e Lirë mbi Kushtetutën Zvicerane. Kjo, për SVP-në, është e përbindshme. Ky vendim, sipas saj, domethënë që pavarësisht si e zbaton parlamenti Iniciativën e Migrimit Masiv – zbatimi shfuqizohet në rast të një ankimimi.

Mirëpo, kauza e fundit e SVP-së po has në rezistencë, sikurse Iniciativa për Zbatim (të dëbimeve). Organizata për të drejtat e njeriut dhe të tjera kanë ftuar për një kundërtubim për t’i treguar SVP-së kartonin e kuq. Ata flasin për një «Iniciativë Kundër të Drejtave të Njeriu». Ajo, sipas kundërshtarëve, synon suspendimin e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Me këtë ata dëshirojnë t’i zbutin barrierat për zbatimin e iniciativave popullore, të cilat bien ndesh me të drejtat themelore.

Amnesty International Schweiz flet për një sulm frontal ndaj të drejtave të njeriut. SVP dëshiron ta kalojë vijën e kuqe. Kurse ‹Operacioni Libero› paralajmëron që miratimi i kësaj iniciative do të thoshte se Zvicra po bëhet një shkelëse e mësuar e marrëveshjeve. Ndërkaq komiteti i «Dringender Aufruf» (Thirrja urgjente) shkruan: Kjo iniciativë nuk bën të kalojë kurrë. ks